RMV, propozim Ligji për drejtësi për fëmijët deri në fund të tetorit do të dërgohet në procedurë qeveritare 

Përpunimi i këtij ligji ishte gjithëpërfshirës, ​​me pjesëmarrjen e të gjitha subjekteve në sistemin e drejtësisë për fëmijë, UNICEF-it dhe organizatave joqeveritare. Grupi punues për përgatitjen e Propozim Ligjit për drejtësi për fëmijët në procesin e konsultimeve me palët e interesuara i kushtoi vëmendje të veçantë rekomandimeve për përmirësimin e kornizës legjislative për drejtësi për fëmijë të hartuara nga UNICEF-i në Republikën e Maqedonisë së Veriut, njoftoi Ministria e Drejtësisë, transmeton Portalb.mk

“Me zgjidhjet e propozuara është bërë një hap i rëndësishëm përpara duke përcaktuar interesin më të mirë të fëmijës, ndërsa pritet që roli i qendrave të punës sociale në zbatimin e drejtësisë restauruese, pra procedurave jashtëgjyqësore, për një veprim të një fëmije, i cili veprim me ligj është parashikuar si vepër penale apo kundërvajtje, do të rritet mbrojtja e fëmijëve viktima nga viktimizimi dytësor në pajtim me standardet evropiane”, thonë nga Ministria e Drejtësisë. 

Veçanërisht, shtojnë, të rëndësishme janë zgjidhjet e propozuara në nenet 97 dhe 98, në të cilat është transponuar Direktiva e Parlamentit Evropian për masat mbrojtëse procedurale për fëmijët që janë të dyshuar ose janë të akuzuar në procedurë penale dhe të njëjtat rregullojnë të drejtën e fëmijës në udhëzim për të drejtat dhe të drejtën për t’u shoqëruar nga prindi/kujdestari gjatë hetimit para organit që udhëheq procedurën ose nga një person tjetër të moshës madhore i përcaktuar nga fëmija.

“Do të riafirmohet sistemi i specializimit të subjekteve në sistemin e drejtësisë për fëmijët, me çka punëtorët profesionistë në qendrat e punës sociale, gjyqtarët, prokurorët publikë, avokatët dhe ndërmjetësit duhet të ndjekin trajnime të specializuara për të drejtat e fëmijëve dhe delikuencën e fëmijëve, të paktën pesë ditë gjatë vitit, në vend ose jashtë vendit”, shtojnë nga Ministria e Drejtësisë.