Padi për Ministrinë e Arsimit të RMV-së pasi nuk i ka siguruar librat për të gjithë nxënësit

Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi (KPMD) në seancën e sotme ka miratuar vendim që të dorëzojë padi për mbrojtje nga diskriminimi me interes publik kundër Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës pasi që mungojnë libra në shkollat fillore, njofton Portalb.mk.

“MASh e shkel të drejtën e qasjes së njëjtë deri te arsim cilësor ndaj një grupi të madh të nxënësve nga arsimi fillor, duke kryer me mosfurnizimin e librave për çdo lëndë dhe në të gjitha gjuhët në të cilën mbahet mësimi në arsimimin e obliguar nëntëvjeçar”, thonë nga KPMD.

Se MASH përballet me padi, paralajmëroi edhe dje në konferencë për shtyp Vesna Bendevska, anëtare e KPMD-së. Ajo tha se nga 126 libra të nevojshëm për të gjitha lëndët obligative dhe zgjedhore në arsimin fillor, në fillim të vitit shkollor 2023/2024 Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka siguruar 43, gjegjësisht 34%, që është një e treta e librave.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka reaguar në lidhje me padinë e paralajmëruar për mungesën e librave shkollor. Nga kjo Ministri thonë se përgatitja e teksteve shkollore është proces i  ndërlikuar i cili varet nga shumë faktorë, të pavarur nga ndikimi sistemik.

“Në pajtueshmëri me aktet ligjore dhe nënligjore, me kohë kanë filluar dhe janë realizuar  aktivitetet në kompetencën tonë për përgatitjen e teksteve shkollore, të harmonizuar me programin mësimore të vlefshëm. Ministria nuk ka mekanizma ligjore për të ndikuar në raportimin e thirrjeve për ekipe të autorëve dhe thirrjeve për recensues për tekst të ri shkollor në një lëndë të caktuar. Ndërsa çdo thirrje e pasuksesshme sjell përsëritjen e saj, afate të reja dhe zgjatje të procedurës. Në ndërkohë, ndodh që të nevojiten korrigjime  të domosdoshme në tekstet shkollore të propozuara, gjë që sjell edhe zgjatjen e procesit. Pas shqyrtimit nga ana e  recensentëve, deri në miratimin përfundimtar të  tekstit shkollor duhet të kalojë filtrin  prej 17 anëtarësh të Komisionit Nacional të Teksteve  Shkollore”, thuhet në reagimin e MASh-it.

Konfirmimi se nxënësit e klasave të treta dhe të gjashta nuk do të marrin tekste të reja sipas Konceptit të ri për arsimin fillor, erdhi në fund të gushtit nga përgjegjës të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Ministri Shaqiri ka premtuar se vonesa nuk do të jetë si vitin e kaluar shkollor e cila, siç tha, “nuk ka qenë i lehtë” sepse ka pasur programe të reja mësimor për katër klasa. Ky do të jetë vit ndryshe shkollor për shkak se MASH-i, theksoi Shaqiri, po përgatitet nga fillimi i këtij viti kalendarik.

Ndryshe, fëmijët e klasave të para, të dyta, të katërta dhe të pesta, materialet mësimore të të cilëve ndryshoheshin, nuk kishin libra vitin e kaluar shkollor. Në vend të librave, Ministria e Arsimit, së bashku me Byronë për zhvillimin e arsimit,  edhe atëherë përgatitën materiale për të ruajtur vazhdimësinë e teksteve.

Për disa klasa vonesa e teksteve vitin e kaluar zgjati deri në gjysmëvjetorin e dytë.