Shaqiri: Për një javë do të miratohen tekstet e fundit për klasën e gjashtë

Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri e ka vlerësuar fillimin e vitit të ri shkollor më të suksesshëm krahasuar me vitin e kaluar. Shaqiri, në ditën e parë të vitit shkollor, së bashku me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, kanë vizituar Qendrën rajonale për arsim profesional dhe trajnim “Kiro Burnaz” në Kumanovë, transmeton Portalb.mk.

Lidhur me vonesën e teksteve për klasën e gjashtë dhe paqartësitë rreth bashkimit të disa lëndëve, ministri i Arsimit tha se në harkun kohor një vjeçar kanë arritur të miratojnë, shtypin dhe dorëzojnë në shkolla mbi 50 tituj tekstesh.

“Për këtë vit shkollor kemi kryer të gjitha procedurat brenda nëntë muajve nga dorëzimi i të gjitha programeve të reja për klasën e tretë. Ju njoftoj se më 7 shtator është caktuar mbledhja e Këshillit Kombëtar të Teksteve dhe më pas do të miratohen tekstet e fundit për klasën e gjashtë që janë në pritje të miratimit dhe pastaj do të shtypen menjëherë”, tha Shaqiri, duke shtuar se këtë vit shkollor ka një procedurë edhe për materialet ndihmëse të shkurtuara digjitale që do të vihen në përdorim.

Ai tha se në arsimin e mesëm në periudhën njëvjeçare, ndërsa pas më shumë se 20 vitesh ka tekste të shtypura në arsimin profesional, ndërsa në një vit janë miratuar mbi 150 tituj.

Ministri i Arsimit thotë gjithashtu se shkollave dhe udhëheqësisë së të tyre i janë dërguar udhëzime se si të organizojnë mësimin në lidhje me kombinimin e lëndëve. Ndryshe, sipas konceptit të ri, në klasën e gjashtë lëndët Histori, Gjeografi dhe Edukatë qytetare shkrihen në lëndën Shkencat shoqërore.

“MASh është e hapur për këdo që beson se koncepti duhet përmirësuar apo korrigjuar. Ftoj të gjithë, të paraqesin zgjidhje të propozuara, ne do t’i shqyrtojmë seriozisht të gjitha. E dimë që duhej një reformë në arsimin fillor, se reforma po bëhet, është në një drejtim të mirë, por duhen disa korrigjime për ta bërë atë më të mirë në periudhën e ardhshme. Së bashku mund të kontribuojmë që ajo të jetë më e suksesshme”, tha ministri Shaqiri.

Sipas shifrave të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, rreth 185 mijë nxënës të shkollave fillore dhe 70 mijë të shkollave të mesme janë ulur sot në bankat e shkollave. Pjesë e sistemit arsimor janë bërë 18.142 nxënës të klasës së parë, numri i të cilëve po zvogëlohet nga viti në vit.

E reja këtë vit është se për herë të parë nxënësit do të kenë pushimin pranveror njëjavor.