Albin Kurti: Pas 2-3 vjetësh do të jetë gati rruga Prizren – Tetovë (VIDEO)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kandidatin e Vetëvendosjes për kryetar të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dje e kanë publikuar një video në të cilën e kanë prezantuar projektin për rrugën Prizren – Tetovë, ndërkaq kanë premtuar që brenda 2-3 vitesh do të mbarojë tërësisht, njofton Portalb.mk.

“Në anën e kundërt të kësaj bjeshke ndodhet fshati Veshallë në Maqedoninë e Veriut i cili është vetëm 15 kilometra larg prej Tetovës, po aq sa është edhe fshati Manastiricë, larg nga Prizreni. Prandaj përfund kësaj bjeshke, do ta hapim tunelin i cili do të jetë i gjatë 6 kilometra, për ta rikthyer këtë lidhje të vjetër mes dy qyteteve Prizrenin dhe Tetovës”, thotë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai shtoi se qeveria e Kosovës e ka filluar realizimin e këtij projekti, për të cilin edhe e kanë ndarë buxhetin për herë të parë.

“Bashkë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, jemi dakorduar që sivjet ta projektojmë rrugën, ndërkaq vitin e ardhshëm ta realizojmë atë në tërësi. Kismet pas dy ose tre vjetësh, do të udhëtojmë së bashku prej Prizrenit në Tetovë, ashtu veç për kafe”, tha Kurti.

“Për kafe, bozë dhe bakllavë”, ia ktheu Haskuka.

Paraprakisht, ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu, ka theksuar se, ndonëse ka vështirësi për realizimin e saj rruge, pasi që është në mes ndodhet Mali Sharr, studimet e parafizibilitetit tashmë janë bërë nga ana e Drejtorisë së Rrugëve në RMV dhe me nënshkrimin e marrëveshjes mes dy qeverive dhe me vendimin e Komisionit për vlerësimin e studimit të fizibilitetit, siç tha ai, do të fillojë puna konkrete, teknike drejt përfundimit të këtij studimi të fizibilitetit dhe fillimit të projektit të menjëhershëm për realizimin e kësaj rruge.

“Dua të përmend që, në bazë të studimit të parafizibilitetit të realizuar deri më tani janë tre variante. Bëhet fjalë në variantet në të cilat tunelet janë të ndryshme. Lartësia mbidetare dhe kushtet në terren përcaktojnë këto variante ku më i përshtatshmi do të jetë varianti që e ka tunelin më të gjatë, 6.4 kilometra tunel dhe është mbi fshatin Manastricë nga e Kosovës dhe kalon në anën tjetër afër fshatit Bozofcë në Maqedoninë e Veriut dhe ku pastaj përmes Brodecit mund të lidhet në Tetovë. Nga ana tjetër, nga fshati Manastiricë, shkohet në Reçak dhe Prizren dhe varianti tjetër nga Manastirica në Zapllugjë, deri në daljen jugore të Autostradës Prizren – Prishtinë”, tha Aliu më 27 tetor.

E derisa në Kosovë po ndërmerren hapa konkrete, në Maqedoninë e Veriut ende nuk ka informata se çfarë po ndodh me këtë projekt. Nuk ka kurrfarë detajesh se në cilën periudhë kohore mund të fillojë ndërtimi i kësaj rruge me rëndësi të madhe ekonomike, kur do të mbarojë.

Qytetarët e RMV-së nga Tetova deri në Prizren udhëtojnë 162 kilometra, ndërsa nga Tetova deri në Tiranë duhet të kalojnë 380 kilometra, ndërsa me rrugën e premtuar kjo mund të shkurtohet në 190 kilometra.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button