Trajnimi dhe stërvitja “Trojan Footprint 24” në RMV do të mbahet nga 16 janari deri më 16 mars sivjet

Qeveria në seancën e sotme e ka shqyrtuar dhe miratuar Informatën nga Ministria e Mbrojtjes për hyrje dhe qëndrim të forcave të huaja të armatosura në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për shkak të pjesëmarrjes në trajnimin dhe stërvitjen “Trojan Footprint 24”, që do të realizohet ng 16 janari deri më 16 marsi i këtij viti, njofton Portalb.mk.

“Do të marrin pjesë 40 pjesëtarë të forcave speciale të Forcave të armatosura të SHBA-së dhe 12 pjesëtarë të forcave speciale të Republikës së Greqisë, me armatim, pajisje, automjete dhe mjete materiale-teknike. Forcat speciale të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut aktivisht do të marrin pjesë në përgatitjet dhe realizimin e trajnimit dhe stërvitjes së përbashkët me 55 pjesëtarë (pjesëmarrës të aktivitetit dhe logjistikë reale)”, paralajmëroi pres-shërbimi i Qeverisë.

Lokacionet për pjesëmarrjen e stërvitjes është paraparë që të jenë PA “Krivollak”, poligonët për trajnim dhe qitje në garnizonin Shkup dhe lokacioni i qitjes “Kraste” në garnizonin Shtip.

Trajnimi dhe stërvitja “Trojan Footprint 24” është pjesë e Planit për organizim dhe pjesëmarrje të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në stërvitje me karakter ndërkombëtar për vitin 2024 dhe 2025, në pajtueshmëri të nevojave për planifikim aktiv, organizim, përgatitje dhe realizim të trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta midis aleatëve në NATO.