fbpx

Rruga Tetovë-Prizren: Parashikohet të bëhet me tunel 6.4 kilometra, nga Bozofca deri në Manastricë të Kosovës

Në bazë të Memorandumit të bashkëpunimit të 16 shtatorit mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për rrugën Prizren-Tetovë, sot Qeveria e Kosovës e ka miratuar formimin e Komisionit për vlerësimin e studimit të fizibilitetit për rrugën këtë aks rrugor, i cili është për të dyja shtetet, njofton Portalb.mk.

Ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu ka folur me detaje pas mbledhjes së Qeverisë, në të cilin kabineti qeveritar ia miratuan kërkesën e Aliut për fillimin e ndërtimin të autostradës Prizren-Tetovë.

“Ky është hap konkret pas marrëveshjes e cila u nënshkrua në Shkup mes dy kryeministrave dhe e cila ka të bëjë me realizimin e një projekti të rëndësishëm që përpos që lidh Prizrenin dhe Tetovën, lidh edhe dy korridore të shumë të rëndësishme që është dhe korridori 8 që nga Shkupi arrin në Durrës, përmes Librazhdit, pikës Qafë Thanë dhe korridorit rrugës së kombit nga Prishtina në Tiranë, tash këto dy korridore do të mund të lidhen mes vete”, tha Aliu.

Ai shtoi se, ndonëse ka vështirësi për realizimin e saj pasi që është në mes ndodhet Mali Sharr, studimet e parafizibilitetit tashmë janë bërë nga ana e Drejtorisë së Rrugëve në RMV dhe me nënshkrimin e marrëveshjes mes dy qeverive dhe me vendimin e sotëm, siç tha ai, do të fillojë puna konkrete, teknike drejt përfundimit të këtij studimi të fizibilitetit dhe fillimit të projektit të menjëhershëm për realizimin e kësaj rruge.

“Dua të përmend që, në bazë të studimit të parafizibilitetit të realizuar deri më tani janë tre variante. Bëhet fjalë në variantet në të cilat tunelet janë të ndryshme. Lartësia mbidetare dhe kushtet në terren përcaktojnë këto variante ku më i përshtatshmi do të jetë varianti që e ka tunelin më të gjatë, 6.4 kilometra tunel dhe është mbi fshatin Manastricë nga e Kosovës dhe kalon në anën tjetër afër fshatit Bozofcë në Maqedoninë e Veriut dhe ku pastaj përmes Brodecit mund të lidhet në Tetovë. Nga ana tjetër, nga fshati Manastiricë, shkohet në Reçak dhe Prizren dhe varianti tjetër nga Manastirica në Zapllugjë, deri në daljen jugore të Autostradës Prizren – Prishtinë”, tha Aliu.

Siç theksoi ministri, për t’u realizuar kjo, janë shqyrtuar dokumente të shumta nga të dyja anët, pasi që Mali Sharr është Park Nacional dhe kanë shqyrtuar mundësitë eventualisht të mos e cenojmë hapësira apo sipërfaqe të cilat mund të rrezikojnë vlerat natyrore të Parkut Nacional.

“Nga të dyja anët, ka plane hapësinore të cilat e parashohin realizimin e kësaj rruge dhe zonat strikte ku janë do të evitohet. Prandaj është i domosdoshëm me tunel më të gjatë. Mbi 2 km të tunelit do të jenë në anën e Republikës së Kosovës.  Ky projekt do të realizohet me komisione të përbashkëta, mbase do të kemi edhe kompaninë e njëjtë që do të bëjë dizajnimin dhe realizimin e tunelit. Kur bëhet fjalë”, shtoi Aliu.

I pyetur nga gazetarët se sa do t’i kushtojë Kosovës ky projekt, ministri Aliu tha se parashikohet të kap vlerën e mbi 150 milionë eurove.

Përndryshe, Memorandumi i Mirëkuptimit është një lloj marrëveshjeje mes dy ose më shumë palëve, në bazë të vullnetit mes tyre duke treguar se synojnë një linjë të përbashkët veprimi. Shpesh përdoret kur palët nuk nënkuptojnë një angazhim ligjor ose kur ata nuk mund të krijojnë marrëveshje të zbatueshme ligjërisht.

Nuk ka kurrfarë detajesh se në cilën periudhë kohore mund të fillojë ndërtimi i kësaj rruge me rëndësi të madhe ekonomike, kur do të mbarojë.

Qytetarët e RMV-së nga Tetova deri në Prizren udhëtojnë 162 kilometra, ndërsa nga Tetova deri në Tiranë duhet të kalojnë 380 kilometra, ndërsa me rrugën e premtuar kjo mund të shkurtohet në 190 kilometra.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button