Nxënësit e Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë sot e ndërprenë protestën për mungesën e librave
Ndonëse ishte paralajmëruar se edhe sot do të ketë protestë për mungesën e librave nga nxënësit e vitit të dytë të Gjimnazit të Tetovës “Kiril Pejçinoviq”, e njëjta nuk u mbajt. Nxënësit thanë se kanë qenë në takim me drejtoreshën e cila ju ka thënë se çfarë nuk duhet të bëjnë. Ndërkaq drejtoresha thotë se në takim ka biseduar për këtë problem por mohoi të u ketë thënë që mos të dalin në protestë, shkruan Portalb.mk.
Nxënësit e Gjimnazit sot nuk ishin të sigurtë nëse do të vazhdonin protestën e filluar dje apo jo dhe e cila ishte paralajmëruar se do të vazhdonte edhe sot.
Sot gjatë dy orëve të para të mëngjesit qëndruam përpara Gjimnazit, por nxënësit nuk dolën në protestë.
Gjatë kësaj periudhe dikush nga shkolla na njoftoi se drejtoresha i ka futur brenda nxënësit dhe nuk i ka lënë të dalin.
Mbaruan dy orët e para dhe nxënësit dolën në pushimin e gjatë.
Një nxënës na tha se kanë qenë në takim me drejtoreshën dhe ajo u ka thënë se kanë libra, por që nxënësi tha se nuk kanë.
Një nxënëse tjetër tha se në takim me drejtoreshën u është thënë se çka nuk duhet të bëjnë, duke nënkuptuar që mos të dalin në protestë dhe bojkot, kështu duke u sqaruar situatën e furnizimit me libra.
Nga ana tjetër, drejtoresha e gjimnazit Teuta Llalla në një bisedë gjatë kohës që qëndruam aty na tha se i kishte ftuar përfaqësuesit e klasave për bisedime, por mohoi të u ketë thënë mos të dalin në protestë. Lalla theksoi se janë në fazën e furnizimit të nxënësve me libra, ku pranojnë libra për çdo ditë si dhe problemi është zbutur dukshëm këto ditë. Ajo nënvizoi se mungon një përqindje e vogël apo 5-6% e librave që të kompletohen të gjithë nxënësit me libra. Sipas saj shumë shpejtë nuk do të mbetet nxënës pa libër, zgjidhja e problemit sipas saj është çështje ditësh.
Por nxënësit vijojnë të ankohen se kanë mungesë të librave.
Në ndërkohë gjatë kohës kur po qëndronim para shkollës erdhi një makinë e cila solli disa libra, të cilët u bartën te pjesa e bibliotekës së shkollës.
Për këtë problem kërkuam qëndrim nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh), konkretisht kur përfundimisht nxënësit do të furnizohen me të gjitha librat, si dhe pse Ministria me vite nuk po e zgjidh problemin me mungesën e librave. Por deri në publikimin e këtij lajmi përgjigje nga MASh nuk morëm.
Gjimnazi “Kirili Pejçinoviq” nuk është shkolla e vetme që ka mungesë të librave. Nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës për Portalb.mk njoftuan se në shkollat fillore të Komunës së Tetovës mungojnë mbi 35 mijë tekste shkollore ndërsa në shkollat e mesme mbi 10 mijë tekste shkollore.
Sipas ministrit Jeton Shaqiri, për dallim nga viti i kaluar shkollor, tani tekstet shpërndahen çdo ditë dhe pret që të gjitha tekstet të dorëzohen deri në fund të shtatorit.