Bllokadë e re politike apo kompromis, çfarë do të sjellë Ligji për përfaqësim të drejtë në vjeshtë?

Derisa deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ndodhen në pushim, fati i Ligjit për përfaqësim të drejtë mbetet i paqartë se a do gjejnë pushteti dhe opozita gjuhë të përbashkët për miratimin e tij apo do të ketë bllokadë, raporton Portalb.mk.

Opozita shqiptare vazhdon të insistojë se ligji nuk është i mirë dhe si i tillë nuk duhet të miratohet, pa mos pasur mekanizma detyruese dhe ndëshkuese.

“Pas debatit amendamentues, në të cilin nuk u pranua asnjë amendament, mbetemi në qëndrimin se këtë Ligj nuk do ta mbështesim. Arsyet i kemi thënë disa herë: nuk ka kuota etnike, nuk ka mekanizma institucionalë për zbatimin e tij dhe nuk përmban sanksione për institucionet që nuk do ta respektojnë”, thonë nga BDI.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i VLEN nga pushteti, Driton Sulejmani, thotë se janë të gatshëm të bisedojnë.

“Të bisedojmë për këto çështje, por kjo duhet të jetë e dyanshme. Nuk mund të imponojmë vetëm ne iniciativa të tilla, ndërsa nga ana tjetër të kemi vetëm bllokada. Për ne është i rëndësishëm edhe përfaqësimi i drejtë, por është e rëndësishme që edhe ata njerëz që do të punësohen në institucione të ofrojnë shërbime të mira për qytetarët. Shpresojmë që BDI-ja të ndalojë bllokadat që, për fat të keq, po i bën dhe po e keqpërdor shumicën e Badenterit. Shpresojmë që edhe ata të jenë pjesë e votimit”, tha Sulejmani.

Muajin e kaluar pati përpjekje të pasuksesshme që ligji të hidhej në votim.

BDI-ja kërkoi “Badenter të madh”, përkatësisht shumicë nga numri i përgjithshëm i deputetëve që u përkasin komuniteteve joshumicë, dhe pretendon se pushteti nuk e ka mbështetjen as për “Badenterin e vogël”.

Nga ana tjetër, pushteti më herët kishte deklaruar se ligji do të miratohet edhe me “Badenter të vogël”, përkatësisht me shumicën e deputetëve të pranishëm nga komunitetet joshumicë.

Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, u miratua nga Qeveria më 7 prill dhe u dorëzua në Kuvend më 8 maj.

Në Maqedoninë e Veriut për mbi dy vite nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.

Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.

Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.