Analizë: Konsultime publike pa përgjigje: Si institucionet në RMV po e humbin besimin e qytetarëve (II)
Pjesëmarrja e qytetarëve në konsultimet publike në Maqedoninë e Veriut nuk vjen për shkak të mungesës së interesit, por edhe sepse mënyra se si institucionet e zhvillojnë këtë proces shpesh i dekurajon ata që të përfshihen. Organizatat e shoqërisë civile, ekspertët dhe akademikët vlerësojnë se problemi qëndron te zbatimi formal i rregullave, mungesa e përgjigjeve të argumentuara dhe fakti se publiku rrallë mund të shohë nëse propozimet e tyre kanë ndikuar realisht në ligjet dhe politikat e miratuara. Nga ana tjetër, Ministria e Administratës Publike paralajmëroi rregulla të reja për konsultime më cilësore, shkruan Portalb.mk.
Në pjesën e parë të kësaj analize, të dhënat treguan se konsultimet publike në Maqedoninë e Veriut mbeten larg zbatimit të tyre të plotë sipas rregulloreve në fuqi. Në vitin 2025, mbi 60% e propozim-ligjeve nuk ishin të disponueshme për komentim publik, shifra ishte e përafërt edhe në vitin 2024. Edhe të dhënat e Indeksit të Hapjes për këtë vit nga Fondacioni Metamorfozis treguan se institucionet në përgjithësi janë më të prirura në publikimin e informacioneve bazë sesa në mekanizmat që duhet të mundësojnë llogaridhënie reale dhe pjesëmarrje të qytetarëve.
Sjellja e institucioneve e ul motivimin e qytetarëve për pjesëmarrje në konsultime publike
Pavarësisht ngecjeve dhe zvarritjeve nga ana e institucioneve, interesi i publikut për përdorimin e ENER-it dhe pjesëmarrjen në konsultime publike ekziston.
Nga Qendra e Maqedonisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN) thonë se vitin 2025 është shënuar rritje e numrit të komenteve në krahasim me vitet paraprake.
“Edhe pse numri i komenteve ndryshon nga viti në vit, trendi tregon se kur ekziston mundësia për përfshirje dhe kur temat janë relevante për publikun, qytetarët dhe organizatat janë të gatshëm të japin kontributin e tyre”, thanë nga QMBN.
Megjithatë, nga aty theksojnë se pjesëmarrja ende nuk është mjaftueshëm e gjerë dhe mund të lidhet me disa faktorë.
“Njëri prej tyre është promovimi i pamjaftueshëm i ENER-it dhe informimi i kufizuar i qytetarëve se ata kanë mundësi të ndikojnë në ligje që në fazën e përgatitjes së tyre. Për më tepër, për qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile është demotivuese kur institucionet rrallë japin përgjigje kthyese dhe kur nuk është e qartë nëse propozimet e tyre kanë ndikuar në tekstin përfundimtar të ligjeve”, theksojnë nga QMBN.
Prandaj, shtojnë ata, pjesëmarrja e ulët nuk duhet të shihet vetëm si mungesë interesi nga ana e qytetarëve, por edhe si rezultat i cilësisë së vetë procesit konsultativ dhe besimit se pjesëmarrja mund të prodhojë rezultat.
“Mungesa e pjesëmarrjes është sfidë e përbashkët, por analizat tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e përgjegjësisë bie mbi institucionet”, thanë nga QMBN.

Problem tjetër është se edhe kur publiku përfshihet, institucionet rrallë tregojnë se komentet janë shqyrtuar dhe marrë parasysh. Në vitin 2025, për 369 komente janë dhënë vetëm 111 përgjigje kthyese, dhe ato më së shpeshti kanë qenë përgjigje të përgjithshme se komentet do të shqyrtohen.
“Kjo praktikë e ul motivimin për pjesëmarrje në të ardhmen. Institucionet u përgjigjen komenteve në mënyrë shumë të kufizuar dhe kjo paraqet një problem të vazhdueshëm ndër vite. Ende, në shumicën e rasteve, mungon arsyetimi thelbësor nëse komenti është pranuar ose refuzuar dhe pse. Kjo tregon se problemi nuk qëndron vetëm te numri i përgjigjeve të publikuara, por edhe te cilësia e tyre”, thonë nga QMBN.
Problemi tjetër theksojnë nga aty, është mungesa e transparencës në ndjekjen e ndikimit të komenteve.
“Edhe pse ekzistojnë shembuj pozitivë ku institucionet kanë dhënë përgjigje më të detajuara, rrallë publikohen pasqyra të komenteve të pranuara dhe të papranuara, me arsyetim se si ato kanë ndikuar në tekstin përfundimtar”, thonë nga QMBN.
Kur institucionet nuk u përgjigjen komenteve ose nuk tregojnë se si ato kanë ndikuar në zgjidhjet ligjore, nga Qendra e Maqedonisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar theksojnë se qytetarëve u dërgohet mesazhi se pjesëmarrja e tyre nuk ka rëndësi reale.
“Kjo krijon mosbesim dhe ndjenjën se konsultimet janë vetëm një procedurë formale për përmbushjen e detyrimeve ligjore, dhe jo një mekanizëm i vërtetë për të ndikuar në politikat publike. Prandaj, sfida thelbësore për periudhën e ardhshme nuk është vetëm rritja e numrit të komenteve, por krijimi i besimit se komentet janë pjesë e procesit të hartimit të politikave dhe jo vetëm një shtesë për përmbushjen e procedurës”, theksuan nga aty.
Konsultime sa për ‘sy e faqe’
Që konsultimet publike të bëhen proces më efikas, nuk nevojiten ndryshime ligjore, por vullnet i sinqertë që gjatë procesit të hartimit të politikave dhe ligjeve, Vlerësimi i Ndikimit të Rregullativës të përdoret vërtetë. Kështu theksojnë nga Instituti për Demokraci ‘Societas Civilis’.
Sipas tyre, konsultimet publike janë të rëndësishme në dy raste:
- Kur qytetarët preken drejtpërdrejt, përkatësisht kur politika publike ka pasoja të drejtpërdrejta në jetën e tyre.
- Kur institucionet (pushteti qendror dhe ai lokal) duan të mësojnë se çfarë nevoja të reja u nevojitet qytetarëve.
“Megjithatë, te ne Vlerësimi i ndikimit të rregullativës shihet më shumë si proces formal dhe shpesh këta hapa përdoren vetëm në mënyrë provizore për ta çuar procesin deri në fund. Për më tepër, kohët e fundit vërehet një numër në rritje i ligjeve që miratohen drejtpërdrejt me propozim të deputetëve, me procedurë të shkurtuar, ku gjithashtu mungon proces i strukturuar mirë i konsultimeve”, thanë nga ‘Societas Civilis’.

‘Nuk mjafton vetëm ENER-i, konsultimet nuk duhet të jenë selektive’
Se çfarë e bën një konsultim publik të mirë dhe cilësor, biseduam me Konstantin Bitrakov, profesor i të drejtës administrative dhe administratës publike në Universitetin ‘Shën Kirili dhe Metodi’.
Ai thotë se konsultimet publike cilësore nënkuptojnë përfshirjen në kohë dhe thelbësore të publikut profesional, komunitetit shkencor, shoqatave të qytetarëve dhe të gjitha palëve të interesuara në përgjithësi (pas identifikimit paraprak të tyre), që në kohën kur shqyrtohen zgjidhjet e mundshme, dhe jo vetëm pasi teksti i një drafti të jetë praktikisht i përfunduar.
Për më tepër, ai sqaron se konsultimet publike cilësore nënkuptojnë edhe gatishmërinë për të ndërhyrë në draftin e një ligji pasi ai tashmë të jetë përfunduar, duke marrë parasysh sugjerimet e dhëna nga palët e interesuara.
“Prandaj, konsultimet publike nuk janë cilësore nëse palët e interesuara nuk kanë kohë të përgatiten, nëse qasja e palëve të interesuara është e kufizuar, si dhe nëse sugjerimet e tyre vetëm pranohen formalisht pa u shqyrtuar në thelb (ose pa u ditur se deri në çfarë mase janë shqyrtuar)”, tha Bitrakov.

Ai kujton se në nivel normativ, si shtet kemi rregulla solide. Është krijuar Regjistri i Vetëm Nacional i Rregulloreve (ENER), ekzistojnë rregulla në Rregulloren e Punës së Qeverisë, ekzistojnë Metodologjia për vlerësimin e ndikimit të rregullativës dhe Udhëzimi për mënyrën e veprimit në punën e ministrive në procesin e zbatimit të vlerësimit të ndikimit të rregullativës, ekziston Kodi për konsultime me publikun.
“Megjithatë, në praktikë jo rrallë shohim zbatim jo të qëndrueshëm të këtyre rregullave dhe anashkalimin e tyre. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se nuk ekzistojnë shembuj pozitivë, përkatësisht institucione që vërtet i zbatojnë konsultimet publike në mënyrë të qëndrueshme (gjë që tregon për një problem tjetër, se një faktor i madh në zbatimin e rregullave është drejtimi i institucioneve dhe personi drejtues), por në përgjithësi situata nuk është e kënaqshme”, tha Bitrakov.
Në këtë drejtim ai përmendi se në Raportin e monitorimit për vitin 2024, SIGMA na dha 37 nga 100 pikë të mundshme për funksionimin e konsultimeve gjatë zhvillimit të politikave.
“Prandaj, duhet të punohet shumë për përmirësimin e tyre. Vërejtje të veta jep edhe Komisioni Evropian (p.sh. raporti për vitin 2025), si dhe sektori civil (analizat për përdorimin e procedurave të shkurtuara për miratimin e ligjeve etj)”, tha profesori.
Se cilat janë mangësitë më të dukshme në lidhje me konsultimet publike, profesori përmendi katër pika:
- Në ENER publikohet vetëm drafti fillestar, i cili më vonë pëson ndryshime, por versioni i dytë nuk publikohet në ENER, kështu që nëse dhe në çfarë mase janë marrë parasysh vërejtjet e publikut, e shohim vetëm kur propozimi dërgohet në Kuvend dhe materiali publikohet në ueb-faqen e Kuvendit;
- Ndërsa në raste të caktuara përbërja e grupeve të punës që hartojnë draftet është e qartë, kemi shembuj kur nuk kemi asnjë pasqyrë se kush ka marrë pjesë në hartimin e ligjit (të shoqëruara me deklarata të funksionarëve se janë marrë parasysh shumë mendime, por nuk e dimë të kujt);
- Raportet për vlerësimin e ndikimit të rregullativës plotësohen vetëm formalisht, pa iu kushtuar vërtet vëmendje ndikimit të aktit të ardhshëm;
- Procedura e shkurtuar në Kuvend përdoret edhe kur në të vërtetë nuk ka bazë për të (për shembull, gjatë ndryshimeve serioze të ligjeve thuhet se ato janë ndryshime të vogla dhe se për këtë arsye përdoret procedura e shkurtuar).
Mes tjerash, profesori përmendi se Bashkimi Evropian i trajton konsultimet publike si themel të proceseve demokratike, ndërsa Komisioni Evropian vazhdimisht përpiqet t’i përmirësojë konsultimet publike në kuadër të nismës më të gjerë për rregullim më të mirë.
Ndërkaq në kontekstin e vendit tonë, ai thotë se në mënyrën se si zhvillohen konsultimet publike duhet ta shohim jo vetëm si çështje më vete, por edhe si tregues të gjendjes më të gjerë shoqërore.
“Ajo na tregon se sa është pushteti i gatshëm t’i dëgjojë qytetarët, sa seriozisht i merr parimet e qeverisjes së mirë dhe, në fund të fundit, sa është niveli i vetëdijes demokratike. Kështu, gjithçka që diskutuam më sipër na tregon se në Republikën e Maqedonisë së Veriut qeverisja e mirë ende është në masë të madhe një ideal dhe, për fat të keq, jo realitet”, tha Bitrakov.

Ai përfundoi se ekzistenca e ENER-it, rregullave dhe afateve nuk është e mjaftueshme, pasi është e nevojshme të kujdesemi që konsultimet të mos jenë selektive, të shkurtra dhe pa informim kthyes, si dhe që pjesëmarrja të mos reduktohet vetëm në mundësinë për të dërguar një koment.
“Pra, aspirata jonë për qeverisje të mirë nënkupton se nuk mjafton vetëm përputhshmëria formale me rregulloret (zbatimi i konsultimeve publike sepse kjo është e detyrueshme), por edhe përfshirja thelbësore e pikëpamjeve dhe përvojave të qytetarëve, komunitetit shkencor, sektorit civil etj. gjatë hartimit të rregulloreve”, përfundoi profesori.
Ministria e Administratës arsyetohet dhe premtoi konsultime publike më cilësore
Sa i përket përmbushjes dhe respektimit të procedurave, Ministria e Administratës Publike thekson se çdo institucion propozues është përgjegjës për zbatimin e procedurës për përgatitjen e rregulloreve dhe zbatimin e procesit të VNR-së, përfshirë edhe përmbushjen e detyrimeve që lidhen me konsultimet publike.
Më tej sqarojnë se në kuadër të kompetencave të saj, rregullisht i shqyrton raportet për VNR-në dhe përgatit opinione përmes të cilave vlerësohet përputhshmëria e procedurës me rregulloret që e rregullojnë këtë çështje, përfshirë edhe zbatimin e konsultimeve publike.
“Me qëllim të forcimit të mëtejshëm të transparencës, është krijuar mundësia teknike për publikimin e këtyre opinioneve në ENER, e cila pritet të vihet në funksion pas miratimit të paketës së re të akteve nënligjore për VNR-në”, thanë nga Ministria e Administratës.
Nga ministria theksojnë se “me aktet e reja për VNR-në, të cilat janë në fazë përgatitore, më tej forcohen kërkesat për dokumentimin e konsultimeve publike, me qëllim nxitjen e pjesëmarrjes më cilësore dhe më efektive të palëve të interesuara”.

Konsultimet publike janë pjesë përbërëse e procesit të VNR-së dhe nuk kufizohen vetëm në publikimin e propozim-rregulloreve në ENER.
Ekzistojnë edhe forma të tjera të përfshirjes së palëve të interesuara (grupe pune, debate publike, takime konsultative etj.), të cilat ministritë i përdorin gjatë përgatitjes së rregulloreve dhe dokumenteve të tjera. Të dhënat për përdorimin e tyre paraqiten në raportet vjetore që i përgatit Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë.
Ministria e Administratës sqaron se me aktet e reja nënligjore për VNR-në forcohen kërkesat për planifikim dhe zbatim në kohë të konsultimeve me palët e interesuara, dokumentim më cilësor dhe sigurim të informimit kthyes për rezultatet e konsultimeve, si dhe për transparencë më të madhe përmes publikimit të opinioneve të Ministrisë së Administratës Publike pas raporteve për VNR-në.
“Qëllimi është që konsultimet publike të përfaqësojnë pjesë thelbësore të procesit të përgatitjes së rregulloreve, përmes përfshirjes në kohë të palëve të interesuara dhe marrjes së vendimeve më cilësore, të bazuara në analiza dhe propozime të argumentuara”, theksuan nga Ministria e Administratës.
Por të pyetur për detaje rreth kësaj teme, nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske. Kujtojmë se së fundmi Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë të Maqedonisë (SPGM) reagoi se po shfaqet praktikë në të cilën Qeveria sistematikisht refuzon t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve dhe kufizon qasjen në informacione me interes publik.
- Lexo pjesën e parë të storjes: Analizë: Konsultime publike pa ndikim, si institucionet e RMV-së e trajtojnë pjesëmarrjen e qytetarëve si formalitet (I)
Projekti “Shfrytëzimi i teknologjisë për promovimin e përgjegjshmërisë dhe transparencës institucionale“ zbatohet nga Qendra për Tranzicion Demokratik (Mali i Zi), në partneritet me Fondacionin për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis”, Shoqatën Qytetare „Pse jo?“ (Bosnjë dhe Hercegovinë) dhe Partnerët për Ndryshime Demokratike – Serbi (Serbi), me mbështetje financiare nga Fondi Kombëtar për Demokraci (NED).