Nga “brenda një jave” e Salit te “së shpejti” e Gashit, studentët e UT-së kërkojnë provime në shqip

Kuvendi Studentor i Universitetit të Tetovës kërkon që provimi i jurisprudencës, provimi për noterë, përmbarues dhe provimet e tjera shtetërore profesionale të mund të zhvillohen edhe në gjuhën shqipe. Kërkesa është dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë, ndërsa çështja vjen në një kohë kur në Kuvend mbeten të bllokuara edhe ligjet për arsimin e lartë dhe për përfaqësimin e drejtë, shkruan Portalb.mk.

“Nuk është e pranueshme që studentët që studiojnë në gjuhën shqipe të përballen me kushte të ndryshme gjatë përfundimit të procesit të tyre profesional. Gjuha e studimit duhet të jetë edhe gjuha në të cilën studenti ka mundësi të japë provimet profesionale shtetërore”, theksohet në kërkesën e Kuvendit Studentor, të dorëzuar sot në Ministrinë e Drejtësisë.

Studentët thonë se këtë çështje e kanë adresuar disa herë gjatë dy viteve të fundit te Ministria e Drejtësisë dhe institucionet tjera kompetente, por deri tani nuk është gjetur zgjidhje konkrete.

Sipas tyre, fakti që provimet zhvillohen vetëm në gjuhën maqedonase krijon vështirësi shtesë dhe pabarazi për studentët shqiptarë që studimet i ndjekin në gjuhën shqipe.

Kryetari i Kuvendit Studentor, Gent Kurtishi, e lidh këtë kërkesë me respektimin e së drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe, parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit, duke kërkuar zbatimin e plotë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, veçanërisht nenit 23, paragrafët 4 dhe 5.

Studentët vlerësojnë se ekzistojnë bazat ligjore dhe mundësitë praktike që provimi i jurisprudencës, si dhe provimet e tjera shtetërore profesionale, të organizohen në gjuhën shqipe dhe maqedonase, si në pjesën teorike, ashtu edhe në atë praktike.

Sipas tyre, një zgjidhje e tillë do të garantonte kushte të barabarta për të gjithë kandidatët dhe do t’ua lehtësonte rrugëtimin drejt ushtrimit të profesioneve juridike, punësimit dhe zhvillimit profesional.

Kuvendi Studentor i ka bërë thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të ndërmarrë masat e nevojshme dhe të japë një zgjidhje konkrete për këtë çështje.

Nga “brenda një jave” te “së shpejti”

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, tha se sipas asaj që është i informuar edhe nga ministri i Drejtësisë, po punohet intensivisht për gjetjen e një zgjidhjeje ligjore për çështjen e provimit të jurisprudencës.

Gashi u shpreh shkurt për këtë çështje, duke thënë se sipas informacioneve që ka marrë nga ministri i Drejtësisë, institucionet janë duke punuar për një zgjidhje ligjore.

“Po punohet intensivisht në gjetjen e një zgjidhjeje ligjore. Sipas asaj që jam i informuar nga ministri, është në rrugën e duhur për të gjetur zgjidhje ligjore”, tha Gashi.

Ai shtoi se pret që çështja të marrë një epilog së shpejti.

“Është në rrugë të mbarë dhe shumë shpejt do të ketë zgjidhje”, deklaroi kryetari i Kuvendit.

Një qasje e tillë ngjan me premtimin e mëhershëm të Bekim Salit për zgjidhje “shumë shpejt”, i cili fillimisht premtoi se çështja do të zgjidhej brenda një jave, por më pas afatin e zhvendosi për në shtator.

Sali në atë kohë kishte deklaruar se zgjidhja ligjore ishte gjetur dhe se ndryshimet do të procedoheshin në Kuvend. Megjithatë, premtimi për një javë nuk u realizua, ndërsa çështja vazhdon të mbetet pa zgjidhje konkrete. Tani, në vend të një afati të qartë, Gashi thotë se votimi do të bëhet kur të krijohen kushtet dhe të arrihet konsensus mes partive politike.

Ndryshe, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ditë më parë ka deklaruar se do të organizojë takim me studentët dhe dekanët e fakulteteve juridike për t’ua prezantuar zgjidhjen ligjore. Ai thotë se zgjidhja është e njëjta e cila është prezantuar paraprakisht, ndërsa shton se në Ministri kanë arritur kërkesa që kërkohet provimi krahas shqipes të jepet edhe në gjuhën angleze dhe turke.

“Presim edhe kërkesën e universitetit të parë me mësim në gjuhën shqipe, pra Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe në periudhën që vjen do të organizojmë këtë takim konsultativ, informues me përfaqësues të asociacioneve studentore dhe dekanëve të fakulteteve juridike”, u shpreh Shasivari.

Nga ana tjetër, kryetari i studentëve në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, Besar Sejdi, ka kundërshtuar zgjidhjen e propozuar nga Ministria e Drejtësisë e Jeton Shasivarit. Ai tha se studentët shqiptarë e kanë refuzuar këtë propozim dhe se do të vazhdojnë të kërkojnë zhvillimin e plotë të provimit në gjuhën shqipe, si në pjesën teorike, ashtu edhe në atë praktike.

“Pas gjithë atyre kërkesave, përgjigjja e Ministrisë së Drejtësisë është: teoria në shqip, ndërsa praktika në maqedonisht.Këtë zgjidhje ne si studentë e kemi kundërshtuar dhe do të vazhdojmë ta kundërshtojmë.Sepse nuk po kërkojmë diçka që nuk ekziston në ligj.Dhe z. Ministër, pas muajsh pritjeje, nuk kemi nevojë të na bindni se kjo është “avancim”.Na bindni me ligj. Na tregoni nenin që e ndalon.Deri atëherë, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë:Provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe, teori dhe praktikë.Asnjë hap prapa.Ai argumenton se kërkesa e studentëve nuk është jashtë kornizës ligjore, duke iu referuar nenit 9 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve”, ka shkruar Sejdi në reagimin e tij.

Ndërkohë kanë kaluar më shumë se tre muaj që kur zëvendëskryeministr, Bekim Sali, u premtoi studentëve shqiptarë se çështja e provimit të jurisprudencës do të zgjidhej brenda një jave.

Kujtojmë se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Provimi i jurisprudencës deri më tani ka përplasur disa herë partitë e shumicës parlamentare dhe ata opozitare. Në protestën e 18 majit, studentët marshuan për barazi gjuhësore, ndërsa një pjesë e tyre deklaruan se nuk do të ndalen derisa të sigurohet e drejta për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.