Arsovska: Shkupi po pastrohet, ekipet e Higjienës janë në terren

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se punëtorët e Higjienës Komunale kanë dalë në terren dhe se situata në ndërmarrje po normalizohet, transmeton Portalb.mk.

“Arritëm të përvetësojmë edhe një fitore për të mbrojtur interesin publik, interesin e qytetarëve të Shkupit. Shkupi po pastrohet, ekipet e Higjienës Komunale Shkup janë në terren, gjendja në ndërmarrje është normalizuar. Nuk lejuam dhe nuk do të lejojmë që strukturat mafioze së bashku me mbeturinat politike të dëmtojnë interesat e qytetarëve të Maqedonisë. Ajo që u kam premtuar qytetarëve është se do të punoj me ndershmëri dhe në interes të tyre dhe asgjë nuk do të më pengojë që ta përmbush premtimin”, thuhet në postimin e Arsovskës.

Nga ana tjetër, vazhdon edhe sot protesta e punëtorëve dhe disave që janë larguar nga puna nga Higjiena Komunale – Shkup. Ka katër ditë që ata me anë të protestës kërkojnë, kthimin në punë të punëtorëve të përjashtuar pa arsye, paga dinjitoze, K-15 dhe stazh të beneficuar, si dhe së fundmi edhe shkarkimin e drejtoreshës së kësaj ndërmarrjeje. Situata me protestuesit mbrëmë ishte e tensionuar pas ndërhyrjes së policisë me forcë për të lejuar disa persona të nxjerrin kamionët nga ndërmarrja, duke lënduar edhe tre persona, transmeton Portalb.mk.

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, tha se punëtorët e Higjienës Komunale kanë dalë në terren të pastrojnë dhe se situata në ndërmarrje po normalizohet.

Partitë maqedonase, VMRO, LSDM dhe Arsovska, hedhin akuza të ndërsjella për gjendjen me mbeturinat në Shkup. Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska akuzoi liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskin, është person që fshihet pas këtyre problemeve, duke shtuar që “këta politikan janë bërlloku më i madh që qyteti ka parë”. Nga VMRO, e kanë cilësuar Arsovskën si “destruktive dhe kriminale deri në asht, duke kërkuar edhe dorëheqje të menjëhershme”. Nga ana tjetër LSDM, akuzon se bashkëfajtorë në kaosin me mbeturinat janë edhe kryetarët, siç i quan kjo parti, të paaftë të VMRO-së.

9-10 korrik 


Situata gjatë ditës ishe e qetë, ndërsa punonjësit e Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”- Shkup pranuan që vetëm institucionet shëndetësore t’i pastrojnë dhe të vazhdojnë me protestën e tyre në hapësirat e ndërmarrjes.

Në mbrëmje me ndihmën e forcave policore protestuesit u mënjanuan, ashtu që kamionët e ndërmarrjes dolën nga oborri i ndërmarrjes për të pastruar qytetin. Këto kamionë u vozitën nga disa persona që drejtoresha Mazneva i solli për të kryer punën. Pas largimit të kamionëve, u larguan edhe forcat policore nga protestuesit, ndërsa tre protestues mbetën të lënduar, për çka erdhi edhe Ndihma e Shpejtë. Policia nuk lejoi gazetarin tonë të xhirojë momentin e ndërhyrjes së policisë, duke i shkaktuar presion të vazhdueshëm për t’u larguar.

Nga ana tjetër, kryetarët e disa komunave të Shkupit u angazhuan vetë të pastrojnë territorin e tyre, duke e vlerësuar problemin me Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale” si skandal të Qytetit të Shkupit. Komuna e Çairit mori ndihmë nga Komuna e Tetovës për pastrimin e mbeturinave. Mbeturinat e mbledhura të komunës së Kisella Vodës dhe Aerodromit, përfunduan në rrugë pasi që deponia “Drislla” nuk i hapi dyert, duke thënë se nuk kanë marrëveshje për shkarkim të mbeturinave.

Në Qytetin e Shkupit, u mbajt mbledhje e jashtëzakonshme e Shtabit të Krizës, ndërsa pas mbledhjes për media foli kryetarja e Qytetit, Danella Arsovska. Ajo protestën e vlerësoi “bllokadë mafioze” dhe lajmëroi që do të pastrojnë vetë mbeturinat.

 

  • Gjithçka që ndodh në lidhje me rastin mund të ndiqni LIVE në Facebook-un e Portalbit si dhe në këtë LINK.