fbpx

Rustemi: Pas miratimit të Projektit Ideor, do të dihet se kur do të jetë gati rruga Tetovë-Prizren

Rruga Tetovë-Prizren, është një prej projekteve më të përfolura si nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, por edhe ato të Kosovës. Ky projekt, i cili premtohet me vite, ka arritur që të vendoset në programet qeveritare të dy vendeve dhe përcakton, interes për qytetarët dhe shtetet.

Për këtë projekt, kemi biseduar me drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore të Maqedonisë së  Veriut, Ejup Rustemi.

Intervistoi: Suad Bajrami

Ku është procedura e ndërtimit të rrugës Prizren – Tetovë?

Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore NPRSh posedon Studimin e Fizibilitetit që daton nga viti 2013, të hartuar me porosinë tonë dhe i financuar nga buxheti vjetor i ndërmarrjes. Sivjet kemi ndarë mjete vetanake për përpilimin e Projektit Ideor dhe i njëjti është parashikuar edhe me Planin vjetor për furnizime publike për vitin 2021, si një variant më i volitshëm nga gjithsej tre që janë paraparë në Studimin e Fizibilitetit.

Në çfarë afati kohor mund të fillojnë punimet për ndërtimin e rrugës?

Afati për fillimin e punimeve do të jetë i lidhur ngushtë me variantin që cila do të propozohet dhe aprovohet nga Qeveria e RMV-së, pasi Komisioni i ngritur për këtë projekt të marrë vendim-propozimin përkatës. Pason shpallja për përzgjedhjen e Projektit Ideor dhe pastaj përpilimi i Projektit Infrastrukturor dhe bazik.

Ejup Rustemi
Ejup Rustemi, drejtor i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore të Maqedonisë së Veriut

Në çfarë afati kohor mund të mbarojnë punimet për ndërtimin e rrugës?

Afatet për mbarimin e punëve për ndërtimin e rrugës nuk mund të parashikohen pasi, sikurse thash, kjo do të mund të bëhet pas miratimit të Projektit Ideor i cili do të ofrojë një pasqyrë të qartë për volumin e punëve dhe tipet e objekteve të ndërtimit. Ditë më parë në Malësinë e Sharrit ka qëndruar ministri i Mjedisit dhe Infrastrukturës i Kosovës, z. Liburn Aliu dhe jam i binduar se gjatë periudhës që pason nga të dyja palët do të bëhen përpjekje serioze për çuarjen përpara të këtij projekti me interes si për ne ashtu dhe për shtetin e Kosovës.

A është zgjedhur pika e përbashkët mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut se ku do të kalojë kjo rrugë?

Përzgjedhja e variantit nga Studimi i Fizibilitetit e vetpërcakton në teori pikën e përbashkët.

A është zgjedhur ndonjëri variant prej 3 opsioneve të cilat parashikohen në studimin e fizibilitetit?

Komisioni është duke punuar dhe analizuar opsionet nga çdo anëtar i tij. Janë mbajtur disa takime pune dhe në Komision NPRSh e ka anëtarin e vet.

Ejup Rustemi
Ejup Rustemi, drejtor i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore të Maqedonisë së Veriut

Si është bashkëpunimi me autoritetet e Kosovës?

Bashkëpunimi është në nivelin më të lartë të mundshëm dhe vetë fakti që Memorandumi u nënshkrua nga ana e dy kryeministrave e tregon seriozitetin dhe përkushtimin që të dyja palët e kanë në lidhje me këtë rrugë. Janë mbajtur takime në Kosovë paraprakisht si dhe në Shkup nga vetë ministri Liburn, ministri Boçvarski si dhe unë.

Sa shpesh mbahen mbledhjet e përbashkëta të komisioneve të RMV-së dhe Kosovës dhe në çfarë konkretisht punojnë?

Komisionet janë duke i mbajt rregullisht mbledhjet e tyre dhe pritet se shpejti të japin propozim-vendimin për shqyrtim dhe aprovim të të dyja qeverive. Ata janë duke i analizuar mundësitë teknike dhe të përzgjedhin opsionin që është më i arsyeshëm për qytetarët e të dyja shteteve.

Detaje në lidhje me temën e rrugës Tetovë-Prizren, mund të lexoni: KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button