Të rinjtë nuk e dinë çfarë ka ndodhur, por ende jetojnë me pasojat: Ballkani përballë një brezi të ri
Ndryshimi i rendit gjeopolitik në Evropë, pasiguria rreth zgjerimit të Bashkimit Evropian, rritja e ndikimit të së djathtës ekstreme dhe raporti i gjeneratave të reja me të kaluarën e Ballkanit ishin në fokus të debatit publik “Ballkani Perëndimor në një rend në ndryshim: Zgjerimi, Identiteti dhe e Ardhmja Demokratike”, që u mbajt sot në Shkup, shkruan Portalb.mk.
Në panel morën pjesë filozofi dhe teoricieni Boris Buden, profesori universitar nga Greqia Ioannis Armakolas dhe profesori i Fakultetit Juridik “Justiniani i Parë” në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, Aleksandar Spasov.
Panelin e hapi ish-presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili theksoi rëndësinë e diskutimit mbi identitetin kombëtar dhe demokracinë.
“Sot do të fokusohemi në Identitetin Kombëtar dhe Demokracinë, me ekspertë të shquar të cilët do ta trajtojnë këtë temë të rëndësishme. Shpreh mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit, folësit, institucionet dhe organizatat që ofruan mbështetje dhe kontribuuan në këtë organizim”, tha Pendarovski.
Në vijim të diskutimit, vëmendja u përqendrua te mënyra se si e kaluara e rajonit vazhdon të ndikojë në të tashmen, veçanërisht te raporti i gjeneratave të reja me historinë e viteve ’90.
Filozofi dhe teoricieni Boris Buden, tha se shoqëritë e sotme në Ballkanin Perëndimor duhet ta shohin realitetin i cili i rrethon, por edhe historinë dhe gjenealogjinë në të cilën po jetojnë. Pasi siç tha ai, vetëm kështu mund të kuptojmë njëri-tjetrin dhe të lëvizim nga BE-ja.
Ai gjithashtu theksoi se realiteti po ndryshon dhe se ndryshimet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, ndërsa paralajmëroi për thellësinë e krizave me të cilat përballen shoqëritë.
Buden u fokusua veçanërisht te raporti i gjeneratave të reja me të kaluarën jugosllave dhe luftërat e viteve ’90. Sipas tij, ekziston një lloj “flluskë” e njerëzve që merren me Jugosllavinë dhe periudhën post-jugosllave, e cila nuk përfaqëson domosdoshmërisht mënyrën se si pjesa tjetër e shoqërisë e sheh këtë histori dhe rajonin e Ballkanit në përgjithësi.
“Shumë prej problemeve të sotme të rajonit vazhdojnë të jenë të lidhura me periudhën e viteve ’90 dhe krizat e saj periudhe. Sepse për ta kuptuar më mirë sfidën e sotme të Ballkanit Perëndimor, duhet të njihet më mirë e kaluara dhe historia e saj. Sfida më e madhe sot është se si e shohin të rinjtë rajonin dhe a dëshirojnë të rinjtë të jetojnë në të dhe të ndërtojnë të ardhmen”, u shpreh Buden.
Më tej, ai shtoi se jo vetëm Ballkani, por e gjithë Evropa është e mbushur me kontradikta.
“Evropa sot nuk është ajo që ishte në vitet e ’80. Mesazhi im ndaj të gjithëve është që gjithmonë të shihet historia dhe realiteti në të cilën po jetojmë, pasi ka ndryshuar, po ndryshon dhe do të ndryshoj vazhdimisht. Çfarë dje ishte ideja më e mirë në politikë, kulturë apo në jetën sociale, sot lehtësisht mund të kthehet në të kundërtën”, nënvizoi ai.
Përderisa Buden u ndal te mënyra se si gjeneratat e reja e shohin të kaluarën e rajonit, profesori universitar Ioannis Armakolas u fokusua pikërisht te kjo distancë e të rinjve nga ngjarjet e viteve ’90 dhe pasojat që ajo mund të ketë në marrëdhëniet mes shoqërive të rajonit.
“Shembull studentët serb, e dinë se nuk i duan shqiptarët apo e kundërta, por ata nuk e dinë arsyen se pse nuk e duan njëri-tjetrin. Pastaj duhet t’u shpjegohet në mënyrë të veçantë se çfarë ka ndodhur dhe pse kemi ardhur në këtë situatë ku jemi sot”, tha Armakolas.
Por, për Armakolas, sfidat e rajonit nuk lidhen vetëm me mënyrën se si brezat e rinj e perceptojnë të kaluarën. Ai e zgjeroi diskutimin edhe te ndryshimet politike dhe gjeopolitike që kanë ndodhur në Evropë.
“Rrethanat e sotme janë dukshëm më pak të favorshme për integrim dhe për politika progresive sesa ato të periudhës së zgjerimit të BE-së në vitin 2004. Lufta në Ukrainë, çështjet e sigurisë, migracioni ilegal dhe rikthimi i gjeopolitikës si faktor qendror në politikën evropiane janë sfidat e reja me të cilat po përballet rajoni. Duke mos lënë anash as transformimin teknologjik, i cili gjithnjë e më shumë po merr hov dhe bota po orientohet nga teknologjia”, u shpreh Armakolas.
Ndryshimi i mjedisit politik dhe gjeopolitik evropian ishte edhe në qendër të diskutimit të profesorit universitar Aleksandar Spasov, i cili e trajtoi këtë çështje përmes përvojës së Maqedonisë së Veriut. Spasov u fokusua te përvoja e Maqedonisë së Veriut dhe periudha 2019–2024.
“Problemi nuk ishte se vendet e vogla nuk e kuptonin realitetin, por se edhe shtetet më të mëdha dhe më të fuqishme nuk e kishin të qartë se çfarë po vinte dhe mbi të gjitha, nuk dinin si të përballeshin me realitetin e ri dhe sfidat e reja që po shfaqeshin në kontinent. Procesi evropian, që dikur shihej kryesisht përmes integrimit dhe vlerave evropiane, tani është gjithnjë e më shumë i ndikuar nga gjeopolitika”, u shpreh Spasov.
Si shembull të këtij ndryshimi, Spasov përmendi përvojën e Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit euroatlantik. Në këtë kontekst, ai përmendi edhe zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë dhe anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.
“Ne përfituam nga kjo gjeopolitikë, si vend dhe si komb. Por, pas vitit 2019, sidomos me shfaqjen e virusit korona, realiteti ndryshoi dhe procesi i integrimit evropian u përball me një Evropë shumë më të ndryshme. Për momentin, nuk ka alternativë përveç anëtarësimit në BE, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, nënvizoi Spasov.
Spasov e ilustroi këtë situatë edhe përmes procesit të anëtarësimit të vendeve të tjera të rajonit në BE. Ai foli edhe për Malin e Zi, si një nga vendet më afër anëtarsimit në BE, ku theksoi se deri në pesë vende të BE-së, po tentojnë të pengojnë anëtarsimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian edhe pse kemi të bëjmë një vend me më pak se një milion banorë, pasi po përballen me forca të të djathtës në vendet e tyre.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.
Ato nënkuptojnë përfshirjen e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.
Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.
- LEXO: Marta Kos: Maqedonia duhet ta përmbushë premtimin dhe t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë
- LEXO: Mickoski: Kurrë më në një proces të ri me Bullgarinë pa parashikueshmëri, BE të jetë e pranishme në bisedimet me Sofjen
- LEXO: Mickoski nga Uashingtoni: Nuk ka tërheqje nga bisedimet me Bullgarinë, patriotët e vërtetë luftojnë dhe fitojnë
- LEXO: Marta Kos: Maqedonia duhet ta përmbushë premtimin dhe t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë