Krerët shtetërorë uruan shqiptarët për 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Krerët shtetërorë të Maqedonisë së Veriut, me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, kanë përcjellë urimet e tyre për shqiptarët. Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, uruan përmes mesazheve publike, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski i përcolli urimet nga pika kufitare Qafë Thanë, ku u promovua sistemi i përbashkët kufitar “One Stop Shop” me Shqipërinë, shkruan Portalb.mk.
Në urimin e saj, presidentja Siljanovska-Davkova e vlerësoi 22 Nëntorin si dëshmi të vetëdijes kombëtare dhe të identitetit shqiptar, ndërsa Kongresin e Manastirit të vitit 1908 e cilësoi si pikë kthese në zhvillimin e kombit shqiptar përmes arsimit dhe kulturës.
“Gjuha është shenja themelore e veçantisë kombëtare. Ajo është instrumenti më i fuqishëm për ndërtimin dhe shprehjen e kujtesës kolektive të një populli, trashëgimisë së tij shpirtërore dhe përvojës historike. Detyrë e përbashkët është të ndërtojmë një shoqëri në të cilën uniteti nuk do t’i mohojë, por do t’i respektojë dallimet, duke i trajtuar ato si vlera të qëndrueshme shoqërore”, thuhet në urimin e presidentes.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, theksoi rëndësinë e Kongresit të Manastirit për njësimin e alfabetit dhe ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar. Ai kujtoi se rilindësit shqiptarë u bashkuan për një qëllim të përbashkët dhe se vendimi i tyre ishte përgjegjësi ndaj brezave që do të vinin.
“Për shqiptarët, gjuha shqipe mbetet gjithmonë nyjë unifikimi, bartëse e historisë dhe shprehje e pandashme e dinjitetit të popullit. Në Maqedoninë e Veriut, ajo është gjithashtu një urë komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëjetese ndërmjet qytetarëve tanë. Përgjegjësia jonë e përbashkët është të garantojmë barazinë, respektimin e identitetit gjuhësor dhe kulturor, përfaqësimin e drejtë dhe mundësitë e barabarta për të gjithë”, thuhet në urimin e Gashit.
Edhe kryeministri Hristijan Mickoski uroi shqiptarët për Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe nga pika kufitare Qafë Thanë, ku së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, promovuan sistemin e përbashkët kufitar “One Stop Shop”.
“Në këtë eveniment të rëndësishëm dëshiroj t’u uroj bashkëqytetarëve tanë dhe shqiptarëve kudo që janë këtë festë shumë të rëndësishme, 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Kjo ditë për shtetin tonë multietnik do të thotë shumë”, tha Mickoski.
Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe shënohet çdo vit më 22 Nëntor, në përkujtim të Kongresit të Manastirit, i cili u mbajt nga 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908. Në këtë Kongres u mor vendimi për njësimin e alfabetit shqip. Në Maqedoninë e Veriut, kjo ditë është festë zyrtare dhe ditë jopune për të gjithë qytetarët.