Kur do të jetë gati rruga Tetovë-Prizren?

Ndërtimi i rrugës magjistrale Tetovë-Prizren vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes dhe takimeve të ndryshme që realizohen në nivele qendrore dhe lokale të autoriteteve të Maqedonisë dhe Kosovës. 

Sipas informatave të deritanishme, projekti studimor ende nuk është përfunduar nga ana e Maqedonisë, kurse ka filluar edhe nga pjesa e Kosovës. Pas përfundimit të studimit do të dilet me të dhëna konkrete se sa kushton ky projekt vital për Maqedoninë Perëndimore dhe për pjesën e Kosovës. 

Ky projekt është iniciuar nga autoritetet e Maqedonisë, ndërsa është kërkesë e kamotshme e banorëve të Tetovës dhe fshatrave të Malësisë së Sharrit. 

“Projekti studimor ende nuk është përfunduar. Pasi i njëjti të përfundojë atëherë do të shohim se si do të veprojmë për të gjetur mënyra që ai të fillojë dhe të realizohet në praktikë. Por presim se si do të jenë rezultatet nga ky studim”, tha Muhamet Hoxha, zëdhënës i qeverisë së Maqedonisë.

Ndërtimi i kësaj rruge është prioritet edhe për kryetaren aktuale Teuta Arifi.

Pas një takimi me asociacionin e kryetarëve të komunave të Kosovës, ajo ka nënvizuar se komuna që drejton ajo, me të gjitha forcat do të lobojë që ky projekt të përfundojë. 

“Ajo që mund të them është se ky projekt në anën tonë është në fazën e studimit të fizibilitetit. Normal që parashikimet janë që çmimet e këtij projekti janë tejet serioze. Si do që të jetë për ne është një prioritet i madh si Komunë e Tetovës dhe gjithçka që mundemi si komunë në lobimin për përfundimin me sukses të projektit, në lobimin për tërheqjen e mjeteve, po edhe ndërkombëtare për realizimin e këtij projekti, gjithsesi ne do të angazhohemi maksimalisht”, u shpreh  Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.

Ndërtimin e kësaj rruge kohë më parë është ka kërkuar edhe Oda ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore. Sipas tyre, problem i vetëm mund të jetë mirëmbajta e rrugës gjatë stinës së dimrit sepse dihet se kjo rrugë kalon në malin Sharr. 

Aksi i deritanishëm për të njëjtin relacion është rreth 90 kilometra, prej të cilave 30 kilometra  në territorin e Maqedonisë. Studimi duhet të tregojë të gjitha detajet, përfshirë edhe numrin e automjeteve që do të qarkullojnë  dhe të tregohet leverdia e rrugës. Në bazë të përllogaritjeve që janë bërë më herët vlerësohet se ky projekt  kushton  rreth 40 milionë euro, duke përfshirë edhe ndërtimin e dy tuneleve. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button