Pendarovski: Ekstradimi i Pallços do të ndodhë së shpejti, nuk kontestohet nga ana e inteligjencës dhe sigurisë

Presidenti Stevo Pendarovski në intervistë për Televizionin Sitel, duke folur për rastin me të dyshuarin për vrasjen e dyfishtë Lupço Pallevski – Pallço, shfaqi shpresë se ekstradimi i tij do të ndodhë së shpejti, njofton Portalb.mk.

“Vonë pasdite morëm informatë se ekstradimi i tij nuk është i kontestuar nga aspekti i inteligjencës dhe sigurisë dhe në mënyrë praktike tani mbeten vetëm hollësitë teknike nga ajo që quhet ndihmë juridike ndërkombëtare që ndodhë si proces midis dy ministrive të drejtësisë. Do të thotë, nëse guxoj të parashikoj, për shkak se kjo nuk është kontestuese, kishte çështje me disa pjesëtarë të FETO-s, e mbani mend…nuk do të ketë kurrfarë kushtëzime. Nga ky aspekt puna është e pastër dhe tani mbetet vetëm të dakordohen hollësitë për pranim-dorëzim të cilët janë të karakterit teknik. Do të thotë, se ky ekstradim mund të ndodhë shumë shpejtë”, tha Pendarovski.

Më 9 janar, Vladimir Tufegxhiq, avokati i Aleksandar Gjorçevskit, babai i 14-vjeçares Vanja Gjorçevska, e cila u rrëmbye dhe u gjet e vrarë më 3 dhjetor të këtij viti, kërkon që ai të caktohet në arrest shtëpiak.  Gjorçevski dyshohet se katër të tjerëve u ka ndihmuar duke dhënë informacion për vajzën e tij, pra për kohën kur ajo do të shkojë në shkollë, në mënyrë që ajo të rrëmbehej. Fillimisht atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh dhe më pas ka qëndruar edhe 30 ditë në Shutkë. Gjatë gjithë kësaj kohe, siç pretendon avokati i tij, ai nuk është thirrur në prokurori për të dhënë deklaratë.

Të shtunën, politikani serb i ekstremit të djatht  Srgjan Nogo publikoi emision që zgjati më shumë se një orë, i cili bazohej kryesisht në faktin se babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, nuk ishte fajtor për rastin dhe nuk kishte asnjë lidhje me vrasjen e vajzës së tij. Ai pretendon se çështja paraqet likuidim klasik dhe jo një përpjekje për të kërkuar shpërblim.

Përveç kësaj, Nogo publikoi regjistrime të një bisede të supozuar mes Gjorçevskit dhe policëve, të cilat, sipas politikanit serb, tregojnë se babai e ka zgjidhur vetë çështjen, gjegjësisht i ka dorëzuar policisë materialet për veturën Citroen me të cilën u rrëmbye vajza e tij. Në emision u publikuan edhe incizime nga 74-vjeçari Pançe Zhezovski, që nga dita kur u rrëmbye dhe u vra. Ende nuk është e qartë se si materiale të tilla dëshmuese gjetën rrugën deri në Serbi.

Kujtojmë se Vanja Gjorçevska u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj, dhe rasti bëri bujë të madhe në Maqedoninë e Veriut, duke nxitur dezinformata dhe një sërë spekulimesh. Më 3 dhjetor u gjet trupi i saj i pajetë, gjithashtu, i pajetë u gjet edhe trupi i 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski. Dy të vrarët nuk kishin ndonjë lidhje me njëri-tjetrin, por për rrëmbimin e Vanjës u përdor vetura e Zhezhovskit.  Në po të njëjtën ditë kur u gjetën dy trupat, u caktua paraburgim për tre të dyshuaritVllatko Keshishov, Velibor Manevski dhe Bore Videvski. I dyshuar për përfshirje është dhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, për të cilin po ashtu u caktua paraburgim. Megjithatë i dyshuari kryesor për organizim dhe kryerësi të vrasjes, është Ljupço Palevski, i cili fillimisht u arratis, por me 5 dhjetor u arrestua në Turqi dhe iu caktua paraburgim ekstraduesProcedura e ekstradimit të Palevskit mund të zgjasë me muaj për shkak se Turqia mund të kërkojë dokumentacion shtesë. Në ndërkohë, pritet që Prokuroria të dalë me të dhëna shtesë për rastet, motivi i së cilave ende mbetet “përfitim financiar”.