Mariçiq: Nuk pres bllokada të reja nga Bullgaria pas ndryshimeve kushtetuese

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane dhe kryenegociatori me BE-në, Bojan Mariçiq, tha se nuk do të ketë bllokada të reja nga Bullgaria për vendin tonë pasi të zbatojmë ndryshimet kushtetuese. Mariçiq thotë se të gjitha detyrimet tona me Bullgarinë janë të shkruara në letër dhe janë të inkorporuara ose në Kornizën e negociative ose në konkluzionet që kemi nga Këshilli i BE-së nga viti i kaluar, transmeton Portalb.mk.

Mariçiq iu përgjigj pyetjes së një gazetari për të komentuar deklaratën e ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAC) se Maqedonia e Veriut është vendi më i keqpërdorur në procesin e zgjerimit të BE-së, por edhe se ai ka besim se Bullgaria do të formulojë vazhdimisht kërkesa të reja.

Mariçiq tha sot se nuk e di se çfarë ka thënë Osmani, por ka theksuar se çfarë do të ndodhë pas ndryshimeve kushtetuese është e sigurt.

“Së pari, ne e dimë se pas përfundimit të ndryshimeve kushtetuese, Konferenca e Dytë Ndërqeveritare duhet të mblidhet automatikisht dhe për këtë kemi siguri të prerë nga presidenca spanjolle dhe ato në vijim… Çdo shtet anëtar mund të ngrejë një çështje disa herë gjatë negociatave, por mendoj se pas përfundimit të amendamenteve kushtetuese askush, sidomos Bullgaria, nuk do të ketë kredibilitet për të bërë asnjë lloj bllokimi, sepse mendoj se ka pasur mjaft bllokada”, tha Mariçiq.

I pyetur nëse ka ndonjë informacion për reagimin bullgar ndaj kërkesës në propozimin franko-gjerman për heqjen e vetos në proces, ai thotë se për momentin nuk ka asnjë reagim zyrtar.

“Nuk ka asnjë reagim zyrtar, por jam i sigurt se kur të vijnë ato tema për t’u diskutuar, do të ketë vende, jo vetëm Bullgaria dhe të tjera, që do të kenë kundërshtim për atë mënyrë të ndryshimit të parimit, të unanimitet në fushën e zgjerim. Por është një luftë që ne nuk duhet ta luftojmë, është një betejë brenda BE-së”, shtoi ai.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.