Projektligji për amnisti ka hyrë në Kuvend, Qeveria propozoi që të kalohet me procedurë të shkurtuar

Qeveria ka dërguar në Kuvend projektligjin për amnisti, njoftojnë nga zyra e kryeparlamentarit Talat Xhaferi. Ligji është propozuar të kalojë me procedurë të shkurtuar dhe tashmë kryetari i Kuvendit ua ka dorëzuar deputetëve, transmeton Portalb.mk.

Projektligji për amnisti, i propozuar nga ministri i drejtësisë, Krenar Lloga, mbulon shtetasit e Maqedonisë të cilët janë dënuar nga një gjykatë e huaj ose ndërkombëtare në përputhje me ligjet penale të një shteti të huaj dhe janë duke vuajtur dënimin në Maqedoninë e Veriut pas marrjes së aktgjykimit të njohur nga një gjykatë kompetente në vend, sipas marrëveshjes ndërkombëtare të ratifikuar.

Ligji propozon lirimin e plotë të personave që janë dënuar me burgim deri në gjashtë muaj dhe për të dënuarit që janë dënuar me burg mbi gjashtë muaj propozohet që të lirohen nga vuajtja e 30 për qind të dënimit.

Propozimi i ligjit nuk vlen për personat që janë dënuar me burgim të përjetshëm, për veprën penale të vrasjes, për krime kundër zgjedhjeve dhe votimit, kundër lirisë gjinore dhe moralit gjinor, kundër shtetit, kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare.

Amnistia nuk do të zbatohet gjithashtu për krimet e grabitjes, mashtrimit në dëm të fondeve të Bashkimit Evropian, pastrimit të parave dhe produkteve të tjera të veprës penale, shpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar, punës nga pakujdesia në shërbim, marrjes së ryshfetit, dhënia e ryshfetit, dhënia e shpërblimit për ndikim të paligjshëm dhe për marrjen e shpërblimit për ndikim të paligjshëm, të gjitha nga Kodi Penal.

Përveç kësaj, amnistia nuk u referohet personave të dënuar me aktgjykim të formës së prerë për të cilët deri në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji është lëshuar fletarrest për shkak se janë të paarritshëm për organet e përndjekjes.

Nëse votohet ky propozim-ligj, kjo do të jetë hera e katërt në vendin tonë. Hera e parë ka qenë në vitin 2017, hera e dytë kah fundi i vitit 2019 kur u votua amnistia për një pjesë të të akuzuarve për 27 prillin, hera e tretë këtë vit kur u votua amnistia për shkelësit e protokolleve të Kovidit gjatë pandemisë.