Në shkollat e Tetovës mungojnë mbi 45.000 libra, reaguan nga komuna (Video)

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) duhet të ndjehet e turpëruar për mënyrën e saj të dështuar për të siguruar librat shkollorë të premtuar për nxënësit e Tetovës. Situata e mungesës së teksteve shkollore në këtë komunë është një pasqyrë e qartë e mangësisë së kujdesit dhe përgjegjësisë së kësaj ministrie ndaj arsimit dhe të ardhmes së brezave të rinj. Kështu kanë reaguar sot nga Njësia e Arsimit në Komunën e Tetovës për mungesën e librave në këtë komunë, ku gjithsej sipas tyre mungojnë mbi 45 mijë libra në shkollat fillore dhe të mesme. Ndërkaq MASH arsyetohet se librat shpërndahen në faza, por nuk tregon se kur konkretisht ky problem do të zgjidhet, shkruan Portalb.mk.

Nga Njësia e Arsimit në Tetovë theksojnë se përgjegjëse për mungesën e librave është Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e cila ka në krye të saj dy shqiptarë, ministri dhe zëvendësministri.

“Në shkollat e Tetovës mungojnë mbi 45 mijë libra dhe situata po bëhet gjithnjë e më e rëndë. Nxënësit po përballen me vështirësi të pashembullta për të mësuar dhe zhvilluar aftësitë e tyre themelore, ndërsa MASH duket se është në një gjendje të përgjumur. Kjo mungesë e theksuar e teksteve shkollore është një dështim i qartë i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të përmbushur premtimet e tyre ndaj arsimit. Nxënësit janë të deprivuar nga një burim mësimor themelor, duke u detyruar të mbështeten në shënime me dorë dhe materiale të kufizuara”, tha Nazmi Dauti, udhëheqës i Sektorit për Veprimtari Publike në Komunën e Tetovës.

Nga aty theksojnë se kjo nuk paraqet vetëm dështim ndaj nxënësve të Tetovës, por paraqet dështim të plotë ndaj të ardhmes së Maqedonisë së Veriut.

Në Komunën e Tetovës sipas Sektorit të Arsimit,  shkollat fillore mungojnë mbi 35 mijë tekste shkollore ndërsa në shkollat e mesme mbi 10 mijë tekste shkollore.

“MASH duhet të marrë përgjegjësi për këtë dështim të madh dhe të ndërhyjë menjëherë për të siguruar librat e nevojshëm shkollore për nxënësit e Tetovës. Komuna e Tetovës është e vendosur që të mbrojë të drejtën e nxënësve për arsim cilësor dhe do të vazhdojë të bëjë thirrje për ndihmë dhe përkrahje nga donatorët dhe instancat tjera qeveritare dhe ndërkombëtare”, tha Dauti.

Nga aty kërkuan që MASH-i t’i përgjigjet thirrjes së tyre dhe të japë shpjegim të qartë se përse ky problem është lejuar të zgjasë kaq gjatë.

Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit dhe Shkencës për Portalb.mk u arsyetua se librat shpërndahen në faza. Por nuk tregojnë se kur konkretisht ky problem do të zgjidhet në tërësi dhe të gjithë nxënësit të kenë libra.

“Pas më shumë se një dekade, nxënësit e shkollave të mesme marrin tekste shkollore të reja në një numër të madh të lëndëve. Megjithatë, vetëm për në një periudhë 1 vjeçare, Komisioni Kombëtar i Teksteve Shkollore miratoi mbi 150 tekste shkollore për arsimin e mesëm, me fokus të veçantë në atë profesional, dhe të njëjtat tekste shkollore janë duke u shtypur dhe dorëzuar në faza”, thanë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Për mungesën e librave, para dy ditësh nxënësit e Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” protestuan, megjithatë edhe pse njoftuan se protesta do të vijonte edhe ditët në vijim, ajo u ndërpre dje.

Ministria e Arsimit për Portalb.mk njoftoi se sot ka përfunduar dorëzimi i teksteve shkollore në këtë shkollë, në pajtueshmëri me nevojat e shprehura të së njëjtës.

Ndryshe, sipas ministrit Jeton Shaqiri, për dallim nga viti i kaluar shkollor, tani tekstet shpërndahen çdo ditë dhe pret që të gjitha tekstet të dorëzohen deri në fund të shtatorit.