Për dy vite më shumë shpenzime për dëmshpërblime se sa për trajtim, sa i kushtuan Komunës së Tetovës qentë endacakë ndër vite?
Në dy vitet e fundit, Komuna e Tetovës ka shpenzuar 2.8 milionë denarë më shumë për dëmshpërblimin e qytetarëve të sulmuar nga qentë endacakë se sa për trajtimin e qenve, derisa në rrugët e qytetit sërish ka tufa qensh. Sipas të dhënave që i siguroi Portalb.mk nga komuna, për vitin 2025 dhe 2026 vetëm për dëmshpërblime janë harxhuar 7,7 milionë denarë, ndërsa për trajtimin e qenve janë shpenzuar 4,86 milionë denarë.
Nga viti 2021 deri në vitin 2024, komuna çdo vit shpenzoi më shumë për trajtimin e qenve endacakë se sa për dëmshpërblimet.
Ndërsa në dy vitet e fundit, pra në 2025 dhe 2026, harxhimet për dëmshpërblime ndaj qytetarëve ishin më të larta se harxhimet për trajtimin e qenve.
Vitin e kaluar (2025) shpenzimet për trajtim shkuan në 2,71 milionë denarë, ndërsa dëmshpërblimet në 3,93 milionë denarë, pra dallimi është 1.21 milionë denarë.
Sipas të dhënave të cilat Portalb.mk i siguroi përmes kërkesës për qasje në informata publike në Komunën e Tetovës, në vitin 2026 komuna ka harxhuar 3.77 milionë denarë për dëmshpërblime ndërsa 2.1 milionë denarë për trajtim të qenve, pra dallimi është 1.62 milionë denarë.

Sipas të dhënave, komuna në gjashtë vitet e fundit ka shpenzuar rreth 363 mijë euro për trajtimin e qenve endacakë dhe rreth 164 mijë euro për dëmshpërblimin e qytetarëve.
Për dhjetë muaj, në polici u raportuan më shumë sulme se gjatë gjithë vitit 2025
Nga janari deri në tetor të vitit 2026, në Sektorin e Punëve të Brendshme (SPB) në Tetovë u raportuan 46 raste të sulmeve nga qentë endacakë, ose 18 më shumë se gjatë gjithë vitit 2025, kur u raportuan 28 raste.
Sipas SPB së Tetovës, në vitin 2021 u raportuan 66 raste, në vitin 2022 pati 60, në vitin 2023 u raportuan 73 dhe në vitin 2024 pati 67.
Nga fillimi i vitit 2021 deri në fund të tetorit 2026, policia regjistroi gjithsej 340 denoncime për sulme nga qentë endacakë në Tetovë.

Arifi kërkoi transparencë
Këshilltari Komunal nga nisma qytetare “Më Mirë për Tetovën“, Agron Arifi thotë se gjendja me qentë endacakë në qytet është përmirësuar krahasuar me disa vite më parë, kur, siç thotë ai, kryetari dhe drejtuesit e komunës i fajësonin qytetarët se i provokonin qentë. Megjithatë, ai shprehet se problemi mbetet i pazgjidhur dhe më shqetësuese mbetet siguria e fëmijëve në rrugë.
“Kohët e fundit e shohim se përsëri janë paraqitur tufa me numër të madh të qenve endacakë, që i rrezikojnë qytetarët e veçanërisht fëmijët më të vegjël. Kishte edhe sulme të raportuara me lëndime të konstatuara”, tha Arifi.

Arifi kërkoi që komuna të tregojë sa para i ka paguar strehimores për trajtimin e qenve endacakë “Ana Agro” dhe që kompania të bëjë publike punën që ka kryer.
“Shumë qytetarë që kanë kontaktuar kompaninë Ana Agro e angazhuar nga ana e komunës, janë të zhgënjyer nga përgjigja e tyre, pasi ato deklarohen se nuk kanë pranuar mjete financiare nga ana e Komunës një kohë më të gjatë dhe kjo e bën të pamundur angazhimin e tyre në teren sipas kërkesave që vijnë nga ana e qytetarëve”, tha Agron Arifi.
Heshtje nga strehimorja dhe komuna
Me trajtimin e qenve endacakë në Tetovë në dy vitet e fundit është marrë strehimorja “Ana Agro”, me të cilën komuna në vitin 2024 dhe 2025 pati lidhur kontratë.
Portalb.mk e pyeti strehimoren “Ana Agro” sa qen ka trajtuar në Tetovë gjatë dy viteve të fundit. Redaksia kërkoi të dhëna sipas viteve për numrin e qenve të sterilizuar, të vaksinuar, të kthyer në vendin ku ishin kapur.
Strehimoren e pyetëm gjithashtu sa para ka marrë nga komuna gjatë kësaj periudhe dhe nëse mungesa e pagesave e ka penguar të ndërhyjë në terren.
Deri në publikimin e tekstit, nga “Ana Agro” nuk u përgjigjën.

Portalb.mk kërkoi nga Komuna sqarime nëse kohët e fundit i ka ndërprerë pagesat për strehimoren dhe, nëse po, për çfarë arsyeje, por nga aty nuk u përgjigjën.
Pa përgjigje mbeti edhe pyetja se a ka plan më afatgjatë për trajtimin e qenve endacakë dhe për sigurinë e qytetarëve, dhe pse në dy vitet e fundit janë harxhuar më shumë para për dëmshpërblim se sa për trajtim.

Kujtojmë se vitin e kaluar Portalb.mk zbuloi se Komuna e Tetovës shërbimet për trajtimin e qenve endacakë i paguante më shtrenjtë se disa komuna tjera, si Struga, Kërçova apo Ohri.
Ndryshe, qentë endacakë mbeten problem i pazgjidhur i qytetit. Ndonëse ata u kushtojnë qytetarëve miliona denarë për trajtim dhe dëmshpërblim, të njëjtët shëtitën lirshëm rrugëve të qytetit duke vënë në rrezik sigurinë publike.
Para disa viteve u hodh ideja e krijimit të një strehimoreje rajonale në Pollog, megjithatë deri tani kjo nuk është realizuar.
- LEXO: Praktika “merr qen, e pastaj braktise“ krijon tufa qensh nëpër rrugët e RMV-së
- LEXO: Ligje ka, zgjidhje nuk ka: Pse Maqedonia e Veriut nuk arrin ta ulë numrin e kafshëve të rrugës?
- LEXO: Çdo komunë me varreza për kafshët, po kërkohen lokacione
- LEXO: Trajtimi i qenve në Tetovë: Marrëveshja u nënshkrua me çmim më të ulët se oferta fillestare, shërbimet mbeten më e shtrenjta se në qytetet tjera
- LEXO: Oferta me çmimet ‘në qiell’ për trajtimin e qenve endacakë në Tetovë, Kasami arsyetohet se janë ulur çmimet
- LEXO: Afër 400 euro për një qen: Ofertë dhe marrëveshje e dyshimtë për trajtimin e qenve në Tetovë, komunat tjera harxhojnë më pak (Infografik)