Rasti Higjiena Komunale – Shkup: “Mafiozët” e mëhallës që pastrojnë qytetin

Dhjetëra punëtorë të Higjienës Komunale Shkup prej mbrëmjes së 7 korrikut (e premte) deri në mesditën e sotme (10 korrik) kanë protestuar dhe refuzuar të dalin në punë katër kërkesa kryesore, gjegjësisht kthimin e punëtorëve të përjashtuar nga puna pa arsye, harmonizimin e rrogave me rrogën minimale, regres të pagës (K-15) dhe stazh të beneficuar. Me anë të forcave të njësive speciale, drejtoresha e ndërmarrjes në natën mes 9 dhe 10 korrik i nxori 4 kamionë nga hapësirat e ndërmarrjes. Punëtorët ankohen për represion, drejtoresha i quan mafiozë, shkruan Portalb.mk.

Mbi dhjetë herë, në konferencën e sotme për shtyp, drejtoresha e Higjienës Komunale, Kosana Mazneva dhe kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska e cila mbajti fjalim me tone nervozizmi, ka përdorur fjalën “Mafiozë”, duke iu referuar punëtorëve në Higjienën Komunale.

Akuza: Struktura mafioze që nuk i lënë punëtorët të punojnë.

“Ndërmarrja jonë ishte në bllokadë të plotë të strukturave mafioze për të cilët kam folur në deklaratën time”, tha Mazneva, të cilën më pas e përsëriti edhe Arsovska.

Portalb.mk, disa herë e pyeti drejtoreshën për të shpjeguar se kush janë këto struktura mafioze për të cilët flisni dhe pse nuk i nxirrni me emra, megjithatë, edhe drejtoresha, por edhe kryetarja e Shkupit refuzuan të tregojnë.

Madje, Arsovska kërkoi nga gazetarët që ta mbështesin Maznevën e cila “përballet me këto mafiozë”.

Ata thanë se “mafiozët” i kanë paraqitur në Polici, ndërkaq premtuan se do të dorëzojnë dokumente edhe deri mediat, nëse nuk shkelen të drejtat personale të personave, në këtë rast që i quajti mafiozë.

Arsovska, tregoi se “kanë zbuluar njerëz që kanë qenë në Gjermani dhe kanë marrë rrogë”, megjithatë, nuk jep detaje se kush është apo janë personat, kur janë zbuluar, dhe a ka të bëjë rasti me shkarkimet e fundit, apo është prej largimeve të vitit të kaluar, kur 112 persona (shumica shqiptarë) u larguan nga puna.

Arsovska paraprakisht publikoi dhe një listë me emra, për çka akuzoi se 43 persona janë të së njëjtës familje, duke aluduar në nepotizëm, megjithatë në përgjigje për gazetarët, ajo tha se kjo nuk është problem nëse ata shkojnë në punë.

“Gjatë punësimit, nepotizmi si i tillë nuk është kontrolluar. Nuk hyj para 20 viteve, para 15 viteve, para 5 viteve, se si dhe në çfarë mënyre dikush është zgjedhur që të punësohet në ato ndërmarrje publike. Megjithatë se patjetër duhet që të pastrohet me ata që nuk shkojnë në punë dhe marrin pagë, ajo është tërë poenta e kësaj pune. Pra, gjithë ato që vijnë nga cilado familje, me çfarëdo mbiemri, që shkojnë në punë dhe ndershëm e nxjerrin bukën dhe nuk paraqesin demotivim për të gjithë ata që punojnë siç duhet atje, për ata normalisht ka vend dhe le të urdhërojnë t’i ushqejnë familjet”, tha Arsovska.

Portalb.mk, në vazhdimësi kërkon nga Higjiena Komunale Shkup, të dorëzojë dokumente dhe prova për akuzat të cilët i plason në opinion, megjithatë nga Higjiena Komunale nuk japin detaje.

Për shembull, më 7 korrik, redaksia jonë ka dërguar pyetje gazetareske në e-mailin zyrtar për të na treguar se sa persona janë larguar nga puna, por nga ana e ndërmarrjes s’ka kurrfarë përgjigje.

A janë plotësuar kërkesat?

  1. Kthimi në punë i të përjashtuarve.

Sipas drejtoreshës së Higjienës Komunale, 27 personave nuk u është vazhduar kontrata nën arsyetimin se “nuk ka nevojë” ndërmarrja për ato. Megjithatë, punëtorët dëshmojnë se numri i të përjashtuarve kalon mbi 50.

Kthimi në punë i punëtorëve të përjashtuar ishte ndër kërkesat kryesore, por kjo do të jetë pjesë e bisedimeve të mundshme.

  1. Pagesa e K-15

Sipas drejtoreshës Mazneva, kjo kërkesë është plotësuar dhe me pagën e këtij muaji, do të paguhet edhe K-15. Punëtorët, gjatë ditës së sotme pritet t’i marrin pagat dhe siç tha drejtoresha, mjetet janë lëshuar.

  1. Rritja e pagës

Punëtorët kërkojnë që paga e tyre të harmonizohet me rritjen e pagës minimale. Gjegjësisht, paga minimale, prej 18.000 denarë është rritur në 21.500, gjegjësisht për 3.500 denarë dhe mu për kaq kërkojnë punëtorët të rritet. Pra, nëse punëtori ka marrë pagë 20.000 denarë, do të duhet të marrë 23.500 denarë.

Drejtoresha, Kosana Mazneva, sot në konferencë për shtyp tha se në lidhje me harmonizimin me pagën minimale, edhe ai problem është zgjidhur, megjithatë, pë të gjitha këto çështje do të mbajë konferencë për shtyp.

  1. Stazh i beneficuar

Për stazhin e beneficuar, nuk ka kurrfarë reagimi nga ana e ndërmarrjes. Mbetjet çështje, për të cilën nuk është diskutuar dhe nuk ka pasur paralajmërim se e njëjta do të zgjidhet, pavarësisht se punëtorët insistojnë për shkak të natyrës së punës karakteristike.

Portalb.mk në vazhdim ju sjellë kronologjinë e protestës së punëtorëve të Higjienës Komunale Shkup

29 qershor

Drejtoresha Kosana Mazneva, gjatë vitit të kaluar, për rreth pesë muaj pasi erdhi në pozitë largoi 112 punëtorë nga puna, gjegjësisht nuk ua vazhdoi kontratën, pa theksuar arsyet në fjalë. Punëtorët asokohe u ankuan se në vend të tyre ka punësuar persona të saj të afërt.

Në natën e 29 qershorit të këtij viti, një grup punëtorësh në Higjienën Komunale, të cilët kanë punuar në ndërrimin e tretë të pakënaqur prej kushteve, kanë refuzuar të dalin në punë për shkak se disa herë me radhë kanë kërkuar takim me drejtoreshën, por drejtoresha i ka refuzuar dhe nuk ka dashur t’i dëgjojë kërkesat e tyre, për harmonizim të pagave me pagën minimale, pagim të regresin (K-15) dhe stazh të beneficuar.

Për këtë, atë natë, punëtorët e kanë ftuar kryetarin e Sindikatit të Higjienës Komunale, Deli Dardhishta për t’i treguar për situatën, për çka kanë marrë mbështetje nga ana e tij për kërkesat që i kanë parashtruar punëtorët.

Për këtë, drejtoresha Mazneva ka thirru polici, për shkak se sipas saj, një grup punëtorësh, nuk i lejojnë një grup tjetër punëtorësh të dalin në terren për të punuar.

Në ndërkohë, sipas dëshmisë së punëtorëve, drejtoresha ka larguar dhjetë punëtorë, ndërkaq ka përgatitur dhe një listë me 50 emra të cilët është dashur t’i largojë nga puna, sipas punëtorëve, për pa arsye.

7-8 korrik

Të revoltuar nga përjashtimi i kolegëve dhe kërcënimi për përjashtime të reja, punëtorët më 7 korrik rikthejnë revoltin me kërkesat paraprake dhe kthimin e kolegëve në punë. Ndërrimi i tretë, i cili është më i madhi sipas numrit të punëtorëve, që ka për detyrë ta pastrojë qytetin, refuzoi të dalë në punë. Punëtorët, për Potalb.mk, treguan historitë e tyre të largimit nga puna dhe siç thonin kërcënimeve nga ana e drejtoreshës Mazneva.

Në ndërkohë, drejtoresha shkarkon edhe kryetarin e Sindikatës së Higjienës Komunale Shkup, Deli Dardhishtën, në akuzën se ai qëndron mbrapa protestave, pavarësisht se Dardhishta ka mohuar akuzat e tilla.

Filluan reagimet nga qytetarët dhe autoritetet komunale për gjendjen e rënduar me mbeturinat në terren.

8-9 korrik

Gjatë ditës së 8 korrikut, drejtoresha u lajmërohet punëtorëve dhe i kërcënon publikisht, me tone të ashpra duke deklaruar “siç i kam përjashtuar 10, s’më pengon asgjë t’i largoj edhe 200 apo punëtorë”, nëse nuk dilni të punoni.

Pas publikimit të videos ku dëgjohen Mazneva, duke kërcënuar, ajo mbajti konferencë për shtyp ku akuzoi për kriminalitet, gjegjësisht vjedhje dhe tha se punëtorët nuk lejohen që të dalin në punë nga “strukturat e nëntokës”. Ajo gjithashtu akuzoi se një pjesë e punëtorëve punojnë vazhdimisht vetëm ndërrimi i tretë me qëllim që të marrin rrogë më të lartë.

Në mbrëmjen e, drejtoresha u shkoi me zyrtarë policorë në hapësirat ku punëtorët protestonin dhe i luti që të dilnin në terren, por ata refuzuan. Në përballjen e Maznevës me punëtorët para kamerës së Portalbit, punëtorët thanë se ata nuk janë kriminelë që t’u shkohet me njësi speciale.

Mazneva, këtu u premtoi se do t’ua paguajë K-15 prej muajit të ardhshëm, ndërkaq për kërkesat tjera mund të flitet pasi punëtorët të dalin në punë.

Situata gjatë ditës së 9 korrikut ishe e qetë, ndërsa punonjësit e Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”- Shkup pranuan që vetëm institucionet shëndetësore t’i pastrojnë dhe të vazhdojnë me protestën e tyre në hapësirat e ndërmarrjes.

Në mbrëmje me ndihmën e forcave policore protestuesit u mënjanuan, ashtu që kamionët e ndërmarrjes dolën nga oborri i ndërmarrjes për të pastruar qytetin. Këto kamionë u vozitën nga disa persona që drejtoresha Mazneva i solli për të kryer punën. Pas largimit të kamionëve, u larguan edhe forcat policore nga protestuesit, ndërsa tre protestues mbetën të lënduar, për çka erdhi edhe Ndihma e Shpejtë. Policia nuk lejoi gazetarin tonë të xhirojë momentin e ndërhyrjes së policisë, duke i shkaktuar presion të vazhdueshëm për t’u larguar.

Në ndërkohë, kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska mbajti konferencë për shtyp ku akuzoi për “bllokadë mafioze” të institucionit.

9-10 korrik

Në mëngjesin e 10 korrikut, punëtorët kanë vazhduar të qëndrojnë në hapësirat e Higjienës Komunale. Nuk dolën në punë për shkak se end nuk kishte zgjidhje situata. Në ora 12, kishte mbledhje Sindikata e Higjienës Komunale me Sindikatën SUTKOZ, ku është diskutuar për situatën, në ndërkohë në ora 1 drejtoresha Kosana Mazneva bashkë me kryetaren e Qytetit të Shkupit, Kosana Mazneva, mbajtën konferencë për shtyp.

Prej protestës së mbrëmshme, disa punëtorë i kanë ftuar në polici, për çka gazetari i Portalb.mk, bisedoi në formë jozyrtare me disa prej tyre.

Sindikata vendosi që punëtorët të dalin në punë, ndërkaq kërkesat të vazhdojnë t’i kërkojnë, por nuk dihet ende në çfarë forme.

Nga ana tjetër, kryetarja Danella Arsovska, bashkë me drejtoreshën Mazneva mbajtën konferencë për shtyp ku akuzuan se mbrapa protestës së punëtorëve qëndrojnë struktura mafioze.

Pavarësisht, insistimit të gazetarit të Portalb.mk se kush janë këto struktura mafioze dhe t’i tregojë me emra dhe mbiemra, as Mazneva e as Arsovska nuk i thanë.