RMV, shtatori po ikën pa libra për klasat e gjashta, fillimi i tetorit premtohet si datë e re

Shtatori po përfundon, ndërsa shumë nxënës ende nuk i kanë marrë librat shkollor. Në vend që sot Ministria e Arsimit të njoftojë në mënyrë të qartë planin për dorëzimin e teksteve nga reforma e re, ashtu sikurse paralajmëroi dje, ky institucion kumtesën e ka nisur me lëvdata për avancimin e sigurimit të teksteve shkollore. Tek në paragrafin e tretë njofton dhe arsyetohet për shpërndarjen/mosshpërndarjen e librave, shkruan Portalb.mk.

“Njoftojmë se tekstet shkollore nga klasa e parë deri në të pestën, për të cilat Ministria e Arsimit zotëron të drejtat e autorit, këtë vit janë shtypur dhe dorëzuar plotësisht nëpër shkolla, si dhe tekstet nga klasa e shtatë deri në të nëntën, të cilat nga ana tjetër, janë në pronësi të shtëpive botuese. Për klasën e gjashtë janë miratuar tekstet e shkencave natyrore, të gjuhës maqedonase dhe shqipe, shpërndarja e të cilave do të përfundojë gjatë javës së ardhshme. Është miratuar edhe teksti i matematikës dhe pas përfundimit të procedurave ankimuese do të mundësohet printimi dhe dorëzimi i tij”, njoftojnë nga Ministria.

Sipas MASh-it, mbi 98% e tyre tashmë janë shpërndarë.

Nga Njësia e Arsimit në Komunën e Tetovës thonë se gjithsej mungojnë mbi 45 mijë libra në shkollat fillore dhe të mesme. “Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) duhet të ndjehet e turpëruar për mënyrën e saj të dështuar për të siguruar librat shkollorë të premtuar për nxënësit e Tetovës. Situata e mungesës së teksteve shkollore në këtë komunë është një pasqyrë e qartë e mangësisë së kujdesit dhe përgjegjësisë së kësaj ministrie ndaj arsimit dhe të ardhmes së brezave të rinj”.

Për mungesën e librave, para dy ditësh nxënësit e Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” protestuan, megjithatë edhe pse njoftuan se protesta do të vijonte edhe ditët në vijim, ajo u ndërpre dje.

Konfirmimi se nxënësit e klasave të treta dhe të gjashta nuk do të marrin tekste të reja sipas Konceptit të ri për arsimin fillor, erdhi në fund të gushtit nga përgjegjës të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Ministri Shaqiri ka premtuar se vonesa nuk do të jetë si vitin e kaluar shkollor e cila, siç tha, “nuk ka qenë i lehtë” sepse ka pasur programe të reja mësimor për katër klasa. Ky do të jetë vit ndryshe shkollor për shkak se MASH-i, theksoi Shaqiri, po përgatitet nga fillimi i këtij viti kalendarik.

Ndryshe, fëmijët e klasave të para, të dyta, të katërta dhe të pesta, materialet mësimore të të cilëve ndryshoheshin, nuk kishin libra vitin e kaluar shkollor. Në vend të librave, Ministria e Arsimit, së bashku me Byronë për zhvillimin e arsimit,  edhe atëherë përgatitën materiale për të ruajtur vazhdimësinë e teksteve.

Për disa klasa vonesa e teksteve vitin e kaluar zgjati deri në gjysmëvjetorin e dytë.