Punëtorët e Higjienës Komunale nëpërmjet protestës paralajmëruese kërkojnë të drejta, drejtoresha Mazneva ua thirr policinë

Një grup punëtorësh të Higjienës Komunale – Shkup, në redaksinë e Portalb.mk alarmojnë se drejtoresha Kosana Mazneva, nuk i përfill kërkesat e tyre për të biseduar për rritje të pagave, pagesën e K-15 dhe stazh të benificuar dhe për këtë kanë bërë protestë paralajmëruese. Sipas tyre, drejtoresha në vend t’i ftojë në takim, ua ka thirr Policinë. Higjiena Komunale hesht ndaj pyetjeve të Portalbit.

Javën e kaluar, punëtorët kanë organizuar protestë para zyrës së Ndërmarrjes Publike Higjiena Komunale Shkup, pasi që siç thonë, drejtoresha Kosana Mazneva, nuk i ka pranuar ftesat për të realizuar takim ku do të bisedohej për kërkesat e punëtorëve.

“3-4 herë e kemi thirr drejtoreshën për takim nëpërmjet shoferit të saj por, ajo ka refuzuar. Nuk dëshiron fare të flet me ne, na injoron”, thonë një grup punëtorësh në një bisedë me gazetarin e Portalb.mk, të cilët dëshirojnë të ngelen anonim për shkak siç thonë, presioneve që u bëhen në punë.

29 qershor (e enjte) rreth orës 22, kur është dashur të fillojë me punë turni i natës, punëtorët kanë protestuar me kërkesën që të vijë drejtoresha Mazneva.

Sipas punëtorëve, rreth orës 23.30  drejtoresha është paraqitur në Higjienën Komunale.

“Erdhi dhe na kanosi. Na tha se do të na përjashtojë nga puna”, thonë punëtorët.

Ata shtojnë se pasi është larguar drejtoresha ka ardhur Policia.

“Erdhi policia, madje dhe EBR-ja [Njësiti për intervenim të shpejtë], thua ti se jemi kriminelë dhe më pas është qetësuar situata, por punëtorët nuk kanë dalë të punojnë dhe kanë qëndruar deri në mëngjes. Pastaj, për më 5 korrik janë ftuar 3 punëtorë në bisedë informative për t’i pyetur se pse protestojnë”, thonë punëtorët, duke shtuar se punëtorët kanë qëndruar në punë deri në mëngjesin e 30 qershorit kur edhe ka ardhur kryetari i Sindikatës së SUTKOZ, Stole Kashikovski, por sipas dëshmisë së punëtorëve, drejtoresha Mazneva edhe atë nuk e ka pranuar në takim.

Policia e RMV-së, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Policia e RMV-së, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Portalb.mk kontaktoi Ministrinë e Punëve të Brendshme të cilët e konfirmuan rastin dhe thonë se kërkesa për asistencë policore ka ardhur nga një i punësuar në Higjienën Komunale me arsyen se disa punëtorë nuk i lejojnë të punojnë disa punëtorë tjerë.

“Ju njoftojmë se pas kontrolleve të kryerja në evidencat e NJPB Gazi Babë është konstatuar se më 30.06.2023 ka paraqitje nga ana e një të punësuari në NP Higjiena Komunale Shkup, se përpara Zyrës së NP Higjiena Komunale janë mbledhur një pjesë e të punësuarve të cilët nuk lejojnë një pjesë tjetër të punëtorëve të dalin në terren me automjete. Nga ana e zyrtarëve policor të Stacionit Policor Gazi Babë, është dalë nga vendi i ngjarjes, gjatë së cilës janë gjetur të punësuarit të cilët në mënyrë paqësore kanë protestuar para objektit”, thonë për Portalb.mk nga MPB.

Ata shtojnë se deri tani, nuk janë të ftuar persona për bisedë informative në Stacionin Policor të Gazi Babës.

Kryetari i Sindikatës SUTKOZ, pjesë e të cilës është Sindikata e Higjienës Komunale, Stole Kashikovski, e konfirmoi se ka pasur protestë dhe se në mëngjes ai i ka vizituar punëtorët, por pavarësisht kërkesës, drejtoresha Mazneva nuk e ka takuar.

“Sot kishte mbledhje Bordi Ekzekutiv i Sindikatës së Higjienës Komunale dhe është vendosur që kërkesat t’i dorëzojnë zyrtarisht me shkrim të hënën. Në mëngjesin kur dhe punëtorët kanë qenë në protestë kam shkuar për t’i vizituar, por pavarësisht kërkesës, deri sot drejtoresha ende nuk më ka konfirmuar për t’u takuar”, tha Kashikovski për Portalb.mk.

Ai theksoi se SUTKOZ do të jetë në koordinim me Sindikatën e Higjienës Komunale, për çështjen e kërkesave të punëtorëve dhe ankesave për presion në punë.

Portalb.mk kontaktoi drejtoreshën Mazneva gjatë ditës së djeshme, por ajo tha se është e zënë me disa mbledhje dhe për këtë na tha që të dërgojmë pyetje për të cilat do të marrim përgjigje. Megjithatë, përgjigje, nga Higjiena Komunale Shkup deri tani nuk kemi marrë, ndërkaq drejtoresha Mazneva, nuk e hap telefonin.

Në ndërkohë, në redaksinë Portalb.mk, gjatë ditës së sotme ka pasur njoftim shtesë se administrata e Higjienës Komunale ka përjashtuar nga puna, gjegjësisht nuk ua ka vazhduar kontratat mbi 100 punëtorëve.

Portalb.mk, edhe për këtë çështje ka shtruar pyetje, por edhe për këtë nuk kemi marrë përgjigje.

Gjatë gushtit dhe nëntorit të vitit 2022, Mazneva largoi nga puna 112 persona nën arsyetimin se nuk janë të rregullt në punë. Sipas verifikimeve të Portalb.mk, shumica ishin shqiptarë.

Asokohe, Portalb.mk bisedoi me katër punonjës të Higjienës Komunale, të cilët thanë se arsyeja e largimit nga puna është që në vend të tyre të vendosë militantë partiakë.

“Na tha “nuk na duheni” dhe nuk na i vazhdoi kontratat 112 të punësuarve të rregullt në Higjienën Komunale, në vend tonin u.d. drejtoresha Kosana Mazneva punësoi 41 persona. Mbi 95% prej të përjashtuarve jemi shqiptarë, të cilëve pa asnjë arsye dhe paralajmërim na kanë thënë, prej nesër mos ejani në punë duke na lënë në udhëkryq në këtë kohë krize”, deklaruan ish punonjësit.

Kosana Mazneva u emërua drejtoreshë nga kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska më 12 korrik të vitit 2022, pasi paraprakisht u shkarkua asokohe drejtori i vetëm shqiptarë i ndërmarrjeve publike të Qytetin e Shkupit, Zudi Koka për shkak të incidentit gjatë protestave antievropiane në Shkup, ku vëllai i tij kishte gjuajtur me armë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.