Mustafa Ibrahimi: Gjendja e gjuhës shqipe është për t’u brengosur, avancimi i saj në RMV është shoqëruar me kompromise dhe zgjidhje gjysmake
Në prag të 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit Shqip, çështja e statusit dhe përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut vazhdon të mbetet një nga sfidat e rëndësishme institucionale dhe shoqërore. Në një bisedë për Portalb.mk, gjuhëtari dhe sociolinguisti Mustafa Ibrahimi vë në pah mangësitë në zbatimin e legjislacionit për përdorimin e shqipes, duke kërkuar zgjidhje të qartë kushtetuese që do të garantonte statusin e saj zyrtar krahas maqedonishtes. Ai trajton gjithashtu problemet në sistemin arsimor, përgjegjësinë e institucioneve dhe të shoqërisë për kultivimin e gjuhës, si dhe sfidat që sjell zhvillimi teknologjik. Sipas Ibrahimit, ruajtja dhe avancimi i shqipes kërkojnë politika konkrete dhe bashkëpunim të qëndrueshëm institucional, përtej manifestimeve dhe deklaratave festive.
Portalb.mk: Si e gjen ky 22 Nëntor gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon? Përtej ceremonive dhe deklaratave festive, ku kemi shënuar përparim dhe cilat probleme vazhdojmë t’i lëmë pa zgjidhje?
Mustafa Ibrahimi: Është fakt se jetojmë në kohën e globalizimit, të zhvillimit të hovshëm të teknologjisë dhe të përhapjes së rrjeteve sociale, të cilat sot përdoren nga të rinjtë, por edhe nga të gjitha shtresat e shoqërisë. Në këtë realitet të ri gjenden të gjitha gjuhët e botës, përfshirë edhe gjuhën shqipe.
Prandaj, shtrohet një pyetje shumë e rëndësishme: si ta mbrojmë dhe ta ruajmë gjuhën shqipe në këto rrethana? Më shqetësues është përdorimi i pakontrolluar i fjalëve të huaja nga njerëz me profile të ndryshme shoqërore e profesionale dhe i zhargoneve nga të rinjtë. Situata është brengosëse, por nuk duhet ta shohim vetëm nga ana negative. Edhe rrjetet sociale ofrojnë mundësi të mira për këshilla gjuhësore, korrigjime dhe përgjigje për shumë çështje që lidhen me përdorimin e shqipes. Çdo individ, përmes mënyrës së të folurit dhe të shkruarit, krijon profilin e vet gjuhësor, atë që në sociolinguistikë e quajmë idiolekt. Prandaj, duhet të kemi më shumë vetëdije dhe kujdes për mënyrën se si flasim e shkruajmë. Duhet të dimë t’i zëvendësojmë fjalët e panevojshme të huaja me fjalë shqipe dhe të kujdesemi për sintaksën, fonologjinë dhe strukturën e gjuhës sonë.
Rilindësit na e lanë në trashëgimi alfabetin e njësuar të vitit 1908, ndërsa gjuhëtarët dhe studiuesit mbarëshqiptarë na lanë normën e drejtshkrimit të vitit 1972. Këto janë dy arritje të mëdha të historisë sonë gjuhësore. Detyra jonë sot është t’i ruajmë, t’i kultivojmë dhe t’i përcjellim te brezat e ardhshëm. Megjithatë, mbetet ende shumë për t’u bërë edhe në planin institucional. Duhet të përforcohet prania e gjuhës shqipe në jetën publike dhe institucionale, por edhe të kujdesemi që ajo të përdoret drejt në komunikimin e përditshëm, si në të folur, ashtu edhe në të shkruar. Sepse gjuha nuk mbrohet vetëm me deklarata dhe përkujtime festive. Ajo mbrohet mbi të gjitha duke e përdorur, kultivuar dhe respektuar çdo ditë.
Portalb.mk: Në Maqedoninë e Veriut, shqipja ende mungon në tabela e shërbime publike ose shfaqet me gabime. Çfarë tregon kjo për pozitën e saj reale në institucione dhe sa përgjegjësi mbajnë përfaqësuesit shqiptarë që prej vitesh premtojnë përdorimin e saj të barabartë?
Mustafa Ibrahimi: Nga këndvështrimi im si profesionist i gjuhës dhe sidomos si sociolinguist, duhet të them se në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të na përcjellin disa anomali dhe paqartësi që nga pavarësia e shtetit. Përpjekjet për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, përfshirë edhe statusin e gjuhës shqipe, janë shoqëruar me kompromise dhe zgjidhje gjysmake. Pikërisht këto zgjidhje kanë krijuar hapësirë për interpretime të ndryshme, shpeshherë edhe mbi baza etnike. Ajo që më shqetëson është se një dispozitë e caktuar ligjore mund të interpretohet ndryshe nga njëra palë dhe ndryshe nga pala tjetër. Kështu, edhe zbatimi i gjuhës shqipe nuk është i njëjtë në të gjitha institucionet.
Për shembull, si mund të shpjegohet që në një ministri respektohet përdorimi i maqedonishtes, shqipes dhe anglishtes, ndërsa në një ministri tjetër gjuha shqipe mungon plotësisht? Si mund të ndodhë që në një rrugë lokale të jetë e pranishme gjuha shqipe, ndërsa në një rrugë rajonale, edhe pse të dyja kalojnë nëpër të njëjtin vendbanim, ajo të mos figurojë? Apo, edhe më shqetësuese, si mund të ndodhë që në një komunë ku shqiptarët janë shumicë, një institucion shtetëror të vendosë mbishkrime pa e përfshirë fare gjuhën shqipe? Raste të tilla ka shumë. Për mendimin tim, këtu kemi të bëjmë me një problem serioz të zbatimit dhe interpretimit të ligjit. Ligji nuk duhet të interpretohet sipas përkatësisë etnike apo vullnetit të drejtuesve të institucioneve, por duhet të zbatohet si detyrim ligjor dhe institucional. Gjuha nuk mund të varet nga dëshira e një drejtuesi apo nga bindjet e tij personale.
Për këtë arsye, mendoj se çështja e statusit të gjuhës shqipe duhet të marrë një zgjidhje më të qartë dhe përfundimtare përmes ndryshimeve kushtetuese, në mënyrë që shqipja të përcaktohet si gjuhë zyrtare krahas maqedonishtes, me garanci të qarta për përdorimin e saj në të gjitha nivelet institucionale. Një zgjidhje e tillë do të shmangte paqartësitë dhe hapësirat për interpretime të ndryshme. Përgjegjësia e përfaqësuesve politikë shqiptarë në këtë çështje është shumë e madhe. Kjo nuk është përgjegjësi vetëm e atyre që janë në pushtet, por edhe e atyre që janë në opozitë. Pavarësisht dallimeve partiake, ata duhet ta trajtojnë statusin e gjuhës shqipe si interes të përbashkët dhe jo si çështje të një mandati apo të një partie politike.
Do të ishte mirë që, në bashkëpunim edhe me institucionet përkatëse të Shqipërisë dhe Kosovës, të ndërmerret një iniciativë serioze dhe të përgatitet një rezolutë e përbashkët për zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes ndryshimeve kushtetuese. Barazia gjuhësore nuk dëshmohet vetëm duke e përmendur shqipen në ligje, ajo dëshmohet kur qytetari e sheh dhe e dëgjon gjuhën e vet në çdo institucion dhe në çdo shërbim publik ku ka të drejtë ta përdorë.

Mustafa Ibrahimi: Portalb.mk: Sa po arrin shkolla t’i aftësojë të rinjtë të shkruajnë qartë, të lexojnë me kuptim dhe të argumentojnë në shqip? Ku çalon mësimdhënia kur nxënësit e përfundojnë arsimin, por ende kanë vështirësi ta përdorin gjuhën në mënyrë të pavarur dhe të saktë?
Padyshim se shkolla, mjedisi ku jetojmë, rrjetet sociale dhe familja janë katër shtyllat që ndikojnë në formimin e personalitetit dhe të ardhmes akademike të një individi. Shkolla, në këtë mes, ka një rol të veçantë. Aty ruhet dhe kultivohet gjuha, kultura, identiteti dhe krijimtaria gojore e ajo e shkruar. Është vendi ku nxënësi mëson gjuhën standarde dhe krijon vetëdijen për vlerat gjuhësore e kulturore.
Sa i rëndësishëm është shkollimi në gjuhën amtare, këtë e kuptojmë edhe nga përvoja e komuniteteve shqiptare jashtë hapsirës sonë etnike. Atje ku shqipja nuk është pjesë e sistemit të rregullt arsimor, brezat e rinj gradualisht e humbin lidhjen me gjuhën e trashëguar dhe rreziku i asimilimit bëhet shumë më i madh. Këtë e shohim te arbëreshët e Italisë, ku gjuha arbëreshe në shumë raste mësohet në mënyrë fakultative, te shqiptarët e Turqisë, por edhe te arvanitët e Greqisë, të cilët nuk kanë mundësi ta mësojnë gjuhën e tyre amtare në sistemin e rregullt shkollor.
Për fat të mirë, në Maqedoninë e Veriut shqipja mësohet nga shkolla fillore dhe e mesme deri në universitet. Por problemi qëndron te mënyra se si mësohet. Mendoj se ende i kushtohet më shumë rëndësi aspektit teorik, ndërsa pjesa praktike mbetet prapa. Nxënësit mësojnë rregulla gramatikore dhe teori letrare, por jo gjithmonë aftësohen sa duhet për të shkruar, për të lexuar me kuptim, për të argumentuar dhe për të komunikuar lirshëm në gjuhën shqipe.
Këtë problem e vërej edhe në punën time të përditshme me studentët, sidomos në lëndën e shkrimit akademik. Shumë prej tyre, kur vijnë në universitet, nuk e dinë mirë se çfarë është eseja, si ndërtohet një paragraf, cilat janë llojet e eseve dhe si organizohet një tekst me hyrje, zhvillim dhe përmbyllje. Kjo më bën të mendoj se gjatë shkollimit të mesëm nuk kanë ushtruar sa duhet shkrimin praktik. E njëjta gjë vërehet edhe në lëndën e retorikës. Një pjesë e studentëve kanë shumë pak përvojë se si përgatitet dhe mbahet një fjalim, si zhvillohet një intervistë apo si ndërtohet një argument para publikut. Këto janë aftësi që nuk fitohen vetëm duke lexuar teori, por duke ushtruar vazhdimisht.
Prandaj, sugjerimi im është që në shkollat fillore dhe sidomos në ato të mesme t’i kushtohet më shumë rëndësi dy aftësive themelore: si të shkruajmë dhe si të flasim. Unë do të propozoja që programet mësimore të organizohen në mënyrë më praktike: një gjysmëvjetor t’i kushtohet artit të të shkruarit dhe artit të të folurit, ndërsa gjysmëvjetori tjetër leximit dhe kulturës së krijimtarisë artistike. Kështu nxënësi nuk do ta mësonte gjuhën vetëm si një tërësi rregullash, por do të dinte ta përdorte atë në jetën e përditshme, në studime dhe në komunikim.
Natyrisht, për këtë duhet të fillojmë edhe nga përgatitja e mësuesve të ardhshëm. Fakulteti Pedagogjik duhet të përfshihet në reforma më të thella, me lëndë dhe metoda të reja për përgatitjen e kuadrit arsimor. Së pari, duhet të kemi përzgjedhje më të kujdesshme të kandidatëve që dëshirojnë të bëhen mësues. Së dyti, ata duhet të përgatiten me metoda bashkëkohore dhe më praktike, sepse mësimdhënia nuk është vetëm profesion, por edhe mision shoqëror e kombëtar.
Nuk duhet të harrojmë as institucionet, të cilat duhet të investojnë më shumë në biblioteka shkollore, në botimin e lekturave dhe në krijimin e burimeve të reja mësimore, përfshirë edhe ato digjitale. Nuk mund të presim që nxënësi të bëhet lexues i mirë pa pasur libra, të bëhet shkrues i mirë pa ushtruar shkrimin dhe të bëhet folës i mirë pa pasur mundësi të ushtrojë të folurit. Për mua, kjo është një nga sfidat kryesore të arsimit tonë sot.
Portalb.mk: Shpesh themi se duhet ta ruajmë gjuhën, por sa e mbështesim këtë me sjelljen tonë të përditshme? Çfarë përgjegjësie kanë mediat, politikanët dhe vetë intelektualët për shqipen që dëgjojmë e lexojmë në hapësirën publike?
Mustafa Ibrahimi: Përsëri, nga aspekti sociolinguistik, duhet të jemi realistë dhe ta kuptojmë se çdo gjuhë, edhe shqipja, përdoret në disa rrafshe të ndryshme. Unë do të veçoja katër prej tyre. Së pari, kemi rrafshin krahinor, ku secili prej nesh përdor të folmen e krahinës ose të vendbanimit prej nga vjen. Së dyti, kemi rrafshin social, ku, varësisht nga mjedisi ku jetojmë, përdoren sociolekte të caktuara ose të folme urbane të qyteteve të ndryshme. Së treti, kemi rrafshin profesional, ku secili profesion ka terminologjinë e vet. Për shembull, një mjek përdor terminologjinë e profesionit të tij, por mund të përdorë edhe terma nga sporti, automobilizmi apo fusha të tjera, varësisht nga interesat personale. Së katërti, kemi rrafshin individual, atë që në sociolinguistikë e quajmë idiolekt, pra mënyrën e veçantë se si flet dhe shkruan secili individ. Nga ndërthurja e këtyre rrafsheve, së bashku me edukatën familjare dhe formimin shkollor e intelektual, krijohet profili gjuhësor i njeriut. Prandaj, mënyra se si e përdorim gjuhën lidhet drejtpërdrejt me formimin tonë arsimor, kulturor dhe intelektual.
Problemi fillon atëherë kur mungon kujdesi për gjuhën. Kjo vërehet te nxënësit, studentët, mësuesit, politikanët, gazetarët, por edhe te njerëzit e profesioneve të tjera. Shpesh dëgjojmë dhe lexojmë një shqipe të mbushur me fjalë të huaja të panevojshme, lokalizma, zhargone dhe ndërtime jo të natyrshme për gjuhën tonë. Mungojnë shprehjet frazeologjike, pasuria e fjalorit dhe, mbi të gjitha, ndërtimi i drejtë sintaksor. Këtu dua të theksoj një dallim që për mua është shumë i rëndësishëm. Fjalët e huaja, kur përdoren pa nevojë, e varfërojnë komunikimin, por ato mund të zëvendësohen me fjalë shqipe ose me kalimin e kohës të kalojnë në fondin pasiv të gjuhës. Ndërsa kur fillon të dëmtohet struktura gramatikore, problemi bëhet më serioz. Humbja e mbaresave rasore, mosrespektimi i trajtës së shquar dhe përdorimi i gabuar i strukturave sintaksore prekin drejtpërdrejt vetë organizimin e gjuhës. Këto janë dukuri që duhet t’i marrim shumë seriozisht, sepse, nëse përhapen në komunikimin e përditshëm, mund të dobësojnë sistemin gramatikor të shqipes.
Sa u përket mediave, politikanëve dhe intelektualëve, ata kanë një përgjegjësi të veçantë. Gazetarët dhe moderatorët duhet të kenë më shumë kujdes me gjuhën që përdorin në emisione dhe në lajme. Politikanët, të cilët çdo ditë komunikojnë me publikun, duhet të japin shembull me një gjuhë të qartë dhe të kultivuar. Edhe intelektualët, sidomos gjuhëtarët, nuk duhet të mjaftohen vetëm me kritikimin e gabimeve, por duhet të japin këshilla, shpjegime dhe shembuj konkretë.
Në fund, mendoj se duhet të fillojmë nga vetja. Nuk mund të kërkojmë nga të tjerët ta ruajnë gjuhën, nëse vetë nuk kujdesemi për të. Gjuha shqipe nuk është vetëm çështje e gjuhëtarëve. Ajo është përgjegjësi e të gjithë atyre që e flasin, e shkruajnë dhe ua përcjellin brezave të ardhshëm.
Portalb.mk: Mes anglishtes, rrjeteve sociale dhe inteligjencës artificiale, si mund të zhvillohet shqipja pa u varfëruar? A po krijojmë përmbajtje dhe mjete cilësore në shqip, apo po presim që të rinjtë ta ruajnë gjuhën pa ua ofruar kushtet për ta përdorur në botën digjitale?
Mustafa Ibrahimi: Pak më lart përmenda se rrjetet sociale kanë anët e tyre pozitive, por edhe negative. Gjithçka varet nga mënyra se si i përdorim. Për ta shpjeguar këtë, po marr një shembull të thjeshtë: thika është mjet i domosdoshëm në kuzhinë dhe në jetën e përditshme, por njëkohësisht mund të përdoret edhe si armë e ftohtë. Pra, rëndësi ka qëllimi i personit dhe mënyra se si e përdor atë mjet.
E njëjta gjë vlen edhe për rrjetet sociale dhe inteligjencën artificiale. Ato mund të na ndihmojnë shumë në ruajtjen, zhvillimin dhe sidomos në dokumentimin e gjuhës shqipe. Sot kemi miliona dokumente, libra, dorëshkrime, materiale arkivore dhe burime të ndryshme që mund të gjenden shumë më lehtë se dikur. Mund të konsultojmë fjalorë, të gjejmë botime të rralla dhe të marrim përgjigje për shumë çështje gjuhësore. Kjo është një mundësi e madhe për studiuesit, studentët dhe për të gjithë ata që duan ta njohin e ta pasurojnë gjuhën shqipe.
Por nuk duhet ta shohim vetëm anën pozitive. Në shumë raste, në vend që teknologjia t’i bëjë nxënësit dhe studentët më krijues, më kërkues dhe më inovativë, po ndodh e kundërta. Ata kënaqen me materiale të gatshme, i marrin pa i analizuar dhe pa i përpunuar, pa dhënë asnjë kontribut personal. Në këtë mënyrë, nga krijues të mundshëm bëhen vetëm përdorues pasivë, pjesëmarrës dhe shikues të botës digjitale.
Kjo është arsyeja pse mendoj se duhet të fillojmë që në shkollën fillore t’i mësojmë fëmijët të jenë krijues. Si të krijojnë një ide? Si ta zhvillojnë atë? Si ta realizojnë përmes mjeteve të inteligjencës artificiale? Si të jenë kritikë ndaj rezultateve që marrin? Si t’i analizojnë, krahasojnë dhe verifikojnë informacionet? Këto janë aftësi që sot janë po aq të rëndësishme sa leximi dhe shkrimi. Inteligjenca artificiale duhet të jetë mjet ndihmës për mendimin dhe krijimtarinë tonë, e jo zëvendësim i tyre. Njëkohësisht, duhet të kujdesemi që këto mjete të funksionojnë sa më mirë edhe në gjuhën shqipe, duke respektuar pasurinë e saj leksikore, veçoritë gramatikore, sintaksore dhe dialektore.
Për këtë na duhen më shumë përmbajtje cilësore në shqip, digjitalizim i fjalorëve dhe i veprave të rëndësishme, si dhe platforma e burime elektronike që do t’u shërbejnë nxënësve, studentëve dhe studiuesve. Duhet të kemi edhe ndryshime në planet e programet mësimore dhe trajnime të vazhdueshme për mësimdhënësit dhe stafin akademik, në mënyrë që të jenë të përgatitur për zhvillimet e reja teknologjike. Mendoj se nuk mjafton t’u themi të rinjve ta ruajnë gjuhën shqipe, nëse nuk ua krijojmë edhe kushtet për ta përdorur atë në botën digjitale. Shqipja duhet të jetë e pranishme në libra dhe në shkolla, por edhe në platformat, programet, aplikacionet dhe mjetet e inteligjencës artificiale që të rinjtë i përdorin çdo ditë. Nuk duhet të kemi frikë nga teknologjia. Duhet të mësojmë ta përdorim atë në të mirë të gjuhës sonë. Shqipja nuk duhet të mbetet jashtë zhvillimeve bashkëkohore, por duhet të jetë pjesë aktive e tyre.
Portalb.mk: Kongresi i Manastirit na dha një alfabet të përbashkët, por sa bashkëpunim kemi sot mes institucioneve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut për zhvillimin e shqipes? Cilat hapa konkretë duhet të ndërmerren që 22 Nëntori i ardhshëm të na gjejë me rezultate dhe jo me të njëjtat shqetësime?
Mustafa Ibrahimi: Një nga të arriturat më të mëdha të Rilindësve tanë ishte njësimi i alfabetit të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit. Ata na lanë një trashëgimi të çmuar, jo vetëm kulturore, por edhe kombëtare e jetike. Ishin njerëz vizionarë, me një vetëdije të lartë historike dhe gjuhësore. Mënyra se si e përzgjodhën alfabetin latin dhe si i krijuan shkronjat dyshe, duke pasur parasysh veçoritë fonetike të shqipes, dëshmon për pjekurinë dhe largpamësinë e tyre. Edhe përdorimi i shkronjës ë, që ishte përdorur më herët edhe nga arbëreshët e Italisë, është pjesë e kësaj pasurie grafike.
Alfabeti u bë kodi i përbashkët i komunikimit për shqiptarët, kudo që jetojnë. Për mua, ai është një amanet që duhet ta ruajmë dhe ta përcjellim te të gjithë brezat që do të vijnë. Por sot, më shumë se një shekull pas Kongresit të Manastirit, kemi edhe sfida të tjera. Nuk mjafton vetëm ta ruajmë alfabetin dhe standardin e gjuhës, duhet të punojmë edhe për avancimin e statusit të shqipes dhe për një bashkëpunim shumë më të mirë ndërmjet institucioneve shqiptare.
Në Shqipëri dhe Kosovë shqipja ka statusin e gjuhës zyrtare, ndërsa në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi mbeten çështje që kërkojnë zgjidhje dhe garanci më të qarta juridike për përdorimin e saj. Po ashtu, duhet të punohet më shumë që arbëreshët në Itali, arvanitët në Greqi dhe shqiptarët në Turqi të kenë mundësi reale për ta mësuar dhe kultivuar gjuhën e tyre amtare përmes sistemeve arsimore.
Sa i përket bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, mendoj se duhet të bëjmë shumë më tepër. Nuk mjafton që një herë në vit të organizojmë konferenca, akademi dhe manifestime përkujtimore. Këto janë të rëndësishme, por duhet të kemi edhe projekte të përbashkëta që vazhdojnë gjatë gjithë vitit.
Unë do të propozoja disa hapa konkretë:
- Krijimin e një Këshilli të Përbashkët Ndërakademik për çështjet e gjuhës shqipe, me përfaqësues nga akademitë, universitetet dhe institutet përkatëse, specialistë të ndarë sipas fushave gjuhësore.
- Hartimin dhe digjitalizimin e fjalorëve të përbashkët, të terminologjisë shkencore dhe profesionale dhe të burimeve të tjera gjuhësore.
- Bashkërendimin e programeve mësimore dhe të teksteve shkollore, duke respektuar veçoritë e sistemeve arsimore përkatëse.
- Përkrahjen e projekteve të përbashkëta shkencore në dialektologji, sociolinguistikë, onomastikë, frazeologji dhe dokumentimin e të folmeve shqipe.
- Krijimin e platformave digjitale dhe të mjeteve të inteligjencës artificiale në gjuhën shqipe.
- Përkrahjen e mësimit të shqipes në vendbanimet historike shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Mendoj se kjo do të ishte përgjigjja më e denjë ndaj amanetit që na lanë Rilindësit. Ata arritën të krijojnë një alfabet të përbashkët në një kohë shumë të vështirë për shqiptarët, kur mungonin institucionet dhe mundësitë që kemi sot. Ne, me universitetet, akademitë, institutet dhe mundësitë e komunikimit që kemi, duhet të jemi në gjendje të bëjmë shumë më tepër. Duhet ta kuptojmë se gjuha është një nga lidhjet më të fuqishme që na bashkon, pavarësisht se ku jetojmë dhe në cilin shtet bëjmë pjesë. Ky bashkim gjuhësor e kulturor e forcon identitetin tonë dhe ndihmon në ruajtjen e vazhdimësisë kombëtare.
Prandaj, do të dëshiroja që 22 Nëntori i ardhshëm të na gjejë me më pak fjalime dhe më shumë rezultate, me projekte të realizuara dhe me bashkëpunim të vërtetë institucional. Kjo do të ishte mënyra më e mirë për ta respektuar dhe për ta çuar përpara trashëgiminë që na lanë Rilindësit tanë.