“Bllokadë mafioze” e quajti Danella Arsovska protestën te “Higjiena Komunale”

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Shtabit të Krizës në lidhje me problemin te “Higjiena Komunale”, u deklaruar në lidhje me çështje, transmeton Portalb.mk

“Grupe mafioze tashmë disa ditë janë duke e bllokuar punën e Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale” për interesa personale. Bëhet fjalë për persona që mbi 15 vjet kanë punuar vetëm një ndërrim, edhe atë ndërrimin e tretë, në kundërshtim me marrëveshjen kolektive dhe ligjet”, deklaroi Danella Arsovska, duke vlerësuar që kjo që po bëhet për interesa të ulëta politike nga “disa mafioz”, duke theksuar që për këtë qëllim ka aktivizuar Shtabin e Krizës për të pastruar qytetin.

Ajo theksoi që këta persona janë duke penguar edhe 1300 punëtorë tjerë të punojnë.

“Edhe pse nuk ka grevë që është paraqitur ligjërisht, pjesa më e madhe e këtyre personave nuk janë tashmë të punësuar, këta përsëri kryejnë bllokadë mafioze”, deklaroi Arsovska, duke theksuar që vetëm nga një familje ka mbi 40 të punësuar, ndërsa nga familja tjetër mbi 30 të punësuar. Ndër të tjera ajo theksoi edhe liderin e opozitës, Hristijna Mickoskin, duke vlerësuar si person që fshihet pas këtyre problemeve, duke shtuar që “këta politikan janë bërlloku më i madh që qyteti ka parë”.

Arsovska premtoi që prej nesër do të punojmë me kapacitet të plotë, dhe nuk do të lejojmë që mafiozët dhe banditët të dominojnë mbi interesin kolektiv.

Punëtorët e Higjienës Komunale Shkup prej 7 korrikut protestojnë në shenjë revolte ndaj menaxhmentit pasi që siç thonë ata, i kanë larguar dhjetëra punëtorë, por edhe se nuk plotësohen kërkesat e tyre për rritje të pagës, K-15 dhe stazh të beneficuar.

Siç thonë ata, derisa nuk kthehen në punë kolegët dhe nuk plotësohen kërkesat e tyre, nuk do të dalin në terren t’i mbledhin mbeturinat.

Në mesin e të përjashtuarve nga puna, sipas punëtorëve, është edhe kryetari i Sindikatës së Higjienës Komunale, Deli Dardhishta me përvojë pune mbi 30 vjet.

Sipas tyre, janë larguar nga puna me dhejtëra persona, ndërsa 50 punëtorë tjerë kanë marrë paralajmërim për përjashtim pasi kanë protestuar një javë më parë.

Ata ankohen se drejtoresha i shikon kamerat e sigurisë dhe kush shihet se ka protestuar, e largon nga puna.

Drejtoresha e Higjienës Komunale, Kosana Mazneva, rreth orës 1 të mëngjesit mbrëmë, me asistencë policore erdhi për t’i lutur punëtorët që të dalin t’i pastrojnë rrugët me disa premtime të vakta për zgjidhjen e problemit, megjithatë punëtorët njëzëri refuzuan që të dalin në terren pa u plotësuar kushtet. Ajo u ndesh drejtpërdrejtë me punëtorët, të cilët deri sot ka refuzuar t’i takojë.

Kosana Mazneva u emërua drejtoreshë nga kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska më 12 korrik të vitit 2022, pasi paraprakisht u shkarkua asokohe drejtori i vetëm shqiptarë i ndërmarrjeve publike të Qytetin e Shkupit, Zudi Koka për shkak të incidentit gjatë protestave antievropiane në Shkup, ku vëllai i tij kishte gjuajtur me armë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.