Petrovska nga Forumi i Sigurisë në Varshavë: Investojmë në mbrojtje për Maqedoni më të sigurt, NATO më të fortë

Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska sot në mëngjes mori pjesë në diskutimin e nivelit të lartë me temën “Evropa në luftë: Forcimi i mbrojtjes kolektive të NATO-s”, në të cilin së bashku me kryetarin e Komitetit Ushtarak të Aleancës, admiralin Rob Bauer, ministri slloven o Mbrojtjes Marjan Sharec dhe Ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar James Hippie, të moderuar nga ish-komandanti i Ushtrisë Amerikane për Evropë, Gjenerali në pension Ben Hodges, diskutuan për situatën në Kosovë, integrimin evropian të vendeve të rajonit, bashkëpunimin rajonal, si dhe mbështetje për Ukrainën dhe ndikimin rus në këtë pjesë të Evropës, transmeton Portalb.mk.

Për Maqedoninë e Veriut, theksoi ministrja Petrovska, prioriteti i parë është investimi në mbrojtje dhe ngritja e kapaciteteve të Grupit të Batalionit të Lehtë të Këmbësorisë si objektivi ynë i kapaciteteve të NATO-s.

“Çdo investim që bëjmë në mbrojtje nuk është një investim që e bëjmë vetëm sepse jemi vend anëtar i NATO-s, por mbi të gjitha e bëjmë për të forcuar sistemin tonë të mbrojtjes kombëtare dhe sigurisht për të kontribuar në sistemin e mbrojtjes kolektive të NATO-s. Vitin e ardhshëm do të ndajmë 2% të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen, por më e rëndësishmja, më shumë se 30% e këtyre mjeteve do të investohen në modernizim dhe pajisje”, tha ministrja.

Ajo nënvizoi se Maqedonia e Veriut, si anëtare e NATO-s, jo vetëm që është përfituese e përfitimeve të anëtarësimit, por edhe kontribuon aktivisht në sistemin e mbrojtjes kolektive.

Lidhur me kërcënimet hibride dhe dezinformatat e dëmshme që vijnë nga aktorë të ndryshëm, ministrja theksoi se qëllimi i fushatave ruse të dezinformimit është të minojnë autoritetin e Ministrisë dhe të saj personalisht si ministre dhe se mënyra më e mirë për t’u përballur me këtë ndikim është transparenca, çiltërsia dhe shkëmbimi i vazhdueshëm informacioni. Petrovska vuri në dukje disa shembuj, si dezinformatat se gatishmëria luftarake e Ushtrisë po zvogëlohet me donacionet e pajisjeve ushtarake për Ukrainën, ndërsa theksoi se qëndrueshmërinë po e ndërtojmë me disa hapa.

“Hapi i parë është të jemi të vetëdijshëm se ku po synon ndikimi rus në Maqedoninë e Veriut dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Së dyti, ne duhet të kemi një përkushtim të qartë politik që duam të merremi me këtë ndikim të dëmshëm rus, dhe këtë e kemi në Maqedoninë e Veriut, dhe së treti, duhet të marrim masa dhe aktivitete të caktuara dhe këtë po e bëjmë”, nënvizoi ministrja. Ajo shtoi se në periudhën e kaluar më shumë se 20 persona janë shpallur “persona non grata” sepse është konstatuar se nuk kanë punuar sipas rregullave diplomatike dhe se janë përpjekur të kenë ndikim negativ në punët e brendshme dhe në punën e institucioneve.

Ministrja Petrovska tha se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë dobësi që njihen, por ndryshe nga demokracitë perëndimore që përpiqen të ndihmojnë në tejkalimin e dobësive, Rusia i keqpërdor ato për të thelluar dallimet dhe për të krijuar kriza.

Lidhur me ndihmën dhe mbështetjen e Ukrainës, ministrja theksoi se deri më tani Maqedonia e Veriut ka marrë më shumë se dhjetë vendime për donacion dhe se shteti është i gatshëm ta vazhdojë këtë ndihmë sipas kërkesave nga Ukraina dhe kapaciteteve vendore, përderisa është e nevojshme.

“Ne jemi të vetëdijshëm se Ukraina po bën një luftë që është e rëndësishme për të gjithë ne. Ata po luftojnë për të drejtën e tyre për të jetuar në një vend sovran dhe të pavarur si ky i tyre, ndaj meritojnë mbështetjen tonë në çdo mënyrë”, përfundoi ministrja.

Ministri i Mbrojtjes i Sllovenisë, Marjan Sharec, duke folur për proceset integruese në rajon, tha se anëtarësimi në NATO për Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi është një hap i shkëlqyer, por se duhet të shkojë së bashku me anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Prania e Bashkimit Evropian në rajon është ilaçi më i mirë për tensionet në Ballkan dhe për këtë arsye vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëhen sa më shpejt anëtarë të plotë të unionit”, tha ministri Sharec.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.