RMV, është e paqartë nëse nxënësit e klasës së gjashtë do t’i marrin librat deri në fund të shtatorit

Nxënësit e klasës së gjashtë e nisën këtë vit shkollor pa tekste, pasi me Konceptin e ri në Arsim ndryshon planprogrami, ndaj nevojiten tekste të reja. Edhe pse ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri ka premtuar se tekstet do të jenë në dispozicion deri në fund të shtatorit, fundi është pothuajse afër dhe procedura për shtypjen e teksteve nuk ka filluar, transmeton Portalb.mk.

Sloboden Peçat” i ka dërguar pyetje Ministrisë së Arsimit për ecurinë e procedurës për tekstet për klasën e gjashtë dhe nga atje janë përgjigjur se tekstet e gjuhës shqipe dhe të shkencave natyrore janë miratuar.

“Është miratuar teksti i Matematikës, por procedura e ankimimit është në vazhdim, ndërsa tekstet në maqedonisht dhe turqisht janë në proces miratimi. Një ekip autorësh po formohet për Historinë dhe Shoqërinë. Në faqen e internetit për tekstet elektronike, i vetmi tekst shkollor i disponueshëm për nxënësit e klasës së gjashtë është teksti Gjuha dhe kultura e boshnjakëve, i cili është lëndë zgjedhore dhe teksti i gjuhës shqipe është gjithashtu në versionin PDF si lëndë zgjedhore”, thuhet në përgjigjen e MASh-it.

Nxënësit e klasës së gjashtë pajisen me materiale ndihmëse në pritje të teksteve të tyre. Këto materiale prodhohen nga Byroja e Zhvillimit të Arsimit dhe janë të disponueshme vetëm në formë elektronike në faqen e internetit të Byrosë.

Në fillim të shtatorit, Komisioni për Mbrojtjen nga Diskriminimi konstatoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk e respektoi afatin ligjor për sigurimin e teksteve shkollore.

KMD analizoi situatën dhe konstatoi se nga gjithsej 126 tekste shkollore që nevojiten për të gjitha lëndët zgjedhore të obligueshme në arsimin fillor nëntëvjeçar, në fillim të këtij viti shkollor Ministria e Arsimit nuk ka siguruar 43 tekste, gjegjësisht mungojnë 34 për qind e teksteve shkollore. Me këtë Ministria e Arsimit nuk e ka përmbushur obligimin ligjor që para fillimit të vitit të ri shkollor të sigurojë tekste shkollore për të gjitha lëndët në të gjitha gjuhët që mësohen në arsimin fillor.

Në seancë, Komisioni ka marrë vendim për ngritjen e padisë për mbrojtje nga diskriminimi në interes të publikut ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për shkak të mungesës së teksteve në arsimin fillor.

Ky është rasti i parë në të cilin KMD ka kërkuar mbrojtje gjyqësore si mbrojtja më e lartë kundër diskriminimit.

Nga ana tjetër, MASH thotë se prodhimi i teksteve është një proces kompleks dhe varet nga disa faktorë, pavarësisht nga ndikimi sistemik.

Ministria sqaron se nuk kanë mekanizma ligjorë me të cilët mund të ndikojnë në regjistrimin e thirrjeve për ekipet e autorëve dhe thirrjet për recensues për një tekst të ri shkollor për një lëndë të caktuar.

Sipas ministrit Jeton Shaqiri, për dallim nga viti i kaluar shkollor, tani tekstet shpërndahen çdo ditë dhe pret që të gjitha tekstet të dorëzohen deri në fund të shtatorit.

Konfirmimi se nxënësit e klasave të treta dhe të gjashta nuk do të marrin tekste të reja sipas Konceptit të ri për arsimin fillor, erdhi në fund të gushtit nga përgjegjës të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Ministri Shaqiri ka premtuar se vonesa nuk do të jetë si vitin e kaluar shkollor e cila, siç tha, “nuk ka qenë i lehtë” sepse ka pasur programe të reja mësimor për katër klasa. Ky do të jetë vit ndryshe shkollor për shkak se MASH-i, theksoi Shaqiri, po përgatitet nga fillimi i këtij viti kalendarik.

Ndryshe, fëmijët e klasave të para, të dyta, të katërta dhe të pesta, materialet mësimore të të cilëve ndryshoheshin, nuk kishin libra vitin e kaluar shkollor. Në vend të librave, Ministria e Arsimit, së bashku me Byronë për zhvillimin e arsimit,  edhe atëherë përgatitën materiale për të ruajtur vazhdimësinë e teksteve.

Për disa klasa vonesa e teksteve vitin e kaluar zgjati deri në gjysmëvjetorin e dytë.