Mbrojtja kërkoi arrest shtëpiak për babain e Vanja Gjorçevskës

Vladimir Tufegxhiq, avokati i Aleksandar Gjorçevskit, babai i 14-vjeçares Vanja Gjorçevska, e cila u rrëmbye dhe u gjet e vrarë më 3 dhjetor të këtij viti, kërkon që ai të caktohet në arrest shtëpiak, transmeton Portalb.mk.

Gjorçevski dyshohet se katër të tjerëve u ka ndihmuar duke dhënë informacion për vajzën e tij, pra për kohën kur ajo do të shkojë në shkollë, në mënyrë që ajo të rrëmbehej. Fillimisht atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh dhe më pas ka qëndruar edhe 30 ditë në Shutkë. Gjatë gjithë kësaj kohe, siç pretendon avokati i tij, ai nuk është thirrur në prokurori për të dhënë deklaratë.

“Prokurorit publik kompetent i është dërguar kërkesë urgjente për veprim, pasi që personi ka dhënë deklaratë në fazën paraprake të hetimeve kur i është caktuar masa e paraburgimit, në mënyrë që të thirret në fazën hetimore për të dhënë deklaratë të plotë duke sqaruar se çfarë ka parë, dëgjuar dhe me cilët persona ka ndërmarrë veprime për gjetjen e vajzës së tij në periudhën nga 27 nëntori deri në ditën e heqjes së lirisë. Përveç kësaj, ai duhet të japë deklaratë me kë dhe në çfarë mënyre i ka siguruar dhe dorëzuar nëpunësve të policisë video-incizimet, si dhe për shumë çështje të tjera të rëndësishme për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje”, tha Tufegxhiq.

Të shtunën, politikani serb i ekstremit të djatht  Srgjan Nogo publikoi emision që zgjati më shumë se një orë, i cili bazohej kryesisht në faktin se babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, nuk ishte fajtor për rastin dhe nuk kishte asnjë lidhje me vrasjen e vajzës së tij. Ai pretendon se çështja paraqet likuidim klasik dhe jo një përpjekje për të kërkuar shpërblim.

Përveç kësaj, Nogo publikoi regjistrime të një bisede të supozuar mes Gjorçevskit dhe policëve, të cilat, sipas politikanit serb, tregojnë se babai e ka zgjidhur vetë çështjen, gjegjësisht i ka dorëzuar policisë materialet për veturën Citroen me të cilën u rrëmbye vajza e tij. Në emision u publikuan edhe incizime nga 74-vjeçari Pançe Zhezovski, që nga dita kur u rrëmbye dhe u vra. Ende nuk është e qartë se si materiale të tilla dëshmuese gjetën rrugën deri në Serbi.

Kujtojmë se Vanja Gjorçevska u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj, dhe rasti bëri bujë të madhe në Maqedoninë e Veriut, duke nxitur dezinformata dhe një sërë spekulimesh. Më 3 dhjetor u gjet trupi i saj i pajetë, gjithashtu, i pajetë u gjet edhe trupi i 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski. Dy të vrarët nuk kishin ndonjë lidhje me njëri-tjetrin, por për rrëmbimin e Vanjës u përdor vetura e Zhezhovskit.  Në po të njëjtën ditë kur u gjetën dy trupat, u caktua paraburgim për tre të dyshuaritVllatko Keshishov, Velibor Manevski dhe Bore Videvski. I dyshuar për përfshirje është dhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, për të cilin po ashtu u caktua paraburgim. Megjithatë i dyshuari kryesor për organizim dhe kryerësi të vrasjes, është Ljupço Palevski, i cili fillimisht u arratis, por me 5 dhjetor u arrestua në Turqi dhe iu caktua paraburgim ekstraduesProcedura e ekstradimit të Palevskit mund të zgjasë me muaj për shkak se Turqia mund të kërkojë dokumentacion shtesë. Në ndërkohë, pritet që Prokuroria të dalë me të dhëna shtesë për rastet, motivi i së cilave ende mbetet “përfitim financiar”.