Nga “sytjenat” te “mjekra”, libri i fizikës në gjuhën shqipe për klasën e tetë me gabime në përkthim dhe përmbajtje
Teksti i fizikës për klasën e tetë, i përkthyer nga maqedonishtja në shqip, përmban fjali pa kuptim, terma të pasaktë dhe detyra ku mungojnë të dhënat për zgjidhjen e tyre. Mësimdhënësit ankohen se këto gabime ua vështirësojnë nxënësve kuptimin e lëndës dhe u marrin kohë mësimdhënësve gjatë orës. Byroja për Zhvillimin e Arsimit tha se për problemin mësoi nga pyetjet e Portalb.mk, ndërsa Ministria e Arsimit dhe Shkencës tha se përgjegjësinë për përkthimin dhe redaktimin e ka botuesi. Deri në publikim, as botuesi dhe as qendra që e përktheu librin nuk iu përgjigjën Portalbit.
Përdorimi i mjekrës nga mullinjtë e erës, të rejat e sytjenave mbajnë sasi pajisjesh mekaenikeenergji, matja e thellësisë së specit në miell, grimcat e ndërtesës së një valleje supe, energjia post-potenciale. Këto janë vetëm disa nga gabimet të cilat gjenden në Librin e Fizikës në gjuhën shqipe për klasën e tetë në arsimin fillor i cili është i përkthyer nga gjuha maqedonase.
Përveç gabimeve gjuhësore në përkthim, në libër ka edhe gabime në përmbajtje.
Ky libër është botuar këtë vit nga shoqëria aksionare për lëshimin e teksteve shkollore dhe aseteve mësimore “Prosveteno Delo-Ad Shkup“, me autorë Llambe Brendanovski dhe Vera Zoroska, ndërsa përkthimin nga maqedonishtja në shqip e ka bërë Qendra Gjuhësore Challenge.
Fillimisht këtë problem për Portalb.mk e ngriti një arsimtare e fizikës nga Tetova. Ajo thotë se libri origjinal në gjuhën maqedonase është i kompletuar dhe i përshtatshëm për përdorim në procesin mësimor. Megjithatë, siç tregon ajo, versioni i përkthyer në gjuhën shqipe përmban mangësi dhe gabime të shumta gjuhësore dhe shkencore.
“Përkthimi është joprofesional, me fjali të paqarta, formulime që nuk kanë kuptim dhe përdorim të pasaktë të terminologjisë fizike. Gjithashtu, në disa detyra mungojnë të dhëna të rëndësishme, të cilat në versionin origjinal maqedonisht janë të pranishme. Këto gabime vështirësojnë kuptimin e përmbajtjes dhe pengojnë procesin e mësimdhënies dhe të nxënit”, tha arsimtarja.
Ajo kërkoi që libri të rishikohet dhe korrigjohet nga profesionistë të gjuhës dhe specialistë të fushës së fizikës.
Në galerinë në vijim mund të shihen disa nga gabimet në këtë libër.
Edhe mësimdhënësi i Fizikës M.A. nga Kumanova për Portalb.mk, vlerësoi se cilësia e dobët e përkthimit dhe mungesa e redaktimit të mirëfilltë shkencor e gjuhësor janë ndër pengesat kryesore në zhvillimin e orëve mësimore.
Sipas tij, në tekst ka fjali që nuk tingëllojnë natyrshëm në gjuhën shqipe, pasaktësi terminologjike dhe ushtrime me probleme logjike, të cilat ua vështirësojnë nxënësve kuptimin e dukurive fizike. Ai thekson se këto mangësi nuk shkaktojnë vetëm paqartësi gjatë mësimit, por mund të ndikojnë edhe në humbjen e interesimit të nxënësve për lëndën.
“Lëshimet e shumta logjike, fjalitë e ndërtuara pa rrjedhë natyrore në gjuhën shqipe dhe pasaktësitë terminologjike po kthehen në pengesë serioze për nxënësit. Përballë formulimeve të paqarta dhe ushtrimeve me lëshime logjike, fëmijët e kanë të pamundur të kapin thelbin e dukurive fizike”, deklaroi mësimdhënësi.
Problemi, sipas tij, nuk kufizohet vetëm te nxënësit, por rëndon edhe punën e përditshme të mësimdhënësve, të cilët detyrohen të shpenzojnë kohë shtesë për të korrigjuar dhe sqaruar përmbajtjen e librit.
Ai thotë se në vend që të përqendrohen vetëm në shpjegimin e koncepteve shkencore, mësimdhënësit duhet të merren edhe me përkthimin praktik të fjalive të paqarta, korrigjimin e gabimeve dhe përgatitjen e materialeve plotësuese.
“Mësimdhënësi harxhon kohë të çmuar duke u marrë me pastrimin e paqartësive të tekstit, sqarimin e fjalive që bien ndesh me logjikën e thjeshtë të fizikës dhe krijimin e materialeve shtesë, vetëm e vetëm që njësitë mësimore të kenë kuptim dhe të jenë të kuptueshme për nxënësit”, theksoi M.A.
Për problemin me tekstet e përkthyera nga maqedonishtja në shqip alarmoi në TROÇ edhe profesori universitar i Fizikës, Bashkim Ziberi. Ai vlerësoi se përkthimet janë të dobëta duke përmendur një shembull ku fusha elektrike është përkthyer si livadhi elektrik.
Ziberi shprehu shqetësimin se ky proces duket se u lihet në masë të madhe shtëpive botuese, pa kontroll.
“Kam përshtypjen sikur përkthimi që u bëhet teksteve nga gjuha maqedonase në gjuhën shqipe u lihet shtëpive botuese. Ata duhet të kontrollohen vazhdimisht dhe duhet të ketë një komision të veçantë, i cili duhet të kontrollojë dhe miratojë procesin e përkthimit”, deklaroi Ziberi.
Për gabimet në librin e fizikës në gjuhën shqipe për klasën e tetë e kontaktuam Byronë për Zhvillimin e Arsimit. Nga aty thanë se për këtë problem kuptuan pas parashtrimit të pyetjeve gazetareske nga Portalb.mk.
Nga atje thanë se sipas ligjit në fuqi, përkthimi, redaktimi ekspert dhe redaktimi gjuhësor i librit shkollor në gjuhën në të cilën zhvillohet mësimi janë detyrim i botuesit.
“Duke marrë parasysh se pyetjet tuaja kanë të bëjnë me kontrollin e përkthimit, përcaktimin e lëshimeve të mundshme, përcaktimin e përgjegjësisë dhe marrjen e masave të duhura, ju drejtojmë te Shërbimi Pedagogjik në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Byroja për Zhvillimin e Arsimit, brenda kompetencave të saj, mbetet e përfshirë në ofrimin e mbështetjes profesionale dhe pjesëmarrjen në procedurat e parashikuara nga Ligji”, thanë nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit.
Edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) për Portalb.mk thanë se sipas ligjit në fuqi përgjegjësia e përkthimit dhe redaktimit bie në barrën e shtëpisë botuese që ka marrë përgjegjësi për botimin e librit.
“Lidhur me pretendimet për gabime në tekstin shkollor të fizikës për klasën e tetë në gjuhën shqipe, Shërbimi Pedagogjik ka kontaktuar botuesin me kërkesë për deklaratë në lidhje me të njëjtën gjë, në përputhje me kompetencat e përcaktuara me ligj. Në përputhje me nenin 26, paragrafi (1), rreshti (3) i Ligjit për Tekstet Shkollore në Arsimin Fillor dhe të Mesëm, për gabime dhe lëshime thelbësore, Ministri mund të formojë një komision për t’i shqyrtuar ato”, deklaruan nga MASH.
Për këtë problem, Portalb.mk e ka kontaktuar shtëpinë botuese të librit “Prosveteno Delo-Ad Shkup“dhe Qendrën Gjuhësore Challenge e cila e ka bërë përkthimin nga maqedonishtja në shqip, por deri në botimin e këtij teksti nuk u përgjigjën asnjëra.
Ndryshe, libri i fizikës në gjuhën shqipe për klasën e tetë nuk është i vetmi që ka gabime në përkthim dhe përmbajtje.
Shembull në librin e Gjeografisë për klasën e shtatë, rrafshit të Dukagjinit, libri i referohet si “Metohija”, terminologji e cila përdoret nga Serbia për Kosovën, duke u lidhur me pretendimet territoriale serbe mbi sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Portalb.mk në vazhdimësi ka trajtuar çështjen e teksteve shkollore me përmbajtje jo adekuate dhe plot gabime.
- LEXO: RMV, u përmirësuan shtrembërimet e fakteve për Kosovën në librin e Gjeografisë, por vetëm online
- LEXO: BDI: Kosova nuk është “Metohi”, Qeveria po deformon historinë e Kosovës në librat shkollore
- LEXO: Akademikët shqiptarë kërkojnë të hiqet nga përdorimi libri i historisë me kopertinë fetare, MASH e fajëson udhëheqësinë e kaluar
- LEXO: Vazhdon skandali me librin e Gjeografisë në Maqedoninë e Veriut: Nxënësit mësojnë për Kosovën sipas narrativës serbe