BDI-ja dhe VLEN-i u përplasën për Ligjin për përfaqësim të drejtë
“Nuk do të lejojmë që të kalojë Ligji për Përfaqësim të Drejtë,” deklaroi sot nga salla e konferencave të Kuvendit deputeti i BDI-së, Ilir Hasani, duke akuzuar se ky ligj, si edhe disa të tjerë, po pret të kontrabandohet, transmeton Portalb.mk.
“Ne jemi këmbëngulës në mbrojtjen e konceptit tonë se ky ligj nuk duhet të kalojë dhe se ne si opozitë e kemi shumicën e Badenterit. Ligji për përfaqësim të drejtë aktualisht është i varur pas derës dhe pret momentin për t’u kontrabanduar, gjë që mendoj se nuk do ta lejojmë. Nëse kryetari i Kuvendit e vendos në rend dite, ne do ta tejkalojmë me vota, përkatësisht ky ligj nuk do të kalojë”, tha Ilir Hasani nga BDI.
Ndërkaq, nga VLEN akuzuan se, përmes bllokimit të ligjit për përfaqësim, BDI po vepron kundër Marrëveshjes së Ohrit.
“BDI-ja tashmë është demaskuar plotësisht. Qytetarët prej kohësh ua njohin mënyrën e veprimit. Pas retorikës së tyre patriotike kanë mbetur vetëm tenderistë që luftojnë për poste, privilegje dhe mundësinë për t’i mbushur sërish xhepat e tyre. Shqiptarët ua treguan një herë derën e opozitës. Nëse vazhdojnë ta bllokojnë Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe të veprojnë kundër Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, do të mbeten në opozitë edhe për një kohë shumë të gjatë, deklaroi Driton Sulejmani nga VLEN.
Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, u miratua nga Qeveria më 7 prill dhe u dorëzua në Kuvend më 8 maj.
Në Maqedoninë e Veriut për mbi dy vite nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.
Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.
Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.
- LEXO: U refuzuan amandamentet për Ligjin për përfaqësim të drejtë, vijon debati
- LEXO: Përsëri akuza në Kuvend për Ligjin për përfaqësim të drejtë, Bekim Sali nuk i pranoi amendamentet e opozitës
- LEXO: Mes debateve të ashpra, Ligji i kontestueshëm për përfaqësim kaloi filtrin e parë në Kuvendin e RMV-së
- LEXO: Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat do të miratohet me “Badenter të vogël”
- LEXO: Pas shumë zvarritjeve dhe heshtjeve, Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat u bë publik (dokument)