Policia pengoi gazetarin e Portalbit të xhirojë pamjet kur ata u vërsulën ndaj protestuesve të “Higjienës Komunale”
Gazetari i Portalb.mk, Suad Bajrami i cili ka tre ditë dhe natë që e ndjek drejtpërsëdrejti protestën e të punësuarve në “Higjienën Komunale” në Shkup, sonte u pengua te raportojë lirshëm nga vendi i ngjarjes nga ana e forcave speciale.
Në momentet më kritike kur policia intervenoi me forcë ndaj protestuesve që të lejojë disa persona të nxjerrin kamionët nga ndërmarrja, policia disa herë i ka urdhëruar gazetarit tonë të mos xhirojë.
Gjithë momenti është kapur në videon më poshtë.
Bajrami i cili po kryen punën e tij, dhe ka të drejtë të incizojë në vend publik, është ankuar për presion të tillë duke u sqaruar policëve që po bën punën e tij. Ai disa herë gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë ua ka bërë me dije që ka të drejtë të incizojë, por polica e ka larguar atë më tej, duke thënë se “është për shkaqe të sigurisë”.
Bajrami ka kërkuar të flasë me komandantin e policisë, por ai nuk ka reaguar.
“Po më pengoni të bëj punën time, nuk kam çfarë të filmoj nga këtu, a duhet të filmoj murin?”, reagoi gazetari i cili u ka njoftuar policëve se do t’i denoncojë në Shoqatën e Gazetarëve.
Por policët vazhduan ta urdhëronin të largohej mënjanë.
Një përfaqësues i policisë iu përgjigj: “Mund të punosh, të qëndrosh pranë murit. Ti vjen gjashtë herë nga kjo anë. Ngjarje publike, askush nuk ju ndalon. Për sigurinë tuaj dhe tonën, ju duhet të shkoni më mbrapa.”
Por, në asnjë moment siguria e gazetarit nuk ishte në rrezik, ndërkaq policia nuk dëshironte që momenti kur reagoi ndaj protestuesve me forcë duke lënduar 3 persona, të kapej në kamerë.
Gjatë asaj kohe, drejtoresha Kosana Mazneva ecte lirshëm para hyrjes së ndërmarrjes, dhe policia nuk i tha të qëndronte mënjanë.
Vetëm pasi u mblodhën më shumë ekipe gazetareske, gazetarët u lejuan të ecin disa metra përpara.
Redaksia jonë do të ankohet në gjitha instancat për këtë incident sepse nuk lejohet askush të pengojë punën tonë.