“Shigjetat Helmuese” në Shkup bëjnë të dukshme plagët e padukshme të gjuhës së urrejtjes
Në sheshin te “Porta Bunjakovec”, në qendër të Shkupit, është vendosur instalacioni artistik “Shigjetat Helmuese”. Ideja për këtë skulpturë, e cila e përfaqëson gjuhën e urrejtjes si të padukshme, është nga aktivisti i artit Nikolla Pisarev, e realizuar në bashkëpunim me skulptorin Andrej Minovski, raporton Portalb.mk.
Në qendër është një fytyrë njeriu me gojë shumë të hapur, nga e cila dalin shigjeta të mprehta, të bëra nga materiale metalike të ricikluara.
“Gjuha e urrejtjes është një përbindësh që i lëndon njerëzit.” Të udhëhequr nga kjo ide, vendosëm të krijonim një demon të stilizuar, sepse gjuha e urrejtjes shpesh bazohet në demonizim”, thotë Nikolla Pisarev.
Në bazamentin e instalimit është mesazhi: “Gjuha e urrejtjes lëndon”, që në fakt, sipas krijuesve, është një thirrje për vetë-reflektim dhe përgjegjësi shoqërore.
“Në Maqedoninë e Veriut, temat si gjuha e urrejtjes zakonisht trajtohen në galeri arti, të fshehura nga publiku i gjerë. Ne vendosëm ta nxjerrim muzeun në rrugë”, shton Pisarev.
Sipas tij, kjo vepër është e drejtpërdrejtë, e kuptueshme dhe e arritshme për të gjithë.
“Kur flasim për urrejtjen, flasim edhe për dezinformatat, margjinalizimin, frikën. Prandaj, duhet të jetë e dukshme. Nëse arti gotik arriti të përmbyste epokën e errët të mesjetës, atëherë edhe sot arti mund të përballet me errësirën e gjuhës së urrejtjes”, përfundoi Pisarev.
Andrej Minevski, nga ana tjetër, thotë se shigjetat nga goja e skulpturës, në fakt, janë fjalët që lëndojnë, ndërsa dhëmbët dhe brirët e djallit e përfaqësojnë të keqen dhe ligësinë që ekziston brenda njeriut. Ai është i ndryshkur sepse, siç shpjegon ai, nuk meriton t’i kushtohet vëmendje.
Ky aksion u përgatit nga Qendra për Arte Bashkëkohore – Shkup në kuadër të projektit Rrjeti për Diversitet 2.0 – Agjendë e re që zbaton Shoqata për avancimin e praktikave gazetareske “Media Inovative – Shkup” me mbështetje të Bashkimit Evropian, Ministrisë së Jashtme të Norvegjisë dhe konzorciumit SMART Balkans.