Komisioni i Venecias vjen në Shkup për provimin e jurisprudencës
Ministria e Drejtësisë njofton se më 26 dhe 27 nëntor, në Shkup do të qëndrojë një delegacion i Komisionit të Venecias, i cili do të shqyrtojë ndryshimet e propozuara në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës, me theks të veçantë te çështja e përdorimit të gjuhëve gjatë dhënies së provimit, raporton Alsat.
Vizita dyditore është konfirmuar, ndërsa raportuesit do të mbledhin informacione dhe argumente nga institucionet, ekspertët dhe studentët, përpara përgatitjes së opinionit juridik.
Opinioni i Venecias është bërë kusht i Qeverisë për ta procesuar zgjidhjen ligjore në Kuvend. Megjithatë, pavarësisht mendimit, opozita shqiptare ka paralajmëruar se nuk do ta mbështesë. Me këtë, pamundësohet votimi i ligjit, meqenëse shumica parlamentare nuk ka badenter.
Qeveria ditë më parë miratoi kërkesën për të marrë mendim urgjent nga Komisioni i Venecias për modelin e propozuar të dhënies së provimit të jurisprudencës. Ministria e Drejtësisë thotë se kërkon vlerësim për përputhshmërinë e këtij modeli me Kushtetutën dhe standardet evropiane. Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Bekim Sali e paraqiti vendimin si hap drejt realizimit të së drejtës për dhënien e provimit në shqip. Megjithatë, ende nuk bëhet fjalë për miratimin e një ligji që garanton këtë të drejtë. Propozimi aktual parasheh që pjesa me gojë të mbahet në maqedonisht, ndërsa ajo me shkrim në gjuhën në të cilën kandidati ka studiuar.
Kujtojmë se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Provimi i jurisprudencës deri më tani ka përplasur disa herë partitë e shumicës parlamentare dhe ata opozitare.
- LEXO: Kuvendi e pret përgjigjen e Venedikut për jurisprudencën, kryeparlamentari thotë se do të kalojë me shumicë të thjeshtë
- LEXO: Studentët paralajmërojnë: Do të dalim në protesta nëse jurisprudenca nuk do të mundësohet tërësisht në shqip
- LEXO: Mickoski e përjashtoi provimin e jurisprudencës 100% në shqip, Sali vazhdon të premtojë zgjidhje, studentët kërkojnë afate konkrete
- LEXO: Studentët paralajmëruan protestë, nuk e pranuan propozimin e Shasivarit për jurisprudencën
- LEXO: Provimi i jurisprudencës kërkohet në disa gjuhë, Shasivari: Në tetor do ta demonstrojmë zgjidhjen, reaguan studentët