Pas bllokadës së “Higjienës Komunale”, disa komuna kanë filluar të pastrojnë lagjet e tyre duke kërkuar përgjegjësi nga Qyteti i Shkupit

Kryetarët e disa komunave kanë njoftuar që tashmë kanë filluar pastrimin e disa lagjeve nëpër komunat e tyre, duke e vlerësuar problemin me Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale” si skandal të Qytetit të Shkupit, transmeton Portalb.mk.

“Paaftësia e udhëheqjes së institucioneve të qytetit të Shkupit, sërish dolën në sipërfaqe. Nuk do të lejoj rrugët të mbushen me mbeturina, organizojmë mbledhjen e mbeturinave në Gazi Babë”, deklaroi kryetari i kësaj komune, Stefkovski, i cili falënderoi Komunën e Ilindenit dhe Petrovecit për ndihmën e ofruar në lidhje me pajisjet për pastrim.

Ai theksoi që qytetarët janë duke u përballur me probleme nga Qyteti i Shkupit, përkundër asaj se të gjitha taksat për mbledhjen e mbeturinave paguhen nga qytetarët.

Mbledhje të mbeturinave kanë paralajmëruar edhe Komuna Qendër, Kisella Vodë, Butel, Aerodrom dhe Çairi.

“Duke marrë parasysh situatën kaotike në të cilën po kalon NP Higjiena Komunale – Shkup, rrjedhimisht pasojat që kjo situatë po i krijon në teren, dua që t’ju informoj se edhepse mbledhja e mbeturinave nuk është kompetencë e Komunës së Çairit, ne, duke i shfrytëzuar të gjitha kapacitetet tona, me punëtorët sezonal, kemi angazhuar shtesë edhe kompani private për mbledhjen e mbeturinave”, deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu.

Ai falënderoi Komunën e Tetovës për ndihmën e ofruar me qëllimin e vetëm të parandalojnë kaos më të madh në këtë periudhë.

Ndryshe, punonjësit e Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”-Shkup kanë pranuar që vetëm institucionet shëndetësore t’i pastrojnë dhe të vazhdojnë me protestën e tyre në hapësirat e ndërmarrjes. Protesta e tyre ka vazhduar edhe sonte, tashmë me kërkesën për shkarkimin e drejtoreshës së kësaj ndërmarrjeje.

Me ndihmën e forcave policore protestuesit u mënjanuan, ashtu që kamionët e ndërmarrjes dolën nga oborri i Ndërmarrjes. Pas largimit të kamionëve, u larguan edhe forcat policore nga protestuesit, ndërkohë një protestues tashmë ka marrë lëndime trupore, për çka erdhi edhe ndihma e shpejtë. Ndërkohë, Policia vazhdon të pengon raportimin e gazetarit nga vendi i ngjarjes, duke shkaktuar presion të vazhdueshëm për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Punëtorët e Higjienës Komunale Shkup prej 7 korrikut protestojnë në shenjë revolte ndaj menaxhmentit pasi që siç thonë ata, i kanë larguar dhjetëra punëtorë, por edhe se nuk plotësohen kërkesat e tyre për rritje të pagës, K-15 dhe stazh të beneficuar.

Siç thonë ata, derisa nuk kthehen në punë kolegët dhe nuk plotësohen kërkesat e tyre, nuk do të dalin në terren t’i mbledhin mbeturinat.

Në mesin e të përjashtuarve nga puna, sipas punëtorëve, është edhe kryetari i Sindikatës së Higjienës Komunale, Deli Dardhishta me përvojë pune mbi 30 vjet.

Sipas tyre, janë larguar nga puna me dhejtëra persona, ndërsa 50 punëtorë tjerë kanë marrë paralajmërim për përjashtim pasi kanë protestuar një javë më parë.

Ata ankohen se drejtoresha i shikon kamerat e sigurisë dhe kush shihet se ka protestuar, e largon nga puna.

Drejtoresha e Higjienës Komunale, Kosana Mazneva, rreth orës 1 të mëngjesit mbrëmë, me asistencë policore erdhi për t’i lutur punëtorët që të dalin t’i pastrojnë rrugët me disa premtime të vakta për zgjidhjen e problemit, megjithatë punëtorët njëzëri refuzuan që të dalin në terren pa u plotësuar kushtet. Ajo u ndesh drejtpërdrejtë me punëtorët, të cilët deri sot ka refuzuar t’i takojë.

Kosana Mazneva u emërua drejtoreshë nga kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska më 12 korrik të vitit 2022, pasi paraprakisht u shkarkua asokohe drejtori i vetëm shqiptarë i ndërmarrjeve publike të Qytetin e Shkupit, Zudi Koka për shkak të incidentit gjatë protestave antievropiane në Shkup, ku vëllai i tij kishte gjuajtur me armë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.