Ligji për përfaqësim të drejtë nuk u vendos në votim, opozita vijoi me akuza
Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat nuk u vendos në votim në seancën e sotme të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, opozita shqiptare vijoi me akuzat ndaj shumicës parlamentare, transmeton Portalb.mk.
Deputetja e BDI-së, Rina Ajdari e kritikoi kreun e Kuvendit, Afrim Gashin se pse nuk ishte i pranishëm në seancë.
“Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ju vetë e keni propozuar, vetë e keni sjell në Kuvend dhe tash nuk keni fuqi edhe për pak ta kaloni. T’ju ndihmojmë ne të dalim prej salle dhe vazhdoni këtu, por a e dini ku është problemi? Është te legjitimiteti që dikush neve na kanë dhënë me votë”, tha Ajdari.
Sipas kreut të Lidhjes Shqiptare, Ziadin Selës pushteti tenton ta kontrabandojë këtë ligj.
“Këto vonesa i bënë për të përdorur ndonjë formë shantazhi ndaj deputetëve, joshje ndaj deputetëve apo çka? Apo na ndjekin ku jemi e ku s’jemi me kamerat e ‘Safe City’ në mënyrë që pastaj ta kontrabandoni një ligj që është shumë i rëndësishëm për gjithë qytetarët”, tha Sela.
Nënkryetarja e Kuvendit, Vesna Bendevska nga ZNAM, tha se sipas Rregullores së re, neni 170 të që për herë të parë u përdor, kryetari i Kuvendit ka të drejta ta shtyjë një pikë se kur do të votohet dhe ai është pasi të përfundoj diskutimi.
“Pika 8 nuk është mënjanuar nga rendi ditës, ekziston, vetëm se në përputhje me nenin 170 që absolutisht drejton mundësinë që kryetari ta ricaktojë ditën, është pjesë e rregullores së re që për herë të parë u përdor në Këtë Kuvend edhe pse është sjell nga përbërja e kaluar, do të punojmë sipas kësaj rregullore dhe asnjë tjetër”, deklaroi Bendevska.
Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, u miratua nga Qeveria më 7 prill dhe u dorëzua në Kuvend më 8 maj.
Në Maqedoninë e Veriut për mbi dy vite nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.
Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.
Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.
- LEXO: U refuzuan amandamentet për Ligjin për përfaqësim të drejtë, vijon debati
- LEXO: Përsëri akuza në Kuvend për Ligjin për përfaqësim të drejtë, Bekim Sali nuk i pranoi amendamentet e opozitës
- LEXO: Mes debateve të ashpra, Ligji i kontestueshëm për përfaqësim kaloi filtrin e parë në Kuvendin e RMV-së
- LEXO: Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat do të miratohet me “Badenter të vogël”
- LEXO: Pas shumë zvarritjeve dhe heshtjeve, Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat u bë publik (dokument)