Gjermania do të forcojë kontrollet kufitare me Poloninë dhe Çekinë

Gjermania do të zbatojë kontrolle më të forta kufitare me Poloninë dhe Republikën Çeke, për të ndihmuar në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, tha ministrja e brendshme gjermane të martën, ndërsa rritja e migracionit shton mbështetjen për të djathtën ekstreme përpara zgjedhjeve lokale, shkruan Zëri i Amerikës.

Gjermania ka pranuar rreth 1 milion refugjatë nga Ukraina gjatë vitit të kaluar, ndërsa janë rritur ndjeshëm kërkesat për azil që nuk lidhen me Ukrainën. Autoritetet lokale thonë se po ndërtojnë banesa të reja, por kanë vështirësi për të përmbushur kërkesat.

Në një intervistë për radion publike “Deutschlandfunk”, Ministrja e Brendshme Nancy Faeser, anëtare e socialdemokratëve të qendrës së majtë të Kancelarit Olaf Scholz (SPD), tha se Gjermania do të vendosë kontrolle kufitare me Poloninë dhe Republikën Çeke. Ajo nuk tha se kur do të zbatoheshin masat e reja. Gazeta Politico raportoi se kontrollet e reja do të shpalleshin zyrtarisht të mërkurën. Ministria e Brendshme nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Kritikët thonë se kjo ka nxitur në rritjen e mbështetjes për partinë e ekstremit të djathtë, AfD, e cila pritet të fitojë në tre zgjedhje rajonale në lindje të vendit vitin e ardhshëm.