Punëtorët e Higjienës Komunale e ndërprenë protestën, do të dalin në terren, por kërkesat vazhdojnë të vlejnë

Punëtorët e Higjienës Komunale Shkup e ndërprenë protestën, konfirmojnë për Portalb.mk nga Sindikata e Higjienës komunale, ndërkaq kërkesat për kthimin e punëtorëve të përjashtuar, rritje të pagave dhe stazh të beneficuar vazhdojnë të vlejnë dhe do të kërkohen në ditët në vijim, shkruan Portalb.mk.

“Pas mbledhjes me SUTKOZ-in (Lidhjen e Sindikatave ku bën pjesë edhe Sindikata e Higjienës Komunale Shkup) e kemi ndërprerë protestën dhe të gjithë punëtorët kanë filluar të dalin në terren për t’i pastruar mbeturinat. Në ditët në vijim do të vazhdojmë që t’i trajtojmë kërkesat tona, për mënyrën se si, do të vendosim plotësisht”, thanë nga Sindikata për Portalb.mk.

Më herët, kryetarja e Qytetit të Shkupit, paraprakisht Danella Arsovska, tha se punëtorët e Higjienës Komunale kanë dalë në terren të pastrojnë dhe se situata në ndërmarrje po normalizohet.

Partitë maqedonase, VMRO, LSDM dhe Arsovska, hedhin akuza të ndërsjella për gjendjen me mbeturinat në Shkup. Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska akuzoi liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskin, është person që fshihet pas këtyre problemeve, duke shtuar që “këta politikan janë bërlloku më i madh që qyteti ka parë”. Nga VMRO, e kanë cilësuar Arsovskën si “destruktive dhe kriminale deri në asht, duke kërkuar edhe dorëheqje të menjëhershme”. Nga ana tjetër LSDM, akuzon se bashkëfajtorë në kaosin me mbeturinat janë edhe kryetarët, siç i quan kjo parti, të paaftë të VMRO-së.

9-10 korrik 


Situata gjatë ditës ishe e qetë, ndërsa punonjësit e Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”- Shkup pranuan që vetëm institucionet shëndetësore t’i pastrojnë dhe të vazhdojnë me protestën e tyre në hapësirat e ndërmarrjes.

Në mbrëmje me ndihmën e forcave policore protestuesit u mënjanuan, ashtu që kamionët e ndërmarrjes dolën nga oborri i ndërmarrjes për të pastruar qytetin. Këto kamionë u vozitën nga disa persona që drejtoresha Mazneva i solli për të kryer punën. Pas largimit të kamionëve, u larguan edhe forcat policore nga protestuesit, ndërsa tre protestues mbetën të lënduar, për çka erdhi edhe Ndihma e Shpejtë. Policia nuk lejoi gazetarin tonë të xhirojë momentin e ndërhyrjes së policisë, duke i shkaktuar presion të vazhdueshëm për t’u larguar.

Nga ana tjetër, kryetarët e disa komunave të Shkupit u angazhuan vetë të pastrojnë territorin e tyre, duke e vlerësuar problemin me Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale” si skandal të Qytetit të Shkupit. Komuna e Çairit mori ndihmë nga Komuna e Tetovës për pastrimin e mbeturinave. Mbeturinat e mbledhura të komunës së Kisella Vodës dhe Aerodromit, përfunduan në rrugë pasi që deponia “Drislla” nuk i hapi dyert, duke thënë se nuk kanë marrëveshje për shkarkim të mbeturinave.

Në Qytetin e Shkupit, u mbajt mbledhje e jashtëzakonshme e Shtabit të Krizës, ndërsa pas mbledhjes për media foli kryetarja e Qytetit, Danella Arsovska. Ajo protestën e vlerësoi “bllokadë mafioze” dhe lajmëroi që do të pastrojnë vetë mbeturinat.

 

8-9 korrik

Drejtoresha e Higjienës Komunale, Kosana Mazneva, pas mesnatës së 8 korrikut me asistencë policore erdhi për t’i lutur punëtorët që të dalin t’i pastrojnë rrugët, me disa premtime të vakta për zgjidhjen e problemit, megjithatë punëtorët njëzëri refuzuan që të dalin në terren pa u plotësuar kushtet.

Drejtoresha u premtoi punëtorëve se do t’ua lëshojë K-15 prej muajit të ardhshëm, por kërkoi që të dalin në terren me qëllim që të vazhdojnë bisedimet për të gjitha çështjet.

Nga ana tjetër, punëtorët vazhdojnë të kërkojnë rritje të rrogave, stazh të beneficuar, por edhe kthimin e punëtorëve të përjashtuar nga puna.

7-8 korrik

Punëtorët e Higjienës Komunale Shkup prej 7 korrikut protestojnë në shenjë revolte ndaj menaxhmentit pasi që siç thonë ata, i kanë larguar dhjetëra punëtorë, por edhe se nuk plotësohen kërkesat e tyre për rritje të pagës, K-15 dhe stazh të beneficuar.

Siç thonë ata, derisa nuk kthehen në punë kolegët dhe nuk plotësohen kërkesat e tyre, nuk do të dalin në terren t’i mbledhin mbeturinat.

Në mesin e të përjashtuarve nga puna, sipas punëtorëve, është edhe kryetari i Sindikatës së Higjienës Komunale, Deli Dardhishta me përvojë pune mbi 30 vjet.

Sipas tyre, janë larguar nga puna me dhjetëra persona, ndërsa 50 punëtorë tjerë kanë marrë paralajmërim për përjashtim pasi kanë protestuar një javë më parë.

Ata ankohen se drejtoresha i shikon kamerat e sigurisë dhe kush shihet se ka protestuar, e largon nga puna.

Kosana Mazneva u emërua drejtoreshë nga kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska më 12 korrik të vitit 2022, pasi paraprakisht u shkarkua asokohe drejtori i vetëm shqiptarë i ndërmarrjeve publike të Qytetin e Shkupit, Zudi Koka për shkak të incidentit gjatë protestave antievropiane në Shkup, ku vëllai i tij kishte gjuajtur me armë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.

  • Gjithçka që ndodh në lidhje me rastin mund të ndiqni LIVE në Facebook-un e Portalbit si dhe në këtë LINK.