Bekim Sali nuk i mban premtimet për jurisprudencën në shqip, nga një javë kaloi në shtator
Kanë kaluar gjashtë javë që kur zëvendëskryeministr, Bekim Sali, u premtoi studentëve shqiptarë se çështja e provimit të jurisprudencës do të zgjidhej brenda një jave. Ndërkohë, pas gjashtë javëve, Sali premtimin e ka zhvendosur për në shtator të këtij viti, shkruan Portalb.mk.
Në një prononcim për media, Bekim Sali, tha se pas rikonstruimit të Qeverisë, një nga detyrat e para të përbërjes së re qeveritare do të jetë procedimi i ndryshimeve ligjore që do të mundësojnë dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Për zëvendëskryeministrin Sali zgjidhja tashmë është gjetur dhe ka mbetur vetëm pjesa procedurale, pra kalimi i propozimit nga Qeveria në Parlament.
“Por ka disa afate ligjore që ne nuk mund t’i përshpejtojmë, por duhet t’i respektojmë në çdo fazë të procedurës. Besoj se ky do të jetë ndër ligjet e para që Qeveria do ta procedojë pas rikonstruimit. Nëse nuk ka vonesa, në shtator do ta kemi ligjin e miratuar me ndryshimet e nevojshme. Pas kësaj, do të nevojiten rreth tre deri në gjashtë muaj për përkthimin e të gjitha materialeve, mbi bazën e të cilave juristët e ardhshëm do të përgatiten për provimin e jurisprudencës”, deklaroi Sali.
Sali tha se, sa i përket procedurës, çështja e provimit të jurisprudencës është e zgjidhur. Ai tha se pengesë për zgjidhjen e kësaj çështjeje deri më tani ka qenë ministri në largim i Drejtësisë, Igor Fillkov. Sipas tij, edhe opinioni publik ka qenë i informuar se ministri në largim nuk ka shfaqur gatishmëri për ta mbështetur këtë iniciativë.
“Ndërkohë, me ministrin e ri, i cili pritet të emërohet javën e ardhshme, do ta fillojmë procedurën për ndryshimet ligjore. Ne do t’i propozojmë ato si Qeveri, ndërsa më pas duhet të miratohen edhe në Kuvendin e RMV-së. Ky është një hap që vjen si rezultat i dëgjimit të kërkesave të studentëve të fakulteteve juridike”, tha Sali.
Në fund Sali nënvizoi se ndryshimet ligjore nuk do të përfshijnë vetëm Ligjin për Provimin e Jurisprudencës, por edhe 46 provime të tjera shtetërore, të cilat, sipas tij, do të mund të jepen edhe në gjuhën shqipe
Megjithatë, edhe pse zyrtarët e VLEN-it pretendojnë se zgjidhja tashmë është gjetur, studentët do të duhet të presin të paktën deri në shtator për të parë miratimin e ndryshimeve ligjore edhe pse u ishte premtuar që zgjidhja do të jetë brenda një jave. Por edhe pas miratimeve të ndryshimeve ligjore, nuk është e sigurt nëse studentët do të mund ta japin menjëherë në gjuhën shqipe provimin, pasi do të duhet të presin afatet ligjore.
Udhëheqësi i protestave të studentëve, Mevlan Ademi, për Portalb.mk, është shprehur se Maqedonia e Veriut është i vetmi vend ku, edhe për një të drejtë të fituar, ende kërkohet “zgjidhje”. Ai tha se nga premtimi se çështja do të zgjidhej brenda një jave, tani po thuhet se mund të zgjasë edhe më shumë se 6 muaj.
“Ajo që ne shohim është se do të vazhdojnë të kalojnë gjenerata të tëra juristësh pa pasur mundësinë ta japin provimin në gjuhën shqipe. Po ashtu, zgjidhja e propozuar që provimi të mbahet gjysmë në shqip dhe gjysmë në maqedonisht as nuk është konsultuar me ne as nuk është pranuar nga ne. Kemi qenë shumë të qartë: duam zbatimin e plotë dhe të menjëhershëm të Ligjit të Gjuhës; e duam provimin tërësisht në gjuhën shqipe, pa zvarritje e premtime të kota të mëtejshme”, u shpreh Ademi.
Provimi i jurisprudencës deri më tani ka përplasur disa herë partitë e shumicës parlamentare dhe ata opozitare. Kujtojmë se, çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
- LEXO: Kaluan pesë javë ndërsa Bekim Sali nuk e realizoi premtimin për provimin e jurisprudencës në shqip siç u zotua
- LEXO: Sali e shpalli zgjidhjen rreth provimit të jurispudencës, por Mickoski tha se ende po punohet për zgjidhjen
- LEXO: Bekim Sali nuk jep detaje por thotë se Komisioni për provimin e jurisprudencës e ka kryer punën, rendin e ka Kuvendi
- LEXO: Debat mbi provimin e jurisprudencës në shqip, ekspertët kërkojnë zbatim të Ligjit të Gjuhëve, studentët: Nuk do të tërhiqemi