Kaosi me mbeturinat, partitë maqedonase dhe Arsovska me akuza të ndërsjella

VMRO, LSDM dhe Arsovska, hedhin akuza të ndërsjella për gjendjen me mbeturinat në Shkup. Kryetarja e Qytetit të Shkupit, mbrëmë tha se Hristijan Mickoskin, është person që fshihet pas këtyre problemeve, duke shtuar që “këta politikan janë bërlloku më i madh që qyteti ka parë”. Ndërkohë VMRO, e ka cilësuar Arsovskën si destruktive dhe kriminale deri në asht, duke kërkuar edhe dorëheqje të menjëhershme. Nga ana tjetër LSDM, akuton se bashkëfajtorë në kaosin me mbeturinat janë edhe kryetarët, siç i quan kjo parti, të paaftë të VMRO-së, transmeton Portalb.mk.

“Paaftësia e Arsovskës ishte kërcënim për infektim masiv në Shkup, kryetarët e VMRO-DPMNE-së ia pastruan mbeturinat. Në Shkup prej ditësh nuk mblidhen mbeturina për shkak të paaftësisë së Arsovskës dhe pushtetit të qytetit. Dje, gjatë mbrëmjes dhe natës vonë, ekipet e formuara nga kryetarët e VMRO-DPMNE-së me ekipe dhe makineri nga qytetet e brendshme kanë ndihmuar në pastrimin e një pjese të konsiderueshme të mbeturinave të grumbulluara me ditë të tëra nga rrugët. Por paaftësia dhe primitivizmi i Arsovskës nuk ka kufi, dhe kjo u pa kur drejtori i saj në NP Drisla refuzoi të pranonte mbeturinat e marra me kamionë”, thonë nga VMRO.

Ata kërkuan dorëheqjen e menjëhershme të Arsovskës.

Nga ana tjetër, LSDM thotë se kryetarët e paaftë të VMRO-së në Shkup janë bashkëfajtorë në kaosin me mbeturinat.

“Pushteti i paaftë lokal i DPMNE-së në Shkup ka krijuar kaos të paparë, qyteti po mbytet në mbeturina. Përgjegjësia për kaosin është e Mickoskit dhe stafit të DPMNE-së në Shkup. Kryetarët e paaftë të komunave të DPMNE-së në Shkup, me përtacinë dhe mungesën e kujdesit për nevojat e qytetarëve, janë bashkëfajtorë të drejtpërdrejtë në kaosin me mbeturinat dhe në mosfunksionimin e ndërmarrjeve lokale. Të njëjtët që e përkrahën Arsovskën në fushatë, të cilët së bashku me Mickoskin kërkuan vota nga Shkupi për të dhe për DPMNE-në, së bashku krijuan problemet në Shkup. Sa herë që DPMNE merr votën e qytetarëve, ndodh kaos dhe regres. Këtë e shohim këto ditë në formën më të keqe. Në vend të Shkupit modern, qytetarët fituan një qytet të ndotur në të cilin nuk funksionon as transporti publik dhe as asgjë tjetër. Përtacia, paaftësia dhe duart në mjaltë, këto janë karakteristikat e kryetarëve të DPMNE-së dhe Mickoskit”, thonë nga LSDM.

Ndërkohë, për gjendjen me mbeturinat, Arsovska premtoi që prej sot do të punojnë me kapacitet të plotë, dhe nuk do të lejojnë që “mafiozët dhe banditët të dominojnë mbi interesin kolektiv”.

Punëtorët e Higjienës Komunale Shkup prej 7 korrikut protestojnë në shenjë revolte ndaj menaxhmentit pasi që siç thonë ata, i kanë larguar dhjetëra punëtorë, por edhe se nuk plotësohen kërkesat e tyre për rritje të pagës, K-15 dhe stazh të beneficuar.

Siç thonë ata, derisa nuk kthehen në punë kolegët dhe nuk plotësohen kërkesat e tyre, nuk do të dalin në terren t’i mbledhin mbeturinat.

Në mesin e të përjashtuarve nga puna, sipas punëtorëve, është edhe kryetari i Sindikatës së Higjienës Komunale, Deli Dardhishta me përvojë pune mbi 30 vjet.

Sipas tyre, janë larguar nga puna me dhejtëra persona, ndërsa 50 punëtorë tjerë kanë marrë paralajmërim për përjashtim pasi kanë protestuar një javë më parë.

Ata ankohen se drejtoresha i shikon kamerat e sigurisë dhe kush shihet se ka protestuar, e largon nga puna.

Drejtoresha e Higjienës Komunale, Kosana Mazneva, rreth orës 1 të mëngjesit mbrëmë, me asistencë policore erdhi për t’i lutur punëtorët që të dalin t’i pastrojnë rrugët me disa premtime të vakta për zgjidhjen e problemit, megjithatë punëtorët njëzëri refuzuan që të dalin në terren pa u plotësuar kushtet. Ajo u ndesh drejtpërdrejtë me punëtorët, të cilët deri sot ka refuzuar t’i takojë.

Kosana Mazneva u emërua drejtoreshë nga kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska më 12 korrik të vitit 2022, pasi paraprakisht u shkarkua asokohe drejtori i vetëm shqiptarë i ndërmarrjeve publike të Qytetin e Shkupit, Zudi Koka për shkak të incidentit gjatë protestave antievropiane në Shkup, ku vëllai i tij kishte gjuajtur me armë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.