Mazneva me Polici “i luti” punëtorët e Higjienës Komunale të dalin të pastrojnë, punëtorët refuzuan: Ktheni kolegët

Drejtoresha e Higjienës Komunale, Kosana Mazneva, rreth orës 1 të mëngjesit, me asistencë policore erdhi për t’i lutur punëtorët që të dalin t’i pastrojnë rrugët, megjithatë punëtorët njëzëri refuzuan që të dalin në terren pa u plotësuar kushtet. Ajo u ndesh drejtpërdrejtë me punëtorët, të cilët deri sot ka refuzuar t’i takojë, raporton Portalb.mk.

“Drejtoresha ka ardhur me polici të na nxjerrë në punë. Pse ka thirr njësi speciale, askush nuk e ka kërcënuar, ne i kemi kërkesat tona dhe pa u plotësuar ato ne nuk dalim në punë. Kërkojmë që fillimisht të shkarkohet drejtoresha, pasi që ajo më nuk është drejtoresha jonë”, than për Portalb.mk, punëtorët e revoltuar.

Drejtoresha, me disa prej punëtorëve, hyri në një prej objekteve të Higjienës Komunale dhe në prani të zyrtarëve policorë kërkoi që të merren vesh që punëtorët të dalin në terren. Pas daljes nga takimi Mazneva tha se sot patjetër duhet të vazhdojë procesi i punës.

“Patëm takim dhe biseduam për ndodhitë në Ndërmarrjen Publike Higjiena Komunale apo për tregimi ne revoltit dhe pengimin e procesit të punës që është në kundërshtim me ligjin. Do të diskutojmë prej të hënës, sot procesi i punës duhet të vazhdojë”, tha Mazneva, për çka njëzëri punëtorët reaguan duke thënë se “nuk ka gjasa të vazhdojë”.

Njëri prej punëtorëve tha se “me njësi speciale nuk do të vazhdojmë të punojmë”.

“35 vjet nuk kam pa njësi speciale në këtë firmë. E kemi mbajtur metropolin e Shkup dhe asnjëherë s’kemi pasur kësi situatë. Nuk kemi nevojë prej njësive speciale, ne ushqejmë familje. Nuk jemi këtu kriminelë”, tha Naser Bilalli.

Një punëtor tjetër gjithashtu tha se “40 vjet punoj këtu dhe asnjëherë kësi represioni nuk kemi pasur nga policia dhe ju si drejtoreshë e përgjithshme. Kthej punëtorët që kanë qenë në punë dhe rrite pagën dhe ne jemi të gatshëm çdo sekondë që të dalim në punë”, pas çka kolegët e tij me ovacione e mbështetën.

Drejtoreshës punëtorët e i thanë se ajo i ka quajtur “gjubrexhii” (term nënçmues për personat që mbledhin mbeturina).

Në konferencën e sotme për shtyp, Mazneva shmangi t’i quaj punëtorë, personat që protestojnë, por i quajti grup, të cilët janë të kontrolluar nga nëntoka. Portalb.mk, e pyeti para punëtorëve nëse mund të identifikojë ndonjë prej atyre për të cilët ka thënë se kanë kryer vepra penale, por drejtoresha nuk tregoi.

“Një kam të deklaroj. Kjo ndërmarrje publike derisa unë jam drejtoreshë patjetër duhet të punojë vetëm sipas ligjit. Patjetër të respektohen të gjitha aktet dhe dispozitat ligjore dhe nuk mundet ndryshe të jetë, përveç ashtu. Për gjithçka tjetër mund të bisedojmë”, tha Mazneva, për çka punëtorët vazhduan të insistojnë që t’i plotësojë kushtet.

Drejtoresha, punëtorëve u premtoi se prej muajit të ardhshëm punëtorët do të marrin K-15.

Propozimi i përfaqësuesve të Maznevës dhe i Policisë, kërkuan që të dalë vetëm një ekip që të mbledh mbeturinat e Qendrës Klinike, por punëtorët njëzëri refuzuan me fjalët “Nuk ka shansë”.

Pasi nuk i pranuan kërkesat e Maznevës, përfaqësuesit e Policisë tentuan që t’i bindin punëtorët që të dalin ndonjë ekip në terren, megjithatë, punëtorët i thanë atij “me gjithë respektin për policinë, megjithatë kjo nuk mund të plotësohet, pa u plotësuar kushtet”.

Protesta në Higjienën Komunale vazhdon. Portalb.mk, do të vazhdojë ta ndjekë nga afër situatën.

Rikujtojmë se Mazneva, me forca Policore ka dalë në terren vetëm gjysmë ore pasi është larguar gazetari i Portalb.mk.

Ndryshe, sot, shofer i mjeteve të rënda, punëtor në Higjienën Komunale Vllado Gjorgjevski, shprehet se drejtoresha nuk i pranon as për bisedë dhe madje i fyen.

“A e dini me çfarë rreziqesh përballemi nëpër qytet. Ne shkojmë ua mbledhin mbeturinat ata mbulojnë hundët dhe thonë ja mbeturinë-mbledhësit. Punë nënvlerësuese, ndërsa rroga më e ulët. Me çfarë përgjegjësie? Me drejtëreshën nuk duam të bisedojmë sepse ajo shprehet me fjalë vullgare. Siç dëgjova, ka thënë nuk do të flas unë me mbeturinë-mbledhës. A nuk është turp. Unë kam dashur ta takoj të flas, sepse di t’i përgjigjem për çdo temë, por nuk më pranoi. Ndërkohë Sindikata sapo erdhi të na mbështesë ditën tjetër i përzuri. Si mundet kështu, ne nuk kërkojmë diçka që nuk na takon. Kështu do shkojmë në Evropë? Të rreh dhe nuk të lë të qash. Nuk mund ta kuptoj”, u shpreh Gjorgjievski.

Një tjetër punëtor i Higjienës Komunale, tha se drejtoresha akuzon Sindikatën se po i organizon dhe nxit për revoltë, ndërsa kërkoi edhe mirëkuptimin e qytetarëve.

“Asnjë gabim nuk ka kryetari i Sindikatës, ai ka ardhur të na dëgjojë neve, kjo e akuzon që ai na organizon. Kemi mbetur në mëshirë të Zotit. I kisha lut qytetarët të na mirëkuptojnë. Ne nuk kërkojmë diçka jashtë normales. Nuk kërkojmë të na japin rrogë si të deputetëve ose si të ministrave, por bile presim që drejtoresha të na vlerësojë neve, se neve kur nuk na vlerëson nikoqiri i shtëpisë, çka pret prej qytetarit, sepse qytetari më paguan mua, por ato para nuk vijë te unë, ndërsa shërbimin duhet me ia kry. Por unë s’kam mundësi me ia kry shërbimin me këtë nënçmim. Drejtoresha erdhi pas shumë refuzimesh, dhe përkrahjen që e kishim, kryetarin e Sindikatës, edhe atë e ka përzënë”, tha ai.

Nga ana tjetër drejtoresha Kosana Mazneva, në një konferencë për media tha se nuk do të lejojë që punonjësit e tjerë të jenë viktima të shantazhit në këtë nëntokë të njohur.

“Higjiena Komunale” nuk është parti politike dhe as kompani private, por ndërmarrje publike dhe nuk do të lejoj asnjë qendër politike të kontrollojë punën. Këta që bllokojnë punën nuk janë anëtarë të sindikatave dhe as punonjës. Ata janë këtu si logjistikë partiake që kanë për qëllim kërcënimin dhe bllokimin e punës. Pakënaqësia është sepse kam marrë një vendim për punën me turne dhe të gjithë punonjësit duhet të ndërrohen në tre turne. Është në kundërshtim me praktikën prej vitesh që vetëm persona të caktuar të punojnë në një të tretë dhe të marrin përfitime për të. Shumica prej tyre nuk janë paraqitur në punë dhe nuk kanë kryer detyrën. Për shkak se unë i kam dhënë fund një praktike të tillë, këta njerëz tani po bëjnë bllokadë, kanë punë dhe biznese të tjera”, tha Mazneva-Nikoliq në konferencën e sotme për media.

E pyetur pse janë larguar nga puna 10 punonjës, ajo tha se ata janë punonjës të përkohshëm, me kontrata në vepër, të cilët nëse nuki nevojiten më Ndërmarrjes iu ndërpritet kontrata dhe se nuk e ka për detyrim që Ndërmarrja nuk e ka për detyrim t’ua vazhdojë kontratat, pasi janë të angazhuar përkohësisht.

Lidhur me mënyrën e të biseduarit me punëtorët e Higjienës, se nse nuk dalin në punë, do t’i largojë, qofshin ato 200 apo 300 punëtorë dhe do t’u dorëzoj padi penale, ajo tha se këta persona, 15 ose 20 vitet e fundit janë vazhdimisht turni i tretë, që sipas saj është e kundërligjshme dhe madje disa prej tyre nuk vinë as edhe në punë.

“Ka ligje në këtë shtet dhe unë duhet t’i respektoj, ndërsa nëse dikush nuk është i kënaqur, ka ligje, rregullore marrëveshje kolektive mund të paraqesë kërkesë me shkrim me qëllim që t’i realizojë të drejtat e veta”, tha Mazneva. 

Ndërkohë, situata në teren me mbetrinat është kaotike.

Një tjetër puntor tha se nuk kanë aspak besim te drejtoresha dhe madje as nuk presin që ajo të gjejë zgjidhje, por shpresojnë në veprim nga organet e pushtetit qendror.

“Drejtoreshës ne nuk i besojmë, ajo e k humbur besimin tonë. Presi nga kryeministri, Danella. Me largimet nga puna drejtoresha nuk ka më punë me ne”, u shpreh qytetari, punëtor i Higjienës Komunale.

Ndërkohë drejtoresha ka kërcënuar se nëse nuk dalin në punë punëtorët, qofshin 200 apo 300 punëtorë, do t’i largojë nga puna dhe do t’u dorëzojë padi penale.

“Të hënën do të lexohen prej të parit deri të fundit 300 persona, 200, treqind – treqind. Le të mendojnë në familjen dhe bukën dhe të mos i mbrojnë ato që i mbrojnë. Jam jashtëzakonisht serioze. Sikur i kam shpallur 10 persona në tabelën e shpalljes, ata që janë dhe janë dorëzuar padi penale asgjë nuk do të më ndalojë edhe 200 të tjerë t’i shpall”, dëgjohet duke thënë Mazneva.

Përveç largimit nga puna, drejtoresha u thotë punëtorëve se do t’u dorëzojë edhe padi penale.

Kjo është, nëse nuk hipin në kamionë në këtë moment të jenë në shërbim të qytetarëve dhe t’i mbledhin mbeturinat të mos shpërndahet infektim nëpër qytet, pasi kjo nuk është grevë – për grevë ka procedurë, duhet të dorëzohen kërkesa të shkruara, të bisedohet me sindikatën, ka kornizë ligjore se si bëhet ajo, ky është totalisht bunt, obstruksion të procesit të punës dhe nuk shkohet kundër meje, por kundër interesave të qytetarëve në Qytetin e Shkupit. Domethënë, 200 punëtorë nëse nuk dalin, unë 200 persona do t’i shpall në tabelën e shpalljes, prej te i pari deri tek i fundit me padi penale të dorëzuara. Me bazë të trashë për vepër penale. Siç kanë qenë ata 10 persona, do të jenë edhe 200 të tjerë. Qytetarët nuk janë fajtorë që të mos u mblidhen mbeturinat dhe të shpërndahet infeksion. Është verë dhe për 24 orë do të fillojnë të dalin minjtë nga kanalizimi”, dëgjohet duke thënë Mazneva.

Në fund ajo e përsërit qëndrimin se të hënën të mos vijnë në punë ata që sot nuk punojnë.

“Nëse mendojnë mirë se çfarë bëjnë. Këto persona që për momentin nuk do të hipin në kamionë, të hënën fare të mos vijnë në punë. Nuk ka bisedime të hënën, nuk ekziston diçka e tillë”, thotë Mazneva.

Nuk i mbledhim mbeturinat derisa nuk kthehen në punë kolegët e përjashtuar, thonë punëtorët e Higjienës Komunale në protestë

Punëtorët e Higjienës Komunale Shkup mbrëmë kanë protestuar në shenjë revolte ndaj menaxhmentit pasi që siç thonë ata, i kanë larguar dhjetëra punëtorë, por edhe se nuk plotësohen kërkesat e tyre për rritje të pagës, K-15 dhe stazh të beneficuar. Siç thanë ata, derisa nuk kthehen në punë kolegët dhe nuk plotësohen kërkesat e tyre, nuk do të dalin në terren t’i mbledhin mbeturinat, njofton Portalb.mk.

Dhjetëra punëtorë të Higjienës Komunale sonte nuk dolën për t’i mbledhur mbeturinat në shenjë revolte nga udhëheqësia e Higjienës komunale pasi që dhjetëra kolegë të tyre pa arsye nuk ua ka vazhduar kontratën. Në mesin e të përjashtuarve nga puna, sipas punëtorëve, është edhe kryetari i Sindikatës së Higjienës Komunale Deli Dardhishta me përvojë pune mbi 30 vjet. Sipas tyre, vetëm sot janë larguar nga puna 7-8 persona me vendim pune, ndërsa dje kanë larguar 40 persona. Ata mes tjerash theksojnë se 50 punëtorë tjerë kanë marrë paralajmërim për përjashtim pasi kanë protestuar një javë më parë. Ata ankohen se drejtoresha i shikon kamerat e sigurisë dhe kush shihet se ka protestuar, e largon nga puna.

Kosana Mazneva u emërua drejtoreshë nga kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska më 12 korrik të vitit 2022, pasi paraprakisht u shkarkua asokohe drejtori i vetëm shqiptarë i ndërmarrjeve publike të Qytetin e Shkupit, Zudi Koka për shkak të incidentit gjatë protestave antievropiane në Shkup, ku vëllai i tij kishte gjuajtur me armë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.