“Asnjë më shumë”: Protestë para Qeverisë në Shkup për shkak të femicideve dhe dështimeve institucionale (Video)
Me mesazhe për drejtësi, mbrojtje dhe përgjegjësi të menjëhershme institucionale, aktivistet dhe qytetarët protestuan para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duke reaguar ndaj serisë së vrasjeve të grave dhe dështimeve të institucioneve përgjegjëse në trajtimin e dhunës ndaj grave, transmeton Portalb.mk.
Protesta u organizua nga iniciativa joformale “Asnjë më shumë”, së bashku me Platformën për Barazi Gjinore. Shkak për protestën janë tetë gratë e vrara, rastet e të cilave kanë rikthyer në vëmendje çështjen se sa efektivisht sistemi i identifikon dhe parandalon rreziqet nga dhuna me bazë gjinore.
Organizatorët kërkuan përgjegjësi nga institucionet, veprim në kohë ndaj denoncimeve për dhunë në familje dhe dhunë me bazë gjinore, si dhe masa konkrete për mbrojtjen e grave që janë të ekspozuara ndaj rrezikut.
Sipas aktivisteve, dhuna ndaj grave nuk mund të trajtohet si problem privat apo i izoluar. Mosveprimi, injorimi i denoncimeve dhe nënvlerësimi i kërcënimeve mund të kenë pasoja serioze, prandaj institucionet duhet të mbajnë përgjegjësi për mënyrën se si veprojnë.
“Në një vit kur shtatë gra u vranë brutalisht dhe numri i denoncimeve të regjistruara për dhunë në familje u rrit me 70%, duke arritur shifrën rekord prej 1.897 denoncimesh, nuk mund të lejojmë që jeta të vazhdojë sikur asgjë të mos kishte ndodhur”, thonë aktivistët.
Organizatorët kërkojnë sistem në të cilin denoncimi i dhunës do të nënkuptojë mbrojtje të vërtetë, e jo pasiguri dhe frikë shtesë për viktimat.
Mesazhi i protestës është se asnjë grua nuk duhet ta humbasë jetën për shkak se institucionet nuk kanë reaguar në kohë. Lufta kundër femicidit, sipas aktivisteve, duhet të shndërrohet në politika konkrete, përgjegjësi dhe mbrojtje efikase, e jo të mbetet vetëm në dënime deklarative pas çdo tragjedie të re.
Cilat janë kërkesat e aktivistëve?
- Miratimi urgjent i ndryshimeve në Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje. Ndryshimet e dorëzuara në Kuvend më 26 gusht të miratohen më së voni më 10 dhjetor 2026.
- Përfundimi dhe miratimi i paketës së ndryshimeve në tetë ligje, për të cilat në prill të vitit 2026 u formua një grup pune. Mes tyre janë Ligji për policinë dhe Ligji për familjen.
- Ndarja e mjeteve konkrete në Buxhetin e vitit 2027, duke përfshirë të paktën 200 milionë denarë për shërbime të specializuara për mbrojtjen dhe mbështetjen e viktimave të dhunës, si dhe për programe parandaluese për trajtimin e autorëve të dhunës.
- Miratimi dhe publikimi i përfundimeve të debatit mbikëqyrës të Kuvendit për dhunën me bazë gjinore, duke përcaktuar detyra konkrete për institucionet, afate dhe mekanizma për ndjekjen e zbatimit.
- Tërheqja e ndryshimeve në ligjet për arsimin fillor dhe për tekstet shkollore të arsimit fillor dhe të mesëm, të miratuara në prill 2025, në udhëzimin për mbrojtjen nga dhuna në arsimin fillor, të miratuar në korrik 2025, si dhe në programin e edukimit seksual.
- Përcaktimi urgjent i përgjegjësisë individuale dhe institucionale për të gjitha rastet e femicidit, përfshirë rastin e fundit të vajzës 17-vjeçare nga Bogdanci. Verifikim i pavarur të mënyrës se si kanë vepruar institucionet kompetente dhe pasoja konkrete për lëshimet e konstatuara.
“Do të vazhdojmë të protestojmë e të organizojmë bllokada derisa të plotësohen të gjitha kushtet për një jetë të sigurt. Kërkojmë që institucionet të veprojnë menjëherë për të gjitha kërkesat tona për procese gjyqësore të plota, transparente e të drejta dhe për dënime të përshtatshme për dhunuesit dhe vrasësit”, thonë aktivistët.
Kujtojmë se edhe më 8 nëntor u mbajt marsh protestues kundër femicidit.