Shasivari dëshiron t’i bindë studentët për jurisprudencën, ata kundërshtojnë: Jo teori në shqip e praktika në maqedonisht
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, për Alsat deklaroi se do të organizojë takim me studentët dhe dekanët e fakulteteve juridike për t’ua prezantuar zgjidhjen ligjore. Ai thotë se zgjidhja është e njëjta e cila është prezantuar paraprakisht, ndërsa shton se në Ministri kanë arritur kërkesa që kërkohet provimi krahas shqipes të jepet edhe në gjuhën angleze dhe turke, transmeton Portalb.mk.
“Presim edhe kërkesën e universitetit të parë me mësim në gjuhën shqipe, pra Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe në periudhën që vjen do të organizojmë këtë takim konsultativ, informues me përfaqësues të asociacioneve studentore dhe dekanëve të fakulteteve juridike. Ky dialog është shumë i rëndësishëm edhe për ta adresuar edhe çështjet praktike për organizimin e provimit të jurisprudencës në disa gjuhë. Pra çështja e materialeve të provimit, literaturës juridike, dispozitave juridike, pyetjeve të provimit, çështja e kritereve profesionale të vlerësimit, çështja e përkthimit”, thotë ministri Shasivari për Alsat.
Lidhur me qëndrimin e studentëve të cilët këtë zgjidhje e kanë hedhur poshtë, pasi e njëjta parashikon që teoria të jepet në gjuhën amtare, ndërsa praktika në gjuhën maqedonase, Shasivari shprehet se do t’i bind se bëhet fjalë për avancim.
”Jam i bindur se me një sqarim edhe profesional edhe institucional, studentët, kandidatët e ardhshëm do ta kenë të qartë se bëhet fjalë për një avancim dhe për një qasje gjithëpërfshirëse”, shton Shasivari.
I pyetur për kërkesën e studentëve që çështjen e dhënies së provimit të jurisprudencës ta zgjidh me vetëm një vendim e jo të bëjë ndryshime ligjore, Shasivari shprehet se nuk duhet bërë eksperimente, pasi zgjidhja duhet të jetë afatgjate. Sipas tij, provimi i jurisprudencës do të jetë pa barriera gjuhësore.
“Qasja jonë është qasje afatgjate, ne nuk e zvarrisim procesin, por ne e kemi ndërtuar një zgjidhje e cila është e qëndrueshme, është në pajtim me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe me standardet ndërkombëtare”, deklaroi Shasivari.
Nga ana tjetër, kryetari i studentëve në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, Besar Sejdi, ka kundërshtuar zgjidhjen e propozuar nga Ministria e Drejtësisë e Jeton Shasivarit. Ai tha se studentët shqiptarë e kanë refuzuar këtë propozim dhe se do të vazhdojnë të kërkojnë zhvillimin e plotë të provimit në gjuhën shqipe, si në pjesën teorike, ashtu edhe në atë praktike.
“Pas gjithë atyre kërkesave, përgjigjja e Ministrisë së Drejtësisë është: teoria në shqip, ndërsa praktika në maqedonisht.Këtë zgjidhje ne si studentë e kemi kundërshtuar dhe do të vazhdojmë ta kundërshtojmë.Sepse nuk po kërkojmë diçka që nuk ekziston në ligj.Dhe z. Ministër, pas muajsh pritjeje, nuk kemi nevojë të na bindni se kjo është “avancim”.Na bindni me ligj. Na tregoni nenin që e ndalon.Deri atëherë, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë:Provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe, teori dhe praktikë.Asnjë hap prapa.Ai argumenton se kërkesa e studentëve nuk është jashtë kornizës ligjore, duke iu referuar nenit 9 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve”, ka shkruar Sejdi në reagimin e tij.
Kujtojmë se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Provimi i jurisprudencës deri më tani ka përplasur disa herë partitë e shumicës parlamentare dhe ata opozitare.
- LEXO: Përsëri kërkesë për jurisprudencën në shqip, këtë herë nga studentët e UNT-së
- LEXO: Bekim Sali nuk i mban premtimet për jurisprudencën në shqip, nga një javë kaloi në shtator
- LEXO: Kaluan pesë javë ndërsa Bekim Sali nuk e realizoi premtimin për provimin e jurisprudencës në shqip siç u zotua
- LEXO: Sali e shpalli zgjidhjen rreth provimit të jurispudencës, por Mickoski tha se ende po punohet për zgjidhjen