Cili është qëndrimi juaj në lidhje me ndryshimet ligjore për mbrojtjen e grave nga dhuna – Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi pyet publikisht Milloshoskin
Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi, në kuadër të nismës së tij „Muri i turpit“, i drejtoi pyetje publike kryetarit të Komisionit parlamentar për Çështje Evropiane, Antonio Milloshoski, duke kërkuar përgjigje dhe përgjegjësi politike për gjendjen me barazinë gjinore dhe mbrojtjen e grave nga dhuna, njofton Portalb.mk.
Nga Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi theksojnë se integrimi evropian nuk guxon të mbetet vetëm një angazhim deklarativ, por nënkupton avancimin e barazisë gjinore, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ballafaqimin efikas me dhunën me bazë gjinore. Me këtë rast, ata i referohen Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2026, në të cilin narrativat antigjinore janë theksuar si një nga arsyet për lëshimet sistemike në këtë fushë.
„A e lexuat Raportin e Komisionit Evropian të cilin e shqyrtoi komisioni që ju e kryesoni“, e pyesin Milloshoskin nga organizata joqeveritare.
Në kumtesën e tyre drejtuar Milloshoskit, nga nisma pyesin se si përputhen angazhimet për integrim evropian me dhënien e peshës politike aktorëve, narrativat e të cilëve Komisioni Evropian i njeh si problem. Përveç kësaj, ata kërkojnë që ai ta kumtojë publikisht qëndrimin e tij për ndryshimet e propozuara ligjore për mbrojtjen e grave nga dhuna dhe të sqarojë se çfarë hapash do të ndërmarrë për miratimin e tyre.
„Milloshoski, a i njihni në raport narrativat e atyre që ju lavdëruan publikisht? Pse vazhdoni t’i mbështesni të njëjtat grupe ekstremiste fetare?“, shtojnë nga organizata joqeveritare.
Vlerat evropiane dëshmohen përmes vendimeve politike dhe veprimeve konkrete, porosisin nga Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe insistojnë në përgjigje publike dhe përgjegjësi politike.
„Përgjigjuni publikisht familjeve të grave të vrara. Shtatë femicide në vitin 2026, ndërsa ndryshimet për mbrojtje nga dhuna të dorëzuara më 26 gusht ende presin. Milloshoski, ju pyesim publikisht nëse propozim-ndryshimet e Ligjit për Mbrojtjen dhe Parandalimin e Dhunës, të përgatitura nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe ekspertët, për ju janë tepër ‘progresive’ dhe ju personalisht i bllokoni?“, pyesin nga Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi.
Përveç Milloshoskit, në „Murin e turpit“ të organizatës joqeveritare tashmë janë gjendur edhe kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe kryetarja e Komisionit parlamentar për Mundësi të Barabarta të Grave dhe Burrave Zhaklina Peshevska.
Në fillim të fushatës „16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore“, përfaqësues të tre organizatave joqeveritare – Rrjeti Kombëtar kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, Platforma për Barazi Gjinore dhe Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi bënë thirrje për miratim urgjent të ndryshimeve të propozuara të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje.
Sipas paralajmërimeve të tyre, një pjesë e deputetëve, nën ndikimin e lëvizjeve antigjinore, po e bllokojnë procesin me qëllim që propozimi ekzistues të tërhiqet dhe të hapet një i ri në të cilin do të hiqen termat „gjini“, „dhunë me bazë gjinore“ dhe „identitet gjinor“, sipas shembullit të ndryshimeve të fundit ligjore në arsim.
- LEXO: Shtatë femicide këtë vit: Organizatat në RMV kërkuan masa konkrete e jo konferenca, thirrje për protesta
- LEXO: Delegacioni i BE-së në Maqedoninë e Veriut ka shprehur shqetësimin rreth rasteve të fundit të femicidit
- LEXO: “Mjaft me fushata simbolike”, organizatat në RMV kërkuan veprime konkrete kundër femicidit