Teleferiku në Vodno pritet të rikthehet në funksion nga muaji i ardhshëm

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, pret që teleferiku i Vodnos të rikthehet në funksion muajin e ardhshëm, pas përfundimit të punimeve për rikonstruksionin e tij dhe kontrolleve të nevojshme të sigurisë, transmeton Portalb.mk.

Këtë informacion ai e bëri të ditur përmes profilit të tij në Facebook, duke theksuar se janë duke u zhvilluar punimet për rinovimin e teleferikut dhe rikonstruksionin e plotë të kabinave. Gjithashtu, pritet të mbërrijë edhe motori, i cili është dërguar jashtë vendit për riparim.

Gjorgjievski thekson se gjatë inspektimit janë konstatuar mangësi serioze, të cilat, sipas tij, janë pasojë e moskryerjes për vite me radhë të serviseve të mëdha të nevojshme dhe mirëmbajtjes së rregullt nga udhëheqësit e mëparshëm.

“Ishte i nevojshëm një ndërhyrje e gjerë dhe e plotë, e cila ishte lënë pas dore për gati një dekadë. Prandaj teleferiku u nxor jashtë funksionit. Për mua, siguria e qytetarëve tanë është mbi të gjitha. Këtu nuk ka kompromis”, thotë ai.

Ai shtoi se rikonstruksioni po realizohet me qëllim që të sigurohet transport i sigurt dhe funksionim i besueshëm i teleferikut, të cilin e cilësoi si një nga atraksionet e preferuara të Shkupit.

“Po e rinovojmë atë që për vite me radhë është lënë pas dore. Me përgjegjësi, punë dhe vepra. Po ia rikthejmë shkëlqimin Shkupit”, shkruan Gjorgjievski në Facebook.

Teleferiku i Vodnos u nxor jashtë përdorimit pas kontrollit të kryer nga kompania “Doppelmayr”, gjatë të cilit u konstatuan një sërë mangësish.

Në maj të këtij viti, kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, deklaroi se teleferiku do të mbetet i mbyllur derisa të konstatohet plotësisht se është i sigurt për përdorim. Atëherë ai theksoi se nevojitet një kontroll i plotë teknik dhe servisimi, por nuk saktësoi se sa do të zgjasë ky proces.