Drejtoresha e Higjienës Komunale, Mazneva kërcënon: Siç i kam përjashtuar 10, s’me pengon asgjë t’i largoj edhe 200 punëtorë

Qofshin 200 apo 300 punëtorë, nëse nuk dalin në punë të gjithë do t’i largoj nga puna dhe do t’u dorëzoj padi penale. Kështu dëgjohet duke thënë drejtoresha e Higjienës Komunale Kosana Nikoliç Mazneva, në një bisedë telefonike me punëtorët e saj të cilët prej mbrëmë në shenjë revolte për mosplotësim të kushteve dhe përjashtimit të dhjetëra kolegëve të tyre nga puna, nuk dalin në terren për t’i mbledhur mbeturinat, njofton Portalb.mk.

“Të hënën do të lexohen prej të parit deri të fundit 300 persona, 200, treqind – treqind. Le të mendojnë në familjen dhe bukën dhe të mos i mbrojnë ato që i mbrojnë. Jam jashtëzakonisht serioze. Sikur i kam shpallur 10 persona në tabelën e shpalljes, ata që janë dhe janë dorëzuar padi penale asgjë nuk do të më ndalojë edhe 200 të tjerë t’i shpall”, dëgjohet duke thënë Mazneva.

Përveç largimit nga puna, drejtoresha u thotë punëtorëve se do t’u dorëzojë edhe padi penale.

Kjo është, nëse nuk hipin në kamionë në këtë moment të jenë në shërbim të qytetarëve dhe t’i mbledhin mbeturinat të mos shpërndahet infektim nëpër qytet, pasi kjo nuk është grevë – për grevë ka procedurë, duhet të dorëzohen kërkesa të shkruara, të bisedohet me sindikatën, ka kornizë ligjore se si bëhet ajo, ky është totalisht bunt, obstruksion të procesit të punës dhe nuk shkohet kundër meje, por kundër interesave të qytetarëve në Qytetin e Shkupit. Domethënë, 200 punëtorë nëse nuk dalin, unë 200 persona do t’i shpall në tabelën e shpalljes, prej te i pari deri tek i fundit me padi penale të dorëzuara. Me bazë të trashë për vepër penale. Siç kanë qenë ata 10 persona, do të jenë edhe 200 të tjerë. Qytetarët nuk janë fajtorë që të mos u mblidhen mbeturinat dhe të shpërndahet infeksion. Është verë dhe për 24 orë do të fillojnë të dalin minjtë nga kanalizimi”, dëgjohet duke thënë Mazneva.

Në fund ajo e përsërit qëndrimin se të hënën të mos vijnë në punë ata që sot nuk punojnë.

“Nëse mendojnë mirë se çfarë bëjnë. Këto persona që për momentin nuk do të hipin në kamionë, të hënën fare të mos vijnë në punë. Nuk ka bisedime të hënën, nuk ekziston diçka e tillë”, thotë Mazneva.

Bisedën mund ta dëgjoni më poshtë:

Portalb.mk, kërkoi qëndrim nga drejtoresha Mazneva, por ajo nuk iu përgjigj thirrjes sonë telefonike e as sms-porosisë.

Në ndërkohë, punëtorët vazhdojnë të protestojnë në hapësirat e Higjienës Komunale dhe nuk dalin në terren pa i kthyer kolegët e tyre dhe pa i ua plotësuar kërkesat.

Nuk i mbledhim mbeturinat derisa nuk kthehen në punë kolegët e përjashtuar, thonë punëtorët e Higjienës Komunale në protestë

Punëtorët e Higjienës Komunale Shkup mbrëmë kanë protestuar në shenjë revolte ndaj menaxhmentit pasi që siç thonë ata, i kanë larguar dhjetëra punëtorë, por edhe se nuk plotësohen kërkesat e tyre për rritje të pagës, K-15 dhe stazh të beneficuar. Siç thanë ata, derisa nuk kthehen në punë kolegët dhe nuk plotësohen kërkesat e tyre, nuk do të dalin në terren t’i mbledhin mbeturinat, njofton Portalb.mk.

Dhjetëra punëtorë të Higjienës Komunale sonte nuk dolën për t’i mbledhur mbeturinat në shenjë revolte nga udhëheqësia e Higjienës komunale pasi që dhjetëra kolegë të tyre pa arsye nuk ua ka vazhduar kontratën. Në mesin e të përjashtuarve nga puna, sipas punëtorëve, është edhe kryetari i Sindikatës së Higjienës Komunale Deli Dardhishta me përvojë pune mbi 30 vjet. Sipas tyre, vetëm sot janë larguar nga puna 7-8 persona me vendim pune, ndërsa dje kanë larguar 40 persona. Ata mes tjerash theksojnë se 50 punëtorë tjerë kanë marrë paralajmërim për përjashtim pasi kanë protestuar një javë më parë. Ata ankohen se drejtoresha i shikon kamerat e sigurisë dhe kush shihet se ka protestuar, e largon nga puna.

“10 vjet jam në punë me kontratë dhe më ka larguar pa asnjë arsye. Punëtorët nuk kanë mbështetje prej askujt, as prej Qytetit të Shkupit e as prej Qeverisë. Si mundet për qeveritarët të hipin rrogat 78% dhe për punëtorët hiç, kur këta punëtorë tërë ditën janë në mbeturina. Kërkojmë mbështetje edhe nga qytetarët. Dy ditë nëse ne nuk dalim t’i pastrojmë mbeturinat do të shihni se si do të jetë. Së pari neve duhet të na rrisin rrogat dhe pastaj tjerëve. Edhe ne duam të na rritet 78%, pasi edhe ne kemi fëmijë jo vetëm ata. Derisa nuk plotësohen kërkesat tona ne nuk do të lëshojmë pe dhe nuk dalim në terren. Le të vijë kryeministri e kryetarja e Shkupit e kushdo, por derisa nuk plotësohen kushtet ne nuk dalim në terren”, tha njëri prej punëtorëve të përjashtuar.

“Kryetarin e Sindikatës e ka përjashtuar prej pune vetëm pse na ka qëndruar pas neve punëtorëve, pa kurrfarë arsye. Rroga mesatare te ne është 20.000 denarë, nën minimalen. Me i heq paratë e bukës dhe udhës rroga jonë është 15.000 denarë. Me 40 vjet stazh s’mundet të më përjashton prej pune, le të më mbyte ose të më burgose, kurrgjë s’jam duke kërkuar vetëm buke me hangër. Puna bëhet. Ne jemi të përgatitur, le të plotësohen kërkesat ne dalim menjëherë”, tha një punëtor tjetër për Portalb.mk.

“Ato që i ka nxjerrë prej pune patjetër t’i kthejë se përndryshe nuk dalim. Pa i kthye Delinë dhe Ajdinin (kryetarin e Sindikatës dhe një të punësuar tjetër), dera nuk ka të hapet. Edhe kushtet të na japë atë që na takojnë ose ne të japë dorëheqje. Edhe ato tjerët punëtorë të administratës le të vijnë se dy javë rrijmë me stres”, deklaroi një punëtor tjetër.

Derisa punëtorët ishin duke treguar revoltën e tyre, për vizitë erdhi kryetari i Sindikatës së SUTKOZ-it, Stole Kashikovski, pjesë e të cilës bën edhe Sindikata e Higjienës Komunale.

“Unë dua t’u them kolegëve nga Higjiena Komunale Shkup se nga ana e Sindikatit SUTKOZ ku dhe ata përkasin do ta kenë mbështetjen tonë të plotë, edhe atë juridike, por edhe çfarëdo lloj mbështetje dhe ne do të kërkojmë që kërkesat t’i zgjidhim nëpërmjet rrugës së bisedimeve dhe në takim me drejtoreshën, ndërkaq për hapat e mëtutjeshëm do të vendosin trupat dhe organet në higjienën komunale dhe organet tona në SUTKOZ”, tha Kashikovski.

Ai i dërgoi porosi drejtoreshës së Higjienës Komunale, Kosana Mazneva se “duhet të veprojë në pajtueshmëri me ligjet në shtet se duhet ta respektojë ligjin për harmonizim të pagave Higjienën Komunale dhe ta rrit rrogën, por edhe ta paguajë marrëveshjen kolektive”.

Në lidhje me largimin nga puna të kryetarit të Sindikatës së Higjienës Komunale, Kashikovski tha se përfaqësuesi sindikal nuk mund të thirret në përgjegjësi.

“Megjithatë, nuk kam parë konkretisht dokument që të mundem të ju them. Nëse është larguar nga puna, ne si SUTKOZ absolutisht do të marrim masa. Unë thash se do t’u japim mbështetje të plotë juridike.

Ai shtoi se ka informata, por jo të konfirmuar, se gjatë ditës së djeshme punëtorëve që janë angazhuar nëpërmjet agjencisë për punësim të përkohshëm nuk u janë vazhduar marrëveshjet.

“Megjithatë, nuk do të doja për momentin që të flas për këtë pasi nuk kam listë të saktë që të tregojë se për sa persona bëhet fjalë. Besoj që nga ana e drejtoreshës, të hënën do të kontaktohemi që të shohim se çfarë bëhet fjalë”, tha Kashikovski, i cili pas deklaratës bisedoi me punëtorët, të cilët ia treguan ankesat e tyre.

 

Në redaksinë Portalb.mk, gjatë ditës së djeshme ka pasur njoftim shtesë se administrata e Higjienës Komunale ka përjashtuar nga puna, gjegjësisht nuk ua ka vazhduar kontratat mbi 100 punëtorëve.

Portalb.mk, për këtë çështje ka shtruar pyetje deri te Higjiena Komunale, por për këtë nuk kemi marrë përgjigje. Drejtoresha e Higjienës Komunale Kosana Mazneca sot nuk e hapte telefonin në thirrjet e Portalb.mk.

Nga ana tjetër, një grup punëtorësh të Higjienës Komunale – Shkup, në redaksinë e Portalb.mk alarmojnë se drejtoresha Kosana Mazneva, nuk i përfill kërkesat e tyre për të biseduar për rritje të pagave, pagesën e K-15 dhe stazh të benificuar dhe për këtë kanë bërë protestë paralajmëruese. Sipas tyre, drejtoresha në vend t’i ftojë në takim, ua ka thirr Policinë. Higjiena Komunale hesht ndaj pyetjeve të Portalbit.

Gjatë gushtit dhe nëntorit të vitit 2022, Mazneva largoi nga puna 112 persona nën arsyetimin se nuk janë të rregullt në punë. Sipas verifikimeve të Portalb.mk, shumica ishin shqiptarë.

Asokohe, Portalb.mk bisedoi me katër punonjës të Higjienës Komunale, të cilët thanë se arsyeja e largimit nga puna është që në vend të tyre të vendosë militantë partiakë.

Kosana Mazneva u emërua drejtoreshë nga kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska më 12 korrik të vitit 2022, pasi paraprakisht u shkarkua asokohe drejtori i vetëm shqiptarë i ndërmarrjeve publike të Qytetin e Shkupit, Zudi Koka për shkak të incidentit gjatë protestave antievropiane në Shkup, ku vëllai i tij kishte gjuajtur me armë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.