Rruga Tetovë – Prizren, premtime dhe deklarata, nuk dihet sa do të kushtojë e as kur do të fillojnë punët

“Siç thuhet Prizreni dhe Tetova lart në qiell kanë qenë një qytet, por kur kanë rënë në tokë malet e Sharrit i kanë bërë dy e tash ne duhet t’i lidhim ato”, kështu ka deklaruar tanimë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili gjatë fushatës zgjedhore në shkurt të këtij viti, theksoi se do të fillojnë përgatitjet për projektin e lidhjes së Prizrenit me Tetovën me tunel, shkruan Portalb.mk. Megjithatë, kanë kaluar tre muaj që nga formimi i qeverisë së re në Kosovë dhe gati një vit nga qeveria e Maqedonisë së Veriut, por ende nuk ka asnjë afat të përcaktuar se kur do të mundet të udhëtohet në rrugën e paralajmëruar vite me radhë, Tetovë – Prizren. 

Rruga Tetovë - Prizren mbetet premtim në letër
Rruga Tetovë – Prizren

Nuk ka kurrfarë detajesh se në cilën periudhë kohore mund të fillojë ndërtimi i kësaj rruge me rëndësi të madhe ekonomike, kur do të mbarojë, apo sa do të kushtojë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut për Portalb.mk, njofton se detaje do të ketë pasi që të hartohet plani ideor, ndërkaq këtë vit pritet që të zgjedhet operatori ekonomik i cili do ta hartojnë planin ideor.

“Në programin qeveritar dhe vjetor të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore (NPRSH), por edhe në Planin për Furnizime Publike të NPRSH-së është parashikuar që këtë vit të zgjedhet operatori ekonomik për hartimin e projektit ideor për ndërtimin e rrugës Tetovë – Prizren. Përndryshe, NPRSH disponon me studim fizibiliteti të punuar në vitin 2013-të e cila ka të bëjë në lidhje me këtë projekt. Do të dëshironim të njoftojmë se deri në këtë moment me Republikën e Kosovës nuk kemi definuar pikë të përbashkët kufitare për trasenë e ardhshme, që është një moment për të cilin duhet të merren vesh të dy shtetet. NPRSH është në kontakt me Qeverinë e Kosovës e cila është e njoftuar për ekzistimin e studimit të fizibilitetit dhe presim harmonizim të qëndrimeve dhe nënshkrim të dokumentit të ardhshëm të mundshëm për bashkëpunim. Detajet në lidhje me projektin do të munden të dihet pasi të përgatitet projekti ideor”, thonë për Portalb.mk, nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Portalb.mk, ka tentuar disa herë të kontaktojë me Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nëpërmjet e-mailave publik të tyre, megjithatë nuk kemi marrë përgjigje.

25 maj 2021, ministri i Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu ka pritur në takim ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë, Shpresa Jusufi, si dhe drejtorin e ndërmarrjes publike “Rrugët Shtetërore”, Ejup Rrustemi në të cilin takim është diskutuar për krijimin e marrëveshjeve të përbashkëta në mes të dy qeverive në fushën e infrastrukturës, veçanërisht për investimin e përbashkët të ndërtimit të autostradës Prizren – Tetovë.

“Lidhjet e rëndësishme infrastrukturore mes të dy vendeve tona, përkatësisht autostrada Prizren – Tetovë dhe autostrada Shkup – Bllacë, përveç se shkurtojnë ndjeshëm rrugën mes qyteteve tona, i shtojnë edhe mundësitë ekonomike për to dhe krijojnë potenciale të mëdha turistike për të dyja vendet. Në fund, u dakorduam që të intensifikojmë takimet për arritjen e qëllimit të përbashkët që e kemi”, ka shkruar Aliu.

Kryetari i Komunës së Prizrenit thotë se ka informata se janë disa projekte ideore për rrugën Prizren – Tetovë, por nuk ka informata për koston.

“Projekti i rrugës Prizren – Tetovë ka qenë një ndër prioritet tona që nga fillimi i mandatit, ku edhe në zgjedhjet e kaluara kemi kërkuar që të jetë në programin qeverisës së Lëvizjes Vetëvendosje. Ndërkaq jemi shumë të kënaqur që ky projekt tanimë është pjesë e programit qeveritar. Lidhur me projektin e rrugës Prizren – Tetovë kam informacione se janë disa projekte ideore, por për koston nuk kam informacione. Ky projekt është shumë i rëndësishëm për vendin tonë, ngase mundëson lidhjen e Kosovës me Tetovën, Gostivarin dhe Shkupin, që do të rezultojë me hapjen e mundësive ekonomike për të dy shtetet, e në radhë të parë për Prizrenin”, thotë për Portalb.mk, kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka.

17 qershor 2021, zëvendëskryeministri i Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës, Hysen Durmishi, gjatë një vizite në Komunën e Prizrenit ka deklaruar se ka përparime në projektin e rrugës Prizren – Tetovë.

“E njoftova kryetarin për punimet në rrugën Prizren – Prevallë dhe përparimet për projektin shumë të rëndësishëm të rrugës Prizren – Tetovë. Gjithashtu kryetari Haskuka më informoi për studimin e fizibilitetit që po bëhet për tunelin me gjatësi 1.2 km si bajpas nga rruga për Prevallë, në drejtim të kazermës ushtarake që do e shkarkonte qytetin nga automjetet që vijnë nga Prevalla e në të ardhmen edhe nga Tetova. Ky është një lajm shumë i mirë për ne sepse do të eliminohet fyti i ngushtë në hyrje të qytetit të Prizrenit”, shkruan Durmishi.

Afate dhe detaje në lidhje me këtë projekt nuk ka as në dy programet qeveritare të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Gjegjësisht në programin qeveritar të Kosovës thuhet se do të ndërtohet rruga kufitare Prizren-Tetovë, ndërkaq në programin qeveritar të Maqedonisë së Veriut thuhet se do të analizohet me palën kosovare se cila është zgjidhja e arsyeshme ekonomike.

Gjithashtu, në programin parazgjedhor të BDI-së për zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, në pjesën “Transport” (faqe 3), është dhënë premtim për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren.

Ndryshe, ekspertët kanë dhënë tre variante për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren. Rruga me gjasë duhet të jetë rreth 60 kilometra.

“Një nga variantet është me tunel më të gjatë me gjashtë kilometra e 400 metra, një variant është me një tunel prej 3 kilometra dhe varianti i tretë është 1700 metra tunel. Të tre variantet dallojnë njëri prej tjetrit. Varianti me tunel më të gjatë nënkupton që tuneli të jetë në 1500 metra lartësi mbidetare dhe është paraparë të jetë mes dy fshatrave Bozovcë dhe Veshallë, variant i dytë është 3200 metra tunel, në lartësi mbidetare prej 1500 metra po ashtu i paraparë mes dy fshatrave Bozovcë dhe Veshallë. Varianti i tretë që është në një gjatësi prej 1800 metrave tunel gjithashtu i paraparë mbi fshatin Veshallë por që është në një lartësi mbidetare prej 1800 metrave. Sipas ekspertëve variant më i mirë me kosto më të ulët është variant me tunel në gjatësi prej 3200 metrave”, ka deklaruar më 17 janar të vitit 2020, ministri pa resor i caktuar për çështjen e investimeve vendore, Isen Xhemaili.

Përndryshe, nga Tetova deri në Prizren udhëtojmë 162 kilometra, ndërsa nga Tetova deri në Tiranë duhet të kalojmë 380 kilometra, ndërsa këtë mund ta bëjmë për 190 kilometra nëse do të ndërtohej kjo rrugë.

Sa i takon rrugës Tetovë – Prizren, për këtë në “Bombën 38” të publikuar në mesin e qershorit të 2015-s, ish-zëvendësi i ministrit të Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë Tahir Hani nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim u dëgjua duke kërkuar nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti që të intervenojë te ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski nga radhët e VMRO-DPMNE-së i cili nuk kishte dashur të dëgjojë për përgatitjen e fizibilit studimit, premtim parazgjedhor i vetë Ahmetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button