Rruga Tetovë – Prizren, u takuan zëvendësministri i Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për të diskutuar për hapat e mëtutjeshëm

Në Maqedoninë e Veriut sot ishte për vizitë pune zëvendësministri për infrastrukturë i Republikës së Kosovës, Hysen Durmishi, i cili theksoi që rruga Prizren-Tetovë ishte një nga arsyet e vizitës, transmeton Portalb.mk.

“Biseduam për tema të shumta që lidhen me punën dhe bashkëpunimin në mes dy ministrive tona por me theks të veçantë për projektin madhor të rrugës Prizren – Tetovë”, njoftoi Durmishi.

Zëvendësministri i transportit dhe lidhjeve në Maqedoninë e Veriut, Bekim Rexhepi, ishte përfaqësuesi i Maqedonisë së Veriut që e priti Durmishin.

“Pasiqë tashmë e kemi përzgjedhur variantin, ne u dakorduam për parimet themelore të marrëveshjes financiare për hartimin e projektit kryesor të tunelit në rrugën Prizren – Tetovë. Shpejt do t’a kemi projektin kryesor që i hap rrugë ndërtimit të përbashkët të tunelit”, shtoi Durmishi, duke shtuar që ky projekt do të ndikon në turizmin dhe ekonominë e të dy vendeve.

Rexhepi theksoi që tema kryesore e takimit ishte rruga Tetovë – Prizren, duke sqaruar që traseja e rrugës tashmë është e përcaktuar.

“Vlen të theksohet se me z. Durmishi u dakorduam për parimet themelore të Marveshjes për bashkfinansim për përpilimin e projektit”, deklaroi Rexhepi.

Më 17 shtator të vitit 2022 kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, Zoran Zaev dhe Albin Kurti nënshkruan “Memorandum për Mirëkuptim” në lidhje rrugën e premtuar Tetovë-Prizren, e cila tani e dhjetë vite po premtohet. Portalb.mk, ka siguruar dokumentin origjinal të memorandumit, i cili i përmban 6 nene.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në takimin me Ambasadorin e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florijan Qehaja, në gusht të vitit 2022 kishte paralajmëruar që deri në fund të vitit 2022 do të zhvillohet mbledhja e dytë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ky takim nuk u realizua.