Dy komunat që i grumbulluan mbeturinat, i gjuajtën përsëri në rrugë, pasi deponia Drislla nuk i hapi dyert

Kryetari i Komunës së Aerodromit, Timço Mucunski, ka sqaruar që mbeturinat e grumbulluara në komunën e tij ose duhet të kthehen përsëri nëpër vendbanime ose duhet të gjuhen aty para deponisë, pasi nuk kanë mundësi të hyjnë në dpeoninë Drislla, transmeton Portalb.mk.

“Sonte kryetari i Komunës së Kisella Vodës dhe Aerodromit, Orce Gjorgjievski dhe Timço Mucunski, të cilët i kanë grumbulluar mbeturinat në këto komuna, pasi Danella Arsovska dhe ndërmarrjet e qytetit nuk e kanë kryer punën, dhe Shkupi ishte para një infektimi, u penguan të derdhin mbeturinat në deponi”, deklarojnë nga VMRO-DPMNE.

Ata theksojnë që pas pritjes prej 1 orë, ata kishin mundësi ose të kthejnë mbeturinat në vendbanimet ku i kishin marrë, ose ti derdhin para Drisllës, Dy kryetarët kishin vlerësuar që derdhja e mbeturinave para deponisë është zgjidhja më e mirë.

Ndryshe, kryetarët e disa komunave kanë njoftuar që tashmë kanë filluar pastrimin e disa lagjeve nëpër komunat e tyre, duke e vlerësuar problemin me Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale” si skandal të Qytetit të Shkupit. Mbledhje të mbeturinave kanë paralajmëruar Komuna e Gazi Babës, Komuna Qendër, Kisella Vodë, Butel, Aerodrom dhe Komuna e Çairit.

Ndryshe, punonjësit e Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”-Shkup kanë pranuar që vetëm institucionet shëndetësore t’i pastrojnë dhe të vazhdojnë me protestën e tyre në hapësirat e ndërmarrjes. Protesta e tyre ka vazhduar edhe sonte, tashmë me kërkesën për shkarkimin e drejtoreshës së kësaj ndërmarrjeje.

Me ndihmën e forcave policore protestuesit u mënjanuan, ashtu që kamionët e ndërmarrjes dolën nga oborri i Ndërmarrjes. Pas largimit të kamionëve, u larguan edhe forcat policore nga protestuesit, ndërkohë një protestues tashmë ka marrë lëndime trupore, për çka erdhi edhe ndihma e shpejtë. Ndërkohë, Policia vazhdon të pengon raportimin e gazetarit nga vendi i ngjarjes, duke shkaktuar presion të vazhdueshëm për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Punëtorët e Higjienës Komunale Shkup prej 7 korrikut protestojnë në shenjë revolte ndaj menaxhmentit pasi që siç thonë ata, i kanë larguar dhjetëra punëtorë, por edhe se nuk plotësohen kërkesat e tyre për rritje të pagës, K-15 dhe stazh të beneficuar.

Siç thonë ata, derisa nuk kthehen në punë kolegët dhe nuk plotësohen kërkesat e tyre, nuk do të dalin në terren t’i mbledhin mbeturinat.

Në mesin e të përjashtuarve nga puna, sipas punëtorëve, është edhe kryetari i Sindikatës së Higjienës Komunale, Deli Dardhishta me përvojë pune mbi 30 vjet.

Sipas tyre, janë larguar nga puna me dhejtëra persona, ndërsa 50 punëtorë tjerë kanë marrë paralajmërim për përjashtim pasi kanë protestuar një javë më parë.

Ata ankohen se drejtoresha i shikon kamerat e sigurisë dhe kush shihet se ka protestuar, e largon nga puna.

Drejtoresha e Higjienës Komunale, Kosana Mazneva, rreth orës 1 të mëngjesit mbrëmë, me asistencë policore erdhi për t’i lutur punëtorët që të dalin t’i pastrojnë rrugët me disa premtime të vakta për zgjidhjen e problemit, megjithatë punëtorët njëzëri refuzuan që të dalin në terren pa u plotësuar kushtet. Ajo u ndesh drejtpërdrejtë me punëtorët, të cilët deri sot ka refuzuar t’i takojë.

Kosana Mazneva u emërua drejtoreshë nga kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska më 12 korrik të vitit 2022, pasi paraprakisht u shkarkua asokohe drejtori i vetëm shqiptarë i ndërmarrjeve publike të Qytetin e Shkupit, Zudi Koka për shkak të incidentit gjatë protestave antievropiane në Shkup, ku vëllai i tij kishte gjuajtur me armë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.