Përralla e besimit prej 2% dhe pasojat e rënda të këtyre spekulimeve
Gjatë një projekti që po zhvillohej në Këshillin Gjyqësor, në periudhën kur po qarkullonte me të madhe spekulimi se “besimi te gjyqësori është vetëm 10%”, një ekspert i huaj ndërkombëtar me të cilin po bashkëpunonim, u ndal dhe më tha: “S’ka asnjë shans të jetë kështu! A e di çfarë do të thotë besim prej 10%? Do të thotë të vrasësh njeriun në mes të rrugës, ta futësh pistoletën në bel e të shkosh në shtëpi rehat sepse e di që s’ka shtet e gjyq. Kjo është 10%.”
Fatmirësisht, deri në këtë gjendje anarkie absolute nuk kemi ardhur akoma. Por pyetja që duhet shtruar sot është: po të ishte vërtet 2%, siç po trumbetohet me të madhe te ne, si do të dukej kjo shoqëri?
Narrativa se besimi publik te sistemi i drejtësisë është reduktuar në 2%, çuditërisht është bërë refren i preferuar edhe i pushtetarëve. Mirëpo, përveç se mungojnë matje serioze dhe të besueshme, në anketat e përflitura (si ato të IRI-t) matet besimi absolut. Ajo që pushteti e fsheh me kujdes është se në të njëjtat anketa, besimi absolut te Qeveria, Parlamenti apo mediat sillet pothuajse në të njëjtat nivele minimale.
Nëse do ta mernim shifrën prej 2% si të vërtetë absolute juridike, i bie që nga 100 lëndë të zgjidhura në gjykata, vetëm 2 janë të zgjidhura drejt, kurse 98 të tjerat janë produkt korrupsioni apo pazaresh. Ky është nënçmimi më i madh institucional që mund t’u bëhet atyre gjyqtarëve e prokurorëve të ndershëm që çdo ditë bartin me përgjegjësi barrën e një sistemi të tërë.
Besimi i qytetarëve nuk ka rënë në mënyrë abstrakte apo rastësore. Ai ka rënë pikërisht sepse pushtetarët kanë vendosur gishtin dhe duart e tyre të gjata brenda sistemit të drejtësisë.
Qytetarët nuk janë të verbër. Ata shohin vazhdimisht se si përfundojnë lëndët gjyqësore aty ku cenohet direkt interesat e pushtetit apo e njerëzve të veshur me pushtet politik e ekonomik. Amnistimet e heshtura, ndryshimet ligjore, stërzgjatja e lëndëve deri në parashkrim (vjetërsim) kur akuzohen eksponentë të lartë, janë shkaku real pse qytetari ndihet i tradhtuar.
Në vend që ekzekutivi të largojë dorën nga drejtësia, ai e përdor sulmin ndaj saj si “fajtor kujdestar” për të arsyetuar dështimet e veta. Kurdo që rritet pakënaqësia sociale apo dështon një reformë, gishtat tregojnë kah pallatet e drejtësisë, duke e mbajtur gjyqësorin nën presion të vazhdueshëm publik e politik.
Prapa betejave politike fshihet një realitet ku pushteti i tretë është lënë qëllimisht në buzë të humnerës. Gjykatave, prokurorive dhe avokatisë së shtetit sot u mungojnë me qindra profesionistë, ndërsa vakuumi thellohet çdo ditë e më shumë nga bllokimi i punësimeve të reja për staf mbështetës profesional e teknik. Në vend që të përqedrohen te dhënia e drejtësisë, gjyqtarët mbyten me punë rëndomtë administrative për shkak të mungesës së bashkëpunëtorëve e daktilografëve. Kjo krizë kuadresh ushqehet edhe nga vetë Akademia për Gjyqtarë dhe Prokurorë, e cila me vite dështon të hapë konkurse me kohë, duke pamundësuar ripërtëritjen e domosdoshme të gjeneratave. E gjithë kjo pasqyrohet te bllokimi i ndyshimeve ligjore nëpër labirinthet e dy pushteteve paraprake si dhe te cungimi kronik buxhetor që veç tanimë është bërë më se e qartë se ligji përcakton qartë që buxheti për gjyqësorin duhet të jetë 0.8% nga BPV-ja, ekzekutivi në praktikë kurrë nuk ia ndan as gjysmën e kësaj shume të garantuar.
Kjo lojë politike me terma si “2%” mbart pasoja shkatërruese afatgjata për të gjithë shoqërinë. Kur qytetari bindet se drejtësia ekziston vetëm në dy nga njëqind raste, ai gradualisht braktis rrugët institucionale, duke hapur shtegun drejt anarkisë dhe vetëgjyqësisë. Njëkohësisht, stigmatizimi publik i këtij sektori bën që juristët më të mirë dhe të rinjtë me talent të ikin nga sistemi gjyqësor për të shmangur linçimin mediatik. Pasojat shtrihen edhe në ekonominë e vendit, sepse asnjë investitor i huaj apo vendor nuk pranon të rrezikojë kapitalin e tij në një shtet ku vetë krerët e ekzekutivit deklarojnë publikisht se gjyqësori nuk ekziston.
Nëse dëshirojmë reformë reale e jo spektakël me shifra statistikore, rruga e vetme përpara kërkon veprime urgjente. Së pari, pushteti ekzekutiv duhet të heqë dorë nga ndërhyrjet direkte dhe gjuha denigruese ndaj gjyqësorit, duke respektuar ndarjen e pushteteve. Paralelisht me këtë, duhet të ndahet menjëherë buxheti i plotë prej 0.8% të BPV-së i paraparë me ligj, sepse pavarësia financiare është parakusht i padiskutueshëm për pavarësi funksionale. Në nivel operacional, kërkohet hapja e menjëhershme e konkurseve për staf mbështetës dhe zhbllokimi i plotë i Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë dhe dhënie të statusit të dinjitetshëm të këtij institucioni vital në sistemin tonë. Më e rëndësishmja, gjyqësori duhet të lihet i lirë të pastrojë radhët e veta nga gjyqtarët e korruptuar përmes Këshillit Gjyqësor dhe mekanizmave të brendshëm të llogaridhënies, pa asnjë diktat politik.
Përralla e 2 përqindëshit duhet të marrë fund, sepse nuk ka shansa reale të jetë e tillë. Po edhe sikur të ishte, do të ishin udhëheqësit e institucioneve ata që në rend të parë, duhet të turpërohen që e udhëheqin një shtet ku besimi në institucione ka rënë në këtë nivel. Ndryshimi i perceptimit publik për drejtësinë nuk bëhet duke demoralizuar e shkatërruar bazamentin e saj, por duke i dhënë mjetet, stafin dhe pavarësinë e nevojshme për të funksionuar si pushtet i barabartë shtetëror.
Shkruan:
Milazim Mustafa