MASh-KPMD-së për padinë e mundshme për mungesën e librave: Përgatitja e teksteve shkollore është proces i ndërlikuar

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka reaguar në lidhje me padinë e mundshme për mungesën e librave shkollor nga Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Nga kjo Ministri thonë se përgatitja e teksteve shkollore është proces i  ndërlikuar i cili varet nga shumë faktorë, të pavarur nga ndikimi sistemik, transmeton Portalb.mk..

“Në pajtueshmëri me aktet ligjore dhe nënligjore, me kohë kanë filluar dhe janë realizuar  aktivitetet në kompetencën tonë për përgatitjen e teksteve shkollore, të harmonizuar me programin mësimore të vlefshëm. Ministria nuk ka mekanizma ligjore për të ndikuar në raportimin e thirrjeve për ekipe të autorëve dhe thirrjeve për recensues për tekst të ri shkollor në një lëndë të caktuar. Ndërsa çdo thirrje e pasuksesshme sjell përsëritjen e saj, afate të reja dhe zgjatje të procedurës. Në ndërkohë, ndodh që të nevojiten korrigjime  të domosdoshme në tekstet shkollore të propozuara, gjë që sjell edhe zgjatjen e procesit. Pas shqyrtimit nga ana e  recensentëve, deri në miratimin përfundimtar të  tekstit shkollor duhet të kalojë filtrin  prej 17 anëtarësh të Komisionit Nacional të Teksteve  Shkollore”, thuhet në reagimin e MASh-it.

Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi paraprakisht deklaroi se mund të padisë Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, pasi kjo ministri nuk i ka siguruar të gjitha tekstet e nevojshme para fillimit të vitit të ri shkollor. Tekstet shkollore mungojnë nga klasa e tretë dhe e gjashtë, ndërsa nga MASh në fillim të vitit shkollor kanë thënë se po bëjnë përpjekje që tekstet që mungojnë të shpërndahen me kohë.

Nga Komisioni Kundër Diskriminimit thonë se kanë të drejtë të padisin Ministrinë e Arsimit, por këtë të drejtë e kanë edhe prindërit e nxënësve.

“Çdo njeri ka të drejtë të kërkojë mbrojtje nëse ndihet i cenuar në të drejtën e tij të garantuar me kushtetutë për barazi. Një peticion i tillë mund t’i dorëzohet Komisionit tonë dhe Avokatit të Popullit dhe natyrisht edhe gjykatës më të lartë”, tha dje Vesna Bendevska, kryetare e Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi.

Derisa të mbërrijnë tekstet e reja, nxënësit do të ndjekin mësimin me materialet ndihmëse të përgatitura nga Byroja e Zhvillimit të Arsimit. Ndryshe, nxënësit e klasave të para, të dyta, të treta, të katërta dhe të pesta në fillim të vitit të ri shkollor morën tekste të reja në të gjitha lëndët.

Konfirmimi se nxënësit e klasave të treta dhe të gjashta nuk do të marrin tekste të reja sipas Konceptit të ri për arsimin fillor, erdhi në fund të gushtit nga përgjegjës të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Ministri Shaqiri ka premtuar se vonesa nuk do të jetë si vitin e kaluar shkollor e cila, siç tha, “nuk ka qenë i lehtë” sepse ka pasur programe të reja mësimor për katër klasa. Ky do të jetë vit ndryshe shkollor për shkak se MASH-i, theksoi Shaqiri, po përgatitet nga fillimi i këtij viti kalendarik.

Ndryshe, fëmijët e klasave të para, të dyta, të katërta dhe të pesta, materialet mësimore të të cilëve ndryshoheshin, nuk kishin libra vitin e kaluar shkollor. Në vend të librave, Ministria e Arsimit, së bashku me Byronë për zhvillimin e arsimit,  edhe atëherë përgatitën materiale për të ruajtur vazhdimësinë e teksteve.

Për disa klasa vonesa e teksteve vitin e kaluar zgjati deri në gjysmëvjetorin e dytë.